Prof. Dr. Ago Nezha/ Dukati do të fluturoj pa krahë

675
Sigal

Dukati në të gjitha kohërat dhe etapat e ndryshimeve dhe kthesave rrënjësore të vendit i ka dhënë historisë kontribute të çmuara, por asnjë herë nuk është vlerësuar e shpërblyer për investimet patriotike, atdhetare apo intelektuale. Dukat, Tragjas dhe Radhimë, është një zonë homogjene që tradicionalisht ka funksionuar si një organizëm i vetëm sipas emërtimeve të kohës: Lokalitet, Komunë apo Bashki. Një njësi organizative që të mirë funksionojë dhe të zhvillohet me ritme të shpejta, duhet të ketë të harmonizuar faktorët ekologjik, ekonomik dhe shpirtëror. Kjo zonë ka ndryshime të dukshme gjeografike, orografike, karakteriale,  botëkuptimore dhe tradicionale që e bën të dallohet për veçoritë e saj jo vetëm në sytë e vendasve por edhe të huajve. Në shënime udhëtimi të kronikanëve të huaj kanë qenë aq shumë të shprehura  cilësitë, virtytet dhe karakteristikat e kësaj zone sa që s’i kanë shpëtuar dot syrit të tyre për ti evidentuar dhe stigmatizuar si njësi të veçanta që dallojnë nga banorët e trevës së Vlorës. Më së miri këto dallime bien në sy te autori Evlia Çelebi, në librin e tij “SHQIPËRIA  350 VJET MË PARË”,(f.71-72) te sythi ku përshkruan Vlorën, ndalet jo pak te Ishulli i Sazanit dhe gadishulli i Karaburunit, duke cilësuar disa karakteristika dalluese të Dukatit. Duke e cituar në ligjëratë të drejtë, ai shkruan se :” Ndërmjet perëndimit e jugut( është fjala të Sazanit dhe Karaburunit, shënim i autorit) ndodhet krahina Shqiptare e Dukatit, me