Prof. Dr. Agron F. Fico/ Mirënjohje albanologjike për shkencën gjermane

969
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ishte e gëzuar që erdhi në Shqipëri, por edhe ne, shqiptarët, edhe pa dalë të gjithë në bulevard u gëzuam për vizitën e saj plot hijeshi. Ka disa arsye për këtë pritje të ngrohtë të znj. Merkel që nga ato politike, ekonomike e deri tek ato sportive-admirimi për futbollin gjerman. Ndoshta më kryesore janë arsyet kulturore-shkencore. Thënë shkurt shkenca albanologjike shqiptare i ka rrënjët te kontributet e njohura dhe themelore nga studiuesit gjermanë në disa shekuj. Në shkolla, libra, studime, shkrime, emisione, madje edhe gojarisht nga një brez te tjetri shqiptarët e kanë mësuar se gjermanët na kanë “mbrotjur” në shekujt me studimet e tyre përballë shpifjeve, gënjeshtrave, synimeve keqdashëse të fqinjëve tanë sllavë, grekë, malazesë, italianë etj, që përçmonin, shtrembëronin e mohonin historinë, gjuhën e kulturën shqiptare. Studimet e gjuhëtarëve, historianëve, arkeologëve, etnologëve gjermanë janë gurthemeli në lindjen e zhvillimin e albanologjisë kombëtare shqiptare. Madje edhe disa nga korifejt e kulturës shqiptare si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Hasan Ceka deri te edhe disa albanologë të brezit të mesëm dhe të rinj janë formuar në shkollën gjermane të shkencave dhe dijes. Ndoshta do të ishte mirë që, me rastin e vizitës së kancelares Merkel të organizohej edhe ndonjë tubim shkencor, jo për kornizë politike dhe as për atë që sot nga “opinionistët e gjithëditur” quhet “shou mediatik”, por si paralele e forumit ekonomik. Albanologjia është tërësia e studimeve që janë bërë dhe bëhen për historinë, gjuhën, folklorin dhe kulturën e popullit shqiptar, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve të huaj. Ato janë bërë objekt kërkimesh dhe studimesh nga dijetarë të shquar të vendeve të ndryshme të botës. Studiuesit gjermanë të fushave të ndryshme si gjuhësi, histori, folklore etj, janë ndër më të shumtit dhe me kontribute serioze e cilësore për shkencen shqiptare, ate që quhet Albanologji. Mund të thuhet se Albanologjia, si drejtim i veçantë studimesh për Shqipërinë dhe shqiptarët, lindi në fund të shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XVIII, por u konsolidua në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Pa synuar për një paraqitje tërësore dhe as për hartim lista emrash të studiuesve gjermanë në Albanologjinë tonë, po sjellim disa nga majat e këtyre vlerave shkencore. 
Studiuesit gjermanë në Albanologjinë Shqiptare
Në shekullin e XVIII fillon të rritet interesi i të huajve për gjuhën shqipe dhe shqiptarët. Ndër dijetarët më të shquar që u morën me çështjet e Albanologjisë po përmend:
1. G. V. Lejbnic (1646-1716), filozof gjerman me famë botërore, Kyetar i Akademisë së Shkencave Gjermane; përveç kontributeve në fushën e filozofisë, matematikës, fizikës, gjeologjisë, biologjisë, mekanikës, ai shfaqi interes edhe për gjuhësinë. Ai u interesua edhe për gjuhën shqipe: shtroi problemin e prejardhjes së gjuhës shqipe, të përkimeve, takimeve dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoeuropiane. Ai shkruante «Doni ta dini origjinën e gjuhës shqipe? Zhvisheni nga elementët e huaj, studiojeni mirë çfarë ka marrë dhe nga i ka marrë’ dallojeni mirë elementin e vet shqipes… Dhe do të dalë qartë origjinaliteti i saj”. (Xh. Kosturi: Historia e Albanologjisë, 1999 f.96).
