Autoriteti i Konkurencës bën sikur heton, monopolet ‘përmbytin’ tregun

853
Autoritetit të Konkurrencës (AK) është një institucion relativisht i ri në radhën e institucioneve kushtetuese shqiptare që vepron për të siguruar konkurrencën e lirë dhe efektive në treg në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” duke u mbështetur në tre shtylla bazë: abuzimin me pozitën dominuese; marrëveshjet e ndaluara në formën e karteleve dhe bashkimet e ndërmarrjeve. Institucioni e zhvillon veprimtarinë e vet si avokat i konkurrencës dhe i interesave të konsumatorit, me synimin final që tregu të gjenerojë zhvillim. Ky komision përbëhet aktualisht nga Lindita Milo (Lati), kryetare dhe ka anëtarë: Servete Gruda, Koço Broka, Iva Zajmi dhe Eduard Ypi. Kryekomisioneri dhe komisionerët zgjidhen apo shkarkohen nga Kuvendi. Si edhe institucionet e tjera kushtetuese ai bën fillimisht një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe përgatit edhe një raport vjetor që lexohet nga kryetarja në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Pa hyrë në veprimtarinë tetëvjeçare, por vetëm duke iu referuar kontrolleve të dy viteve të fundit, vihet re se megjithëse egziston si institucion kundër monopoleve, asnjë nga monopolet nuk ka marrë ndëshkim dhe ato kanë “përmbytur” tregun. Problemet më tipike me monopolet shfaqen në tregun e komunikimeve elektronike, të energjisë elektrike, në prokurimet publike, shërbimet portuale të ngarkim-shkarkimit të gazit të lëngshëm dhe tregun e sigurimeve. 
Ka vetëm një rast që AK është treguar e ashpër ndaj tregut monopol, teksa ka ndëshkuar me gjobë vetëm Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas. Në mënyrë më të detajuar ankesat e shqyrtuara nga ky autoritet kanë qenë si më poshtë:
Në shërbimet portuale (gazi i lëngshëm)
– Ndërmarrja “Prima Gas Albania” kundër “Romano Port”
Ankesa adresohej ndaj konçesionarit të ngarkimit dhe shkarkimit në Porto Romano, ndërmarrjes “Romano Port”, duke pretenduar se lejonte jashtë radhe shkarkimin e anijeve të tjera, ndërkohë që anija e “Prima Gas Albania” qëndronte në pritje. Bazuar në faktet dhe evidencat e grumbulluara për të gjitha praktikat e ngarkim/shkarkimit të realizuara nga ana e konçesionarit për periudhën hetimore, si dhe nga analiza e sjelljes së ndërmarrjes me pozitë dominuese “Romano Port’, Komisioni i Konkurrencës arriti në përfundimin se nuk ka shenja të abuzimit me pozitën dominuese nga ana e ndërmarrjes “Romano Port”.
Në komunikimet elektronike
– Ndërmarrja “Enet” kundër “Albtelekom”
Kjo ankesë kishte për objekt mosmarrëveshjet për lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve për interkonjeksionet në tregun e komunikimeve elektronike rregullohen fillimisht nga rregullatori, për këtë arsye iu drejtuam Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për informacion të mëtejshëm, i cili na njofton me anë të vendimit nr. 2327 se filloi procedimi administrativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis “Enet” dhe “Albtelekom” 
– Ndërmarrja “Nisatel” kundër “Albtelekom”
Ankimuesi pretendonte se ndërmarrja “Albtelekom” nuk kishte zbatuar kushtet teknike të kontratës për ofrimin me shumicë të shërbimit të internetit broadband dhe njëkohësisht kishte vendosur kushte shtesë duke abuzuar me çmimet e ofruara ndaj ndërmarrjes “Nisatel” duke shfrytëzuar pozicionin e saj në tregun e shumicës dhe atë të pakicës. Pas hetimit u konkludua se nuk ka kufizime, shtrembërime apo pengime të konkurrencës në treg nga operatori “Albtelekom”.
– Kompania “Plus Comunication” kundër kompanisë “AMC”, kompanisë “Vodafone Albania” dhe kompanisë “Eagle”
Ndërmarrja “Plus Communication” ka kërkuar zgjerimin e periudhës së hetimit për disa nga kompanitë e tjera celulare. Kërkesa u mor në konsideratë nga Konkurrenca dhe po vijon hetimi. AK këtë përfundim e nxjerr në çdo raport vjetor, por në të vërtetë monopolin enë komunikimet elktronike vijon ta mbajë “AMC”, “Vodafone” dhe “Eagle” duke u penalizuar gjithnjë dhe vetëm kompania e vetme me pronarë shqiptarë. 
