Prof. Dr. Ago Nezha/ Korrupsioni, aleat me qeveritë

99

Për tre vjet rresht, Komisioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, nën drejtimin e Kryetarit të tij Dr. Bujar Leskaj, organizon konferenca shkencore dy ditore, me pjesëmarrje të gjerë të aktorëve të huaj dhe ata vendas. Tematikat e trajtuara kanë qenë të ndryshme, në përshtatje me problematikat dhe shqetësimet që ka shoqëria Shqiptare. Për këtë vit objekti i Konferencës ishte: “Auditimi Kombëtar në shërbim të Qeverisjes Kombëtare”. Ajo që të bie në sy është larmia e tematikës së konferencës, që i hap rrugë sqarimit të shumë shqetësimeve që kalon ekonomia e vendit tonë. Gërshetimi i kumtesave midis lektorëve të huaj nga shumë shtete të Europës, që përfaqësoheshin nga ekspert të sferave të larta të vendeve përkatëse si Bullgaria, Kroacia, Turqia, Polonia, Mali i Zi, Austri, si dhe Deputeti i Parlamentit Europian Igol Soltes, sollën jo vetëm eksperienca të pasura nga vendet përkatëse, por shtruan edhe shumë shqetësime dhe treguan çelësin e zgjidhjes së tyre. Ai, që u cilësua si kanceri mbarëbotëror, ishte fenomeni i korrupsionit që me intensitete të ndryshme ka prekur gjithë vendet, qofshin ato të zhvilluar apo të prapambetura, në zhvillim. Për më tepër, referuesit si Robert Gielisse-Budget, theksoi se, ky fenomen vitet e fundit ka shënuar një dinamik në rritje dhe është sofistikuar dhe amplifikuar në nivele të larta qeverisëse. Për t’i prerë burimet e korrupsionit, kërkohet të rritet performanca profesionale e audituesve, si një masë profilaktike-kuruese e ndalimit të veprimeve që bëhen nga struktura ekonomike jo vetëm të pa ndërgjegjshme, por edhe të pa ditur për mungesë aftësisë në sektorët që operojnë. Për këto dy aspekte tepër të rëndësishme, u theksuan standardet e pavarësisë dhe pa anshmërisë së institucioneve, për të rritur besimin dhe mirëbesimin pa e kamufluar dhe minimizuar problemin për interesa subjektive, klienteliste. Pa anshmëria është një sfidë që duhet tejkaluar me një punë të ndershme operacionale të audituesve. Deputeti i Parlamentit Europian Igor Soltes, theksoi faktin se, korrupsioni në institucione publike, krahasuar me të kaluarën, ka ardhur duke u rritur nëpërmjet veprimeve ilegale, gjë që ka dëmtuar besimin e popullit te qeveritë. Dinamika e korrupsionit në Shqipëri gjatë këtyre 23 vjetëve në instancat e larta shtetërore ka pasur një fluks në rritje, si rezultat i pandëshkueshmërisë së organeve të drejtësisë. Është kontradiktor fakti, që megjithëse demokracia vjen duke u maturuar si burim eksperiencë, korrupsioni në vend që të zvogëlohet, shtohet. Rritja e mirëqenies së popullit, përsosja e institucioneve të larta shtetërore, emancipimi i shoqërisë civile, shkon në përpjesëtim të drejtë me rritjen e korrupsionit, fenomen ky që e frenon demokracinë konkurruese dhe trondit themelet e demokracisë liberale. Politika e pjell pushtetin për të qeverisur, por jo si tek neve në këto 23 vjet për të pasuruar pushtetarët. Në këtë aspekt, roli i Kontrollit të Lartë të Shtetit, është i patjetërsueshëm nëpërmjet auditimit të Jashtëm dhe të Brendshëm, për të rritur besimin te taksapaguesit dhe për të ruajtur ekonominë nga virusi i korrupsionit që po e bren çdo ditë në mënyrë galopante. Koha ka evidentuar shembuj flagrant të korrupsionit në sferat e lartë të shtetit dhe të politikanëve tanë, që auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i ka zbuluar dhe denoncuar, por fatkeqësisht nuk janë ndëshkuar nga organet e drejtësisë. Është domosdoshmëri institucionale, theksoi konferenca, që të bashkërendohen veprimet midis organizmave supreme të ekspertëve të auditimit dhe organeve të drejtësisë si prokurorisë dhe gjykatave. Pa një bashkëveprim ndërinstitucional, për një luftë frontale ndaj korrupsionit, nuk do të ketë histori suksesi edhe në të ardhmen. Skandali që ndodhi me Bankën Kombëtare, tregon për një demokraci të deformuar, ku shteti ka humbur rolin e tij si tutor supreme i së mirës së përbashkët. Siç përmendi përfaqësuesi i  SAI-t të Turqisë, Turan Yasar, mirëqeverisja e vendit është një kusht thelbësor në shëndetin e demokracisë. Efiçenca e një qeverisje të mirë me mendim shkencor, shpreh performancën dhe përgjegjshmërinë e lartë që ka ndaj qytetarëve të vetë. Qeveri e mirë ose e keqe ka të bëjë me standardet e jetesës së popullit, kur zhduk varfërinë dhe krijon mirëqenie për të gjithë dhe jo për një shtresë të privilegjuar