Prof. Dr. Alfred Frashëri/ Mos shkatërroni monumentet e natyrës dhe të historisë!

135

Krahina e Përmetit është e pasur me burime energjetike të rinvueshme, miqësore me mjedisin, të cilat presin të vihen në shfrytëzim për të siguruar një zhvillim ekonomik dhe social të qëndrueshëm të krahinës. Janë të shumtë edhe monumentet e shquar të historisë dhe kulturës.

Energjia e ujit: Lumi Vjosa dhe lumenj të tjerë më të vegjël të krahinës kanë potencial hidro-energjetik të madh. Në krahinë ka edhe shumë burime ujërash nëntokësore, kryesisht në dy shpatet e luginës së Vjosës.

Energjia Gjeotermale: Nga lumi i Lëngaricës deri në lumin Sarandaporo shtrihet një brez gjeotermal, i cili vazhdon edhe tej në territorin grek. Në këtë brez ndodhen burimet gjeotermale të Bënjës në shtratin e lumit të Lëngaricës, burimi i avullit në Postenan dhe burimet në grykën e Vromoneros në shpatin verior të lumit Sarandaporo.

Energjia e diellit: Krahina e Përmetit karakterizohet nga një periudhë me 2100 – 2300 orë me diell në vit dhe 3,70-4.11 kvvh/m2. Nxehtësia diellore në Shqipëri ka vlerë mesatare rreth 129.3 Kcal/(cm-1.vit).

Energjia e erës: Në zonat kodrinore të krahinës shpejtësia mesatare e erës është rreth 2.1-3.0 m/sek gjatë 3000-4500 orëve në vit. Por ka edhe zona ku erërat kanë shpejtësi më të madhe.

Për t’i shfrytëzuar këto energji me efiçiencë të lartë ekonomike ka ardhur koha që të ndërmerren studime dhe projekte që të kenë si drejtim kryesor mbështetjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm burimeve energjetike, mjedisore dhe kulturore, si edhe ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.

Në këtë artikull do të ndalemi në platformën dhe skenarët e shfrytëzimit të energjisë gjeotermale.

Realizimi i këtyre studimeve dhe projekteve do të përmirësojë bilancin energjetik të krahinës dhe do të ketë impakte të rëndësishme për ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Do të transferohen teknologji të reja moderne për shfrytëzimin e energjive të rinovueshme në krahinë, do të hapen biznese të reja dhe vende pune, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e jetesës së komunitetit.

Ujërat termale të Përmetit

Në Përmet, burimet gjeotermale ndodhen tek Ura e Katiut në lumin e Lëngaricës, pranë fshatit të mirënjohur të Bënjës, 7 km në jug-lindje të Përmetit, në vijë të drejtë. Të ndodhura në një zonë me pamje e bukuri të jashtëzakonshme, si edhe për vetitë e tyre kuruese shumë të mira, këto ujëra termalë janë të njohura qysh lashtësi, në periudhën romake, prandaj edhe fshati ka marrë emrin nga latinishtja “banjë”.

Në Bënjë, ka 8 burime me temperaturë nga 23 deri në 30oC dhe me prurje 8 deri në më shumë se 40 litra/sek, secili, që ndodhen përgjatë një brezi rreth 500 m të gjatë, në të dy anët e lumit: 4 burime në shpatin e djathtë (1-4) dhe 4 në të majtin (5-8). Uji buron në përgjithësi në nivelin e ujit të lumit, nën të ose 1-2.5 më lart tij.

Burimet gjeotermale të energjisë së entalpisë së ulët si ato të brezit Bënjë-Sarandaporo. përbëjnë bazën për përdorim të suksesshëm të teknologjive moderne për përdorim integral dhe kaskadë të kësaj energjie, miqësore me mjedisin, duke patur efektivitet ekonomik të mirë. Përdorimi integral nënkupton shfrytëzimin në kompleks të energjisë gjeotermale së bashku me energji të tjera të rinovueshme, si atë diellore, me sistemin e pompave të nxehtësisë ujë-ujë, si edhe në raste të veçanta edhe me energjinë e erës dhe të biomasave, pa përjashtuar lëndët djegëse për situata klimatike ekstreme. Shfrytëzimi kaskadë përfaqëson përdorimin e energjisë gjeotermale në të gjithë diapazonin e nxehtësisë së ujit të burimit, nga temperaturat më të larta deri sa të arrihet në temperaturën e mjedisit, kur uji nuk ka më nxehtësi të shfrytëzueshme.

