Prof. Asc. Sazan GURI/Berati, ky qytet i pashoq

690
Sigal

Berati, sikundër dritaret i rrinë një për mbi një, apo lagjet i rrinë sipër e më sipër (vëreni mangalemin me kalanë), vështron dhe ndjehet si qytet mbi qytetet. Është apo e bëjnë të tillë? Nëse është i takon apo ia japin kaq vlera? Nëse ka kaq vlera, a janë zbuluar të gjitha ato? Njëzëri do të thoshim, jo se jo. Sa janë transkriptuar germat, rreshtat apo shkrimet në lëkurën e kodikëve, aq do të mund të njihen ato. Sa të rrallë prezantohen kodikët e këtij qyteti në kulturën botërore, aq i rrallë është vetë ai në arkitektonikën dhe kulturën monumentale botërore. Ai është i rrallë për nga vjetërsia, sepse është një nga tre qytetet e botës, ku jeta, sikundër në Athinë e në San Hose, në bazë të çekanëve të gjetur, i nis në neolit, qysh me homo sapiensin modern mbas ciklit akullnajor të 12 mijë vjetëve më parë (iu kujtojmë reliket fosile të veglave të punës në shpellat e fshatit Vlush të Skraparit – nahije asokohe e kësaj treve). Ai është i rrallë për nga qytetërimi, sepse është një nga ato pak qytete të botës, ku kultura e organizuar qytetare i nis pothuajse në kohën e poliseve greke, qysh me ngjarjet pas Trojës së Homerit, fiks 2760 vjet më parë. Por, ai është i rrallë edhe për nga veçantia që ka. Çfarë? Që megjithëse, herë u rrit e herë u zvogëlua, herë u ndërtua e herë u shkrumbua, herë u ngrit dhe herë u rrëzua, herë u modifikua dhe herë u ndryshua, ai dhe njerëzit e tij ditën ta ruanin si parisianët-Parisin, si çekët-Kutna Horën, si Meksikanët-San Hosenë, megjithëse më tepër bufatorik se sa origjinal si Berati, ashtu të bardhë të bukur si vetë emri (Biellograg – Beligrad – Belgrad –Be(lg)rat).