2. Hans Tunman (1746-1778), historian me famë botërore në veprën madhore “Kërkime për historinë e popujve të Europës Lindore (1774), vë gurin e parë në themelin e studimeve historike të popullit shqiptar. Ai shpall me autoritetin akademik se: «Në historinë e shqiptarëve, unë nuk kam gjetur asnjë gjurmë të ndonjë shtegtimi të tyre të mëvonshëm, gjuha e tyre ka dhënë dëshmi të tilla nga fatet e popullit shqiptar, që në këta nuk mund të mos shoh fqinjët e stërmoçëm të grekërve dhe të nënshtetasve të Romës së vjetër. Dhe te dy këta na tregojnë Ilirët e vjetër”. (Vep. Cit. f. 97). Ndërsa një filozof tjetër gjerman Johan G.Herder, do të pohonte autoktoninë e shqiptarëve, prejardhjen e tyre ilire dhe karakterin europian.
3. Karl Hajnrih Teodor Rajnhold botoi më 1885 “Net Pellazgjike”, vepër që ndahet në tri pjesë: E para përmban një Gramatikë të shqipes ose një skicë gramatikore; e dyta ka një Fjalor dhe e treta ka Tekste (Antologji). Gjithë materiali është mbledhur te Arbëreshët e Greqisë në Atikë, në ishujt Poros, Hydras. Në faqen e parë “Pellazgjishtja”, autori shkruan greqisht këto fjalë: « Përsa u takon Pellazgëve (dmth Arbëreshëve të Greqisë), ata janë më të vjetër se sa ata që sundojnë sot në Greqi”.) Cit. 129). Në shekullin e XIX, me zhvillimin e shkencës dhe të teknikës, personalitetet shkencore botërore e rritën interesin për studimin e gjuhës shqipe dhe prejardhjes së popullit shqiptar, si një popull i veçantë i Gadishullit Ballkanik.
4. I tillë ishte Franc Bopi (1791-1867) gjuhëtar i shquar gjerman, një nga themeluesit e metodës historiko-krahasuese. Ai dinte gjithë gjuhët e vjetra dhe të reja indoeuropiane; autor i Gramatikës Krahasuese të të gjitha gjuhëve indoeuropiane në pesë vëllime. Me referatin për Numërorët dhe Përemrat e shqipes, por sidomos me studimin “Mbi shqipen dhe lidhjet e saj farefisnore», Bopi hodhi themelet e Morfologjisë Krahasuese të gjuhës shqipe, duke vërtetuar përfundimisht vendin e shqipes në familjen e gjuhëve indoeuropiane, si një vend më vete. Këtë mendim, këtë tezë e shpjegon më tej kur shkruan: “Kjo gjuhë me të vërtetë që i përket në mënyrë të sigurtë familjes indoeuropiane, se në themelet e saj kryesore nuk ka ndonjë lidhje më të ngushtë ose, aq më pak, ndonjë lidhje prejardhjeje me asnjërën nga motrat sankrite indoeuropiane të kontinentit tonë dhe as lidhje birësie me to”.
5. Në fushën e historisë shquhet historian i madh gjerman Jakob Falmerajer (1790-1866), i cili në veprën “Elementi shqiptar në Greqi” (1857-1861), shqiptarët i vlerëson shumë, ku flet për vitalitetin e lartë të popullit shqiptar etj. Në veprën e lartëpërmendur ai argumenton autoktoninë e shqiptarëve dhe nënvizon se: «Përpjekjet për të hedhur poshtë autoktoninë e shqiptarëve ilirë, të gegëve e të toskëve, dhe ta afrojnë ardhjen e tyre në shekullin e III, duhen hedhur poshtë se janë historikisht të pambështetura, të gabuara, joshkencore dhe jokritike”. (Cit. f.147).
6. Gustav Mayer (1850-1900), studiuesi gjerman nga Austria u mor gjerësisht me gjuhën shqipe, sidomos me historinë e saj. Hartoi të parin Fjalor Etimologjik të saj, si dhe është autor i veprës «Studime Shqiptare» (1883-1896) në gjashtë vëllime. Mayeri ka një meritë të veçantë për historinë e kulturës popullore, sepse me të nisin fillesat e botimit të këngës kreshnike shqiptare.