Në prokurimet publike të shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike
– Ndërmarrjet “Anakonda” kundër “Taulantia”
Ndërmarrjet kanë adresuar ankesa të ndërsjella në lidhje me tregun e prokurimit të shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike në qarkun e Gjirokastrës dhe qytetin e Sarandës. Në përfundim të procedurave të hetimit u konkludua se nuk kishte shenja të një kufizimi të mundshëm të konkurrencës. Bashkimi Kombëtar i Shoqërive të ruajtjes dhe sigurisë fizike ka denoncuar për korrupsion në tenderët e ruajtjes dhe sigurisë fizike për Universitetin e Tiranës, Ujësjellës-Kanalizime dhe Universiteti Politeknik për tenderët e muajit dhjetor 2013, të cilat nuk janë publikuar në kohë duke shkelur rregullat e prokurimit publik. Nga vlerësimi i ankesës u konstatua se për raste të ngjashme, Komisioni i Konkurrencës është shprehur me anë të vendimit nr. 114, ku ka vendosur t’i rekomandojë APP që bëhet ndarja e kontratave në lote dhe nënlote.
Në tregun e sigurimeve të detyrueshme
– Ndërmarrja “Atlantik” kundër kompanive të tjera të sigurimeve 
Kjo ndërmarrje ankohej se disa shoqëri operonin me çmime tepër të ulëta jashtë çdo niveli të miratuar të primit të riskut nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Ky shqetësim iu adresua rregullatorit përkatës.
Në tregun e energjisë elektrike
– Ndërmarrja “Gen-I” kundër “Cez”
Ankesa e “GEN-I” fliste mbi proçedurat e prokurimit vjetor të energjisë elektrike të blerë për mbulimin e humbjeve nga “CEZ”. Dihet fare mirë se si përfundoi “Cez” dhe dëmet që i shkatoi financave shqiptare, por të habit qëndrimi i Autoritetit të Konkurencës që me vendimit nr.301 vendosi mbylljen e proçedurës së vlerësimit të ankesës dhe se pohoi që “Cez” ka vepruar konform rregullores së miratuar nga ERE”.
Në tregun e transportin qytetas
Ndërmarrja “Gerard A” kundër Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas
Kjo ndërmarrje është ankuar pranë AK-së për kartonin shoqërues të aboneve të nxjerrë nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas duke kontrolluar tregun në sasinë e aboneve që shpërndan duke deformuar konkurrencën në treg. Në këtë rast AK me vendimin nr.290 ka vendosur gjoba ndaj ndërmarrjeve “Ferlut”, “Tirana Lines”, “Alba Trans”, “Tirana Urban Trans” dhe “Parku i Transportit Urban të Udhtarëve”, për kufizim të konkurrencës.
Problematika të tjera
– Mbi aplikimin e TVSH-së në tregun e reklamave
Shoqata Shqiptare e Agjencive të reklamave ka paraqitur një kërkesë për konsiderimin e shqetësimeve të agjencive të reklamave lidhur me aplikimin e TVSH-së sipas një projektligji të ri për TVSH-në që mund të ndryshonte në mënyrë rrënjësore mënyrën se
si gjithë zinxhiri i shërbimeve të këtij sektori që faturon dhe aplikon TVSH-në ku operatorët të të njëjtit treg do aplikonin shkallë të ndryshme të taksës. Në përgjigje të ankesës AK u shpreh se do të bëjë vlerësimin paraprak të draftligjit “Për disa ndryshme në TVSH-në” në momentin e vënies në dispozicion nga Ministria e Financave.
– Në tregun e tregtimit të ujit të pijshëm
Shoqëria “Blu Imperial” ankohej për konkurrencë të pandershme të shoqërive të tjera që tregtojnë ujë të ambalazhuar me emërtimin “Selita”. Pas vlerësimit të ankesës është informuar ankimuesi me shkresën 416/1 datë 8.11.2013 se ankesa nuk është në objektin e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
– Në tregun e shërbimeve portuale
Përfaqësuesi i shoqërisë “EMS APO” ankohej se nuk ishte lejuar të shkarkojë ngarkesën e saj në Portin e Durrësit. AK, me shkresën 498/1 e ka informuar ankimuesin mbi shqyrtimin e ankesën vetëm në këndvështrimin e ligjit “Për mbrojtjen e konkurencës” dhe ndërkohë ka kërkuar vënien në dispozicion të një kopje të plotë të kontratës konçesionare për ndërmarrjen “EMS Shipping & Trading GmbH”.
Natyrisht se nuk janë të gjitha ankesat që janë bërë në AK, por monopolet në Shqipëri po na zënë frymën dhe shpesh ato goditen politikisht vetëm nga opozitat e radhës. Nuk ka qoftë edhe një rast që përfaqësues të opozitës së djeshme apo të sotme të kenë bërë vetë një ankesë te AK, ndërsa i kanë të gjitha mundësitë që gjatë miratimit të raportit të shprehin ankesat dhe të denoncojnë kompanitë monopol në tregun shqiptar. 
Disa ankesa në Autoritetin e Konkurencës 
Ndërmarrja “Prima Gas Albania” kundër “Romano Port”
Ndërmarrja “Enet” kundër “Albtelekom”
Ndërmarrja “Nisatel” kundër “Albtelekom”
Ndërmarrja “Plus Comunication” kundër kompanisë “AMC”, kompanisë “Vodafone Albania” dhe kompanisë “Eagle” 
Ndërmarrjet “Anakonda” kundër “Taulantia”
Ndërmarrja “Atlantik” kundër kompanive të tjera të sigurimeve 
Ndërmarrja “Gen-I” kundër “Cez”
Sigal