të shoqërisë. Kjo arritje, realizohet kur qeveria ka një transparencë dhe përgjegjshmëri permanente dhe jo konjunkturale. Binomi transparencë dhe përgjegjshmëri e një qeverisje funksionale, bën të mundur që të eliminojë korrupsionin në nivele minimale. Kur rritet transparenca dhe kontrolli i auditimit jo si një qëllim në vetvete, por si një domosdoshmëri për të shmangur korrupsionin, bën të mundur që të rritë efektivitetin e ruajtjes së pasurisë pa u dëmtuar. Përfaqësuesi i SAI të Kroacisë, Verica Akrap, në kumtesën e tij mbi “Arritjet e rezultateve dhe qëllimeve të biznesit në ndërmarrjet publike”, ndër të tjera theksoi se auditimi në ndërmarrje publike e lokale ka të bëjë me disa hallka të rëndësishme si planifikimin, gjetjen, procedurat dhe konkluzionet e rekomandimet. E rëndësishme është përndjekja e tyre nëpërmjet sigurimit të dhënave, anketave, intervistave, dokumentacioneve që duhet të jenë transparente në të gjitha nivelet e pushtetit, nga ai qendror te ai lokal. Ndërsa Vojciech Kutyla, zv/President i SAI-t të Polonisë, foli mbi përvojën e auditimit të Polonisë në luftë kundër korrupsionit. Ai theksoi se korrupsioni ka një karakter multidimensional dhe është një patologji e trashëguar e shoqërisë në shekuj. Por, niveli i korrupsionit varet nga niveli i demokracive në vende të ndryshme të botës. Vendet nordike, që kanë një sistem shoqëror më social, nivelin e korrupsionit e kanë shumë të ulët. Vendet në zhvillim, me një prapambetje të theksuar jo vetëm ekonomike por dhe sociale e kanë shumë të lartë shkallën e korrupsionit. Konferencën e përshëndetën mjaftë personalitete të huaj dhe vendas që krijuan një kolorit të admirueshëm me performancën e tyre intelektuale dhe profesionale. Ndër personalitetet e njohura në fushën e Auditimit të Jashtëm dhe të Financave Publike, përshëndetën: Robert Gielisse, DG-Budget, Robert Wilton, Kryetar në detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, J. Moser, Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t & President i Gjykatës Austriake të Audituesve,Ivan Klesiç, Auditues i Përgjithshëm i SAI-t Kroaci, Milan Daboviç, President i Senatit të SAI-t të Malit të Zi dhe Igor Soltes, Deputeti i Parlamentit Evropian. Një përshëndetje të shkurtër, por shumë domethënëse bëri dhe Ambasadori i SHBA në Shqipëri Aleksandër Arvizu, ku u ndal të tjera te roli i madh që ka auditimi për të ruajtur pasurinë e popullit nga mashtrimi, grabitja dhe shpërdorimi që i bën pushteti i korruptuar. Një auditim i aftë theksoi Arvizu, të çon nga ruajtjen e një demokracie të pastër dhe vetëfunksionuese. Në përshëndetjen e tij Profesor Anastas Angjeli, Anëtar i Akademisë  së Shkencave dhe Sekretar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, vuri në pah përgatitjen me nivel të lartë të konferencës dhe përfitimet që ajo merr nga eksperiencat e lektorëve të huaj. Në fund punimet e kësaj konference i përshëndeti Presidenti i Republikës të Shqipërisë Bujar Nishani,i cili analizoi gjatë dhe në detaje rolin e auditimit të kontrollit të Lartë të Shtetit, qysh nga fillimet demokratike e deri në ditët e sotme. Ajo, që ai nënvizoi dukshëm, ishte rritja e performancës të këtij institucioni të lartë të një rëndësie të veçantë për zhvillimet e shëndetshme demokratike në Shqipëri dhe që gjatë këtyre viteve të fundit ka bërë një hop cilësor në ushtrimin e kompetencave të tij legjitime. Presidenti Nishani falënderoi pjesëmarrësit e huaj për eksperiencën botërore që i sollën kësaj konference. Ai, vuri theksin te integriteti, kompetenca, transparenca dhe mirëqeverisja për ta çuar vendin në nivele të larta, kërkon vlerësimin e frymës akademike, të njerëzve të ditur profesionalisht. Një problem që e ceku fort ishte edhe partneriteti dhe fryma e bashkëpunimit midis institucioneve të kontrollit dhe organeve të drejtësisë. Shpërdorimi i parasë publike si të mos jetë pronë e askujt është përgjegjësi e qeverisjes. Ligji s’mund të jetë ideal, por auditimi duhet të pengojë devijimet. Presidenti Nishani, në mbyllje bëri një vlerësim maksimal për performancën e konferencës dhe rolin organizator të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Dr. Bujar Leskaj, që ka treguar jo vetëm një përkujdesje, por dhe një kulturë intelektuale për të realizuar një veprimtari dinjitoze. S’ka si të jetë ndryshe: Institucioni ka fytyrën e drejtuesit, familja të kryefamiljarit dhe shteti të kryetarit të qeverisë.