7. Gustav Mayer më 1897, botoi në Vjenë fragmentin e këngës së Ciklit të Mujit e të Halilit “Tha, drit ka dal e dielli nuk ka ra.”Ky fragment u botua bashkë me materiale të tjera të letërsisë gojore në veprën e tij “ALBANESISCHE STUDIE”, vëllimi VI. Prof. Zymer Ujkani Neziri vë në dukje se redaktori i materialeve të G.Majerit, Agron Fico të botuara në vëllimin “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar” (1635-1912), për fragmentin e këngës kreshnike “Tha, drit ka dal e dielli nuk ka ra“ jep këtë shënim në fusnotë : “Martesa e Hysenit është variant i martesës së Halilit”. Vargjet e fragmentit të këngës së kreshnikëve të botuara nga G. Majeri tashmë konsiderohen me vlerë dokumentare historike për folkloristikën shqiptare e sidomos për epikografinë. Ja disa vargje: “Tha, drit ka dal e dielli nuk ka ra,/Tha, drit me malet nuk ka ba,/Tha, janë mbledhun agait e kuvenin,/Tha, po kuvenin e kuvenoin,/Tha, ç’at Hyseni po e prezhmoin,/Tha, ç’ke Hysen që nuk martone?
8. I pamasë është kontributi i profesorit të gjuhësisë indoeuropiane të krahasuar Paul Kretçmer (1866-1956), i cili në veprën dinjitoze “Hyrje në historinë e gjuhës greke” pohon se para ngulimeve të elementit helen në Greqi të vjetër, ka pasur një shtresë të lashtë jogreke, se para nguljes së popujve indoeuropianë, nëpër vendet e Mesdheut, kishte nje shtresë më të lashtë. (F.164).
9. Të njohura janë edhe kontributet e historianit gjerman Georg Shtadtmyler (1901-1985), që në veprën “Studim për historinë e hershme shqiptare“ (1941) bëri një periodizim të historisë së hershme të popullit shqiptar; ndërsa Gustav Vajgandi (1860-1930), gjuhëtar, balkanolog gjerman u mor edhe me gjuhën shqipe dhe origjinën e saj. 
10. Vend të veçantë zënë kërkimet e albanologut gjerman Maksimilian Lamberc për epikën legjendare shqiptare, i cili më 1954-1955 botoi studimin “Die Volkseipk der Allbaner” (“Epika popullore e shqiptarëve”), që Çabej e konsideroi kulm të veprës shkencore të Lambercit. Pas Luftës II Botërore vazhdoi dhe u zgjerua bashkëpunimi i institucioneve shqiptare me ato gjermane. Më 1958 erdhi një grup prej 4 studentësh gjermanë për të mësuar gjuhën shqipe, të cilët brenda një afati të shkurtër, me vullnetin e njohur gjerman u përgatitën për të ndjekur klasat universitare për gjuhën shqipe, madje edhe albanologu i njohur V. Fidler erdhi për 6 muaj dhe bashkë u morëm me trajtat e shkurtëra të gjuhës shqipe. Me interes është të përmendet se në vitin 1960-1961 u zhvillua nje ekspeditë kërkimore shkencore folklorike për regjistrimin e folklorit çam midis Akademisë së Shkencave të Gjermanisë dhe Institutit të Folklorit. Rezultat i kësaj pune me kritere serioze shkencore solli grumbullimin e një lëndë të pasur folklorike, që më vonë Akademia e Shkencave gjermane i botoi në dy vëllime me titull “Këngët Çame”. Një rol të veçantë në nxitjen e studimeve shqiptare në Gjermani ka luajtur edhe katedra e gjuhës shqipe të Mynihut. Shqipëria dhe Kosova janë bërë sot qendrat kryesore të studimeve albanologjike, por ato kryhen edhe sot, ashtu si më parë, edhe nëpër qendra shkencore e katedra të gjuhësisë në universiteteve në vende të ndryshme të rruzullit tokësor. Shkenca gjermane vazhdon përsëri të jetë e para, të jetë në krye të studimeve albanologjike me seriozitetin, kriteret e saj të larta dhe identitetin e shquar e të njohur gjerman.
Sigal