Kjo zonë termominerale me bukuri të rrallë natyrore, e ndodhur pranë rrugës nacionale Përmet – Greqi, si edhe në afërsi të monumenteve të natyrës, të kulturës dhe të historisë, i ka të gjitha kushtet të kthehet në një qendër të rëndësishme ndërkombëtare pushimi-ripërtritjeje-kurimi dhe turizmi ekologjik dhe kulturor, në një qendër gjeotermale nga më të mirat  evropiane. Vlerat kurative të ujit termo mineral dhe kushtet gjeografike krijojnë të gjitha kushtet që këto burime të frekuentohen nga dhjetëra mijëra turistë e pacientë shqiptarë nga të gjitha trevat si edhe të huaj gjatë vitit. Shfrytëzimi i ujërave termale të burimeve ose të puseve lehtësohet nga fakti se ato përgjithësisht ndodhen në zonë të zhvilluar nga ana urbane.

Skenari i zbatimit të teknologjive moderne në burimet e Bënjës është përcaktuar nga parametrat gjeotermalë: fluksi i nxehtësisë së Tokës, temperatura e ujit, prurja dhe kimizmi i ujërave termominerale, si edhe faktorët gjeografikë-ekonomikë-socialë, urbanistikë, transportit, ekologjikë dhe të peizazhit të zonës gjeotermale:

  • Qendra gjeotermale ripërtëritëse-turistike, me pishina me ujë të ngrohtë mineral dhe të ëmbël, të hapura dhe të mbyllura, me sauna dhe salla masazhesh e sportive, fusha sporti, etj..
  • klinika mjekësore për banjo termale me ujë dhe baltë,
  • Ngrohja e godinave dhe të serave,
  • Ujë të nxehtë sanitar,
  • Instalime akuakulture: rritje rrasatesh peshku e peshk,
  • Kultivimi i asparagus,
  • Tharje frutash e perimesh,
  • Industrializimi i ujërave mineralë të pijshëm.

Në verë: uji i nxehtë i burimeve të Bënjës me temperaturë rreth (28-30) gradë celsius përdoret për të mbushur pishinat. I ngrohur me energjinë diellore deri në temperaturën 38 °C do të përdoret për banjat termale individuale, ndërsa në temperaturë mbi 55 °C për sauna. Ujë tepërt i burimeve dërgohet në vaskat e rritjes së peshkut. Në kombinim me panelet diellore ngrohet uji sanitar për hotel-klinikën, dushe, etj.

Në dimër: ujit termomineral të ngrohtë (t=28-30)°C të këtyre burimeve, i merret një sasi nxehtësie në impiante të ndryshme dhe, pasi uji të arrijë temperaturën rreth 15oC, dërgohet në sisteme panele diellore dhe për të furnizuar pompa nxehtësie ujë-ujë. Këto sisteme komplekse japin ujin e nxehtë në temperaturën (55-75)°C për nevojat e qendrës gjeotermale. Nga ky sistem kompleks, uji ndahet e dërgohet në drejtimet e duhura. Edhe gjatë ditëve dimërore me diell, në sistem futen në punë edhe panelet diellore për ngrohjen e ujit sanitar. Me sasinë e përgjithshme të ujit të ngrohtë me temperaturë 30oC, mund të realizohet ngrohja:

– E fushave me sistem tubacionesh të futura disa centimetra në tokë, ku kultivohen asparaguas dhe sallata të ndryshme, p.sh. marule, që kërkojnë temperaturë optimale rreth 14oC, të truallit.

– Me ujin e ftohur në këto fusha, deri në temperaturën 10-15oC,- furnizohet nëpërmjet këmbyesve të nxehtësisë pompa nxehtësie ujë-ujë për ta ringrohur ujin dhe për ta çuar në sera, ku mund të kultivohen perime dhe lule të ndryshme.

I vetëm burim avulli në Shqipëri, burimi i Postenanit duhet të shërbejë si laborator shkencor për të vlerësuar thellësinë e formimit të ujit termomineral, kohën e formimit, për të përllogaritur gjeotermometrat, si edhe për të studiuar dhe vlerësuar kushtet në të cilat avulli arrin deri në sipërfaqen e tokës.

Zhvillimi i qendrave gjeotermale moderne në Shqipëri duhet të kalojë së pari nga rindërtimi dhe ristrukturimi i hotel-klinikave ekzistuese për tu dhënë atyre parametrat mjekësorë, të jetesës dhe të rehatisë në pajtim me kërkesat dhe nivelin e sotëm të qendrave analoge. Gradualisht të kompletohen me të gjitha veprimtaritë e tjera të përshkruara më lart.

Të rindërtohen shtëpitë e Bënjës dhe të Postenanit për të pritur klientët turistë. Por për realizimin e kësaj, kërkohet të krijohet baza teknike dhe organizative për ndërtimin e qendrave moderne gjeotermale. Këto qendra do të kontribuojnë edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe niveli i ruajtjes së pastërtisë së tij do të përmirësohet, duke siguruar mbrojtje të mirë të ekosistemeve të zonat gjeotermale. Do të krijohen biznese të reja dhe do të hapen vende pune për të përmirësuar jetesën jo vetëm të komunitetit tek burimet.

Përmeti dhe Bënja mund të bëhen qendra turistike të rëndësishme, gjithëvjetore, nëse të rregullohen shtëpitë e Bënjës për të pritur vizitorët, të pyllëzohet vendi dhe burimet e mjedisi për rreth do të sistemohen, duke ruajtur të virgjër natyrën dhe duke shmangur betonin. Këto burime janë Monumente të Natyrës dhe zona është monument historik me shpellat e saja të lashtësisë, të rrallë dhe të jashtëzakonshëm. Pranë tyre ndodhen shpellat prehistorike të Bënjës dhe kanioni i mirënjohur i Lëngaricës.

Hidrotermat që vijnë nga thellësia mbi dhjetë kilometra dhe me temperature mbi 200 gradë Celsius, përzihen me ujërat nëntokësore pranë sipërfaqësore, ftohen dhe burojë nëpër çarjet tektonike. Në Bënjë ato burojnë në të dy anët e shtratit të lumit Lëngarica. Kështu që midis hidrotermave të thellësisë, ujërave nëntokësore pranë sipërfaqësore dhe që nga shtrati i lumit filtrojnë në thellësi. Në shekuj është vendosur një ekuilibër i caktuar në karakteristikat e sistemit të burimeve termale të Bënjës: numri i burimeve dhe vendvendosja e tyre, temperature e ujit dhe prurja e burimeve.

Vendimi për ndërtimin e dy hidrocentraleve në rrjedhën e poshtme të lumit Lëngarica, do të prishë regjimin hidrik të sistemit të sistemit të burimeve termale të Bënjës dhe atje do të ndodhin ndryshime të regjimit hidrik të tyre. Këtyre ndryshimeve i shtohen edhe shkatërrimet e peizazhit të kanionit gjatë ndërtimeve të rrugëve dhe elementëve të tjerë të konstruksionit të hidrocentraleve. Në këtë zonë ndodhen edhe shpella prehistorike të mirënjohura të Bënjës. Ky vendim nuk u shoqërua edhe me njoftimin mbi rezultatet e studimeve për ruajtjen dhe mbrojtjen e gjeomjedisit dhe te gjendjes së këtij monumenti të natyrës dhe të historisë, nëse janë bërë vlerësime të tilla të detyrueshme dhe çfarë tregojnë.

Në asnjë vend të Europës e më gjerë nuk do të lejohej të shkatërroheshin monumentet e natyrës dhe të historisë, qoftë edhe për të ndërtuar një hidrocentral se zonat e monumenteve të natyrës dhe të historisë janë ligjërisht të mbrojtura. Prandaj, mbrojta e tyre ligjore është e shenjtë. Me vënien në shfrytëzim të hidrocentralit, atje do të punësohen vetëm disa punonjës, më pak se sa janë gishtat e dorës. Një qendër gjeotermale dhe historike do të punësojë në vite e vite dhjetëra e dhjetëra punonjës dhe do të mbajë të gjallë dhjetëra biznese dhe jetesën në fshatrat e zonës e në qytetin e Përmetit. Disa megavat në kushtet e ekonomisë së tregut nuk justifikojnë shkatërrimin e natyrës dhe pasuritë e saj, që mund dhe duhet të vihen në shërbim të komunitetit dhe ngritjes së nivelit të jetesës së tyre. Nuk justifikojnë shkatërrimin e monumenteve të historisë.

Mbroni natyrën o njerëz, vendim-marrës, se mbroni jetën e brezit të sotëm dhe të atyre që do të vijnë, se mbroni Atdheun!

*Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave