Ergys Alushi/Na ishte njëherë Porti i Vlorës!

540
Sigal

Ka mbetur të themi “na ishte njëherë Porti i Vlorës”.

Realiteti është në kufijtë e një skandali të vërtet.
Në kufijtë e një absurditeti.
Gati -gati një bllokadë totale.
Të dyja kalatat e Portit të Vlorës, prej ditësh qëndrojnë bosh.
Asnjë anije, asnjë traget, asnjë tregtar, asnjë kontenier, asnjë e ardhur në doganë.
Tregtarët janë larguar nga Vlora dhe punojnë me Portin e Durrësit, ndërkohë që, edhe mallin që sjellin nga Durrësi e magazinojnë në Fier dhe më pas e tregtojnë në Vlorë.
Në Doganën e Vlorës dhe në port, ngrenë supet përballë një situate të tillë.
Nga ana tjetër tregtarët e Vlorës, të cilat janë larguar, kush më parë e kush më vonë nga Porti i Vlorës, fajësojnë politikat që ndiqen në doganën dhe Portin e Vlorës, të cilat janë trajtuar më tepër si poste e vende pune për të kënaqur tekat e partive në maxhorancë qeverisëse sesa për trajtimin e tregtarëve e mbledhjen e të ardhurave.
Kalatat bosh shihen me sy të lirë nga të gjithë qytetarët e Vlorës, të cilët shprehin habi dhe njëkohësisht indinjatë për këtë situatë të krijuar.
Sipas informacioneve nga autoritetet portuale, në 1 muaj përpunohen një deri në 2 anije, shifër kjo e papërfillshme dhe e pakrahasueshme me vite më parë.
Askush nuk jep një shpresë për të rikthyer në Vlorë tregtarët e larguar, të cilat janë larguar edhe për shkak të masave të rrepta ndëshkimore që përdorin grupet e Task- Forcës që vijnë nga Tirana, që sipas tregtarëve janë masa të pambështetura në ligj dhe kanë për qëllim të mërzisin tregtarët e t’i largojnë ata nga Porti i Vlorës.
Qytetarët e Vlorës, të majtë e të djathtë, ndihen të izoluar si nga Levani ashtu dhe nga deti, ndihen të rrethuar, të izoluar.