Ndaj dhe jo rrallë ka ndodh, që në falënderimet për mirëseardhjen e një miku, ky qytet dhe ky popull, shpesh merr të njëjtën gjegje, se duhet të falënderohet mbi të gjitha Zoti, që ka bërë këtë vend kaq të bukur, madje, ka zgjedhur dhe njerëzit, që ta shijojnë atë. Pra, realisht Berati, ky vend, ku banesat karakteristike stisen në 15 rreshta, si një pallat gjigant në një vapor titan, ky kopsht i bashkëjetesës, ky vend i prerë për turizëm kulturor, me temperatura mesatare 6 gradë në muajin e ftohtë dhe 24 gradë në atë ngrohtë duhet të zbulohet, por më vjen keq, shprehen shumë syresh në botë, që nuk do të rrojmë sa të shohim ndryshimet në të. Pra, që Berati ka vlera nuk diskutohet, por se si t`i ruajmë dhe t`i kthejmë ato në të paçmuara, kjo do të jetë detyra e sotme e beratasve. A nuk përbën Baba Tomori, si djep i pellazgëve në kohën e mikenasve apo shtrat i Ilirëve në kohën e Antipatreas, atë vlerë të paçmuar në përmasa botërore, që me potencialin e shenjte të tij natyror, rendit si askund tjetër në botë, dokumentimin e shkëmbinjve miliona vjeçar gjeologjik, që me larmishmërinë e tij mjedisore kthen në magji, përsëri si askund tjetër në botë, një ekskursion turistik, sepse me besueshmërinë e tij të sprovuar, qysh në lashtësi si tempull i Dodonës, pret dhe përcjell si në askund vend tjetër në botë, besimtarë të të gjitha sekteve, sidomos bektashianët e të gjithë botës e kthejnë në njësh këtë vend, duke e zgjedhur si rezidencë të vet shpirtërore.  A nuk përbëjnë 40 kishat e kalasë dhe po aq të nën kalasë së Beratit, si dhe pothuaj 40 xhamitë e tij, me tiparin eukumenik të tyre, një vlerë tjetër të paçmuar me dimensione botërore, sepse me potencialin e shenjte shpirtëror të tyre, ato reflektojnë, si askund tjetër në botë, atë bashkëjetesë relixhioze, ku është e pamundur të mos gjesh elementë arkitektonik, mural, kulturor, shpirtëror të kristianizmit në kultet islamike, sikundër dhe elementë të myslimanizmit në monumentet kristiane. Me këtë tipar, Berati përbën atë rast tipik historik, po aq dhe unik, ku një piktor i sotëm ka çfarë pëlqen, ku një arkitekt i sotëm ka çfarë shëmbëllen dhe ku një besimtar i sotëm ka çfarë merr. A nuk përbën kalaja, kështjella ose fortesa e Beratit një vlerë tjetër të paçmuar me dimensione botërore, sepse me potencialin e shenjte fizik të saj, ajo përcjell, si askund tjetër në botë, atë qytetërim sa vetë jeta e një populli, ku si më e madhja, më e banueshmja dhe më e vjetra e tanë njerëzimit dhe rruzullit, ajo i kujton mbarë botës, se jeta vazhdon nëse e do dhe e respekton atë. A nuk përbën Lumi Osum një potencial tjetër të shenjtë jetësor për vendin, në kuptimin energjetik, në kuptimin agroteknik dhe në kuptimin estetik turistik, ndërkohë që kodrat dhe kodrinat e tij janë pak a shumë sa një Myzeqe, ku plantacione me fiq, plantacione me ullishte dhe ato me vreshtari kanë bërë dhe bëjnë lezetin e jetës. A nuk përbën Berati një veçanti mbi veçantitë, ku ai zotërohet nga një popull me origjinë nga një prej fiseve më fisnike të Shqipërisë, (atë të Dasaretëve), që si potencial i pashtershëm kanë bërë duk në jetën e vendit, duke e pajisur sofrën shqiptare me këngët qytetare, duke i dhuruar jabanxhinjve mikpritjen, miqve respektin, ekonomisë dhe kulturës së Ballkanit esnafët, dijetarët, filozofët. (Kujtoni mbiemrat e zejtarisë si hanxhari, teneqexhiu, etj., në sininë e tij.). Por, ai i ka dhuruar këtij kombi, pjesën më të ëmbël të karakterit të vet, siç është butësia, urtësia, edukata dhe drejtësia, aq sa katër shtyllat bazë të njerëzimit, të shprehura edhe në kodikët fetar si Sheriati, Terihati, Hakikati dhe Tarafi lidhen më mirë se kudo me shpirtin e këtij populli. Nga ana tjetër, nuk përbëjnë ngjarje për Beratin, ato të 1914 dhe 1997, që ngjajnë si dy pikëza uji, ku harbutëria u duk sikur “ngadhënjeu” mbi fisnikërinë mijëra vjeçare të popullit të tij, sepse nuk ka problem, që rrëzohesh disa sekonda në historinë tënde. Problemi është nëse je në gjendje të ngrihesh prapë?! Dhe Berati u ngrit prapë, madje jo vetëm, me shumë djem, aq sa djemtë e mbarë të tij, të shpërndarë në Amerikë, Itali, Tiranë e kudo janë më të vetëdijshëm se kurrë, se ky qytet, siç nuk u humb ndër shekuj, nuk ka pse të humb sot ndër vite. Ata janë më të qartë se kurrë, se aq sa tretet vaji i tij i ullirit, aq sa prishen fiqtë e thatë të tij aq është mundësia që ai (Berati) të tretet apo ata – djemtë e tij të humbasin.  Dhe Berati u ngrit prapë, madje jo vetëm, me shumë miq, aq sa sot e thërret dhe është duke e marrë nën kujdes vetë UNESCO-ja dhe kësaj radhe si asnjëherë tjetër, ku qytetarët e tij kuptojnë se UNESCO-ja është certifikatë për të hyrë në paradhomat e politikave dhe investimeve botërore dhe jo kuzhinë për t`u latyzhyer me yndyrë, ku populli i tij kupton, se i duhet të bashkëpunojë për të gjet mënyrat se si të zërë e të gatisë një pjatë peshk dhe jo për t`u ulur për një pjatë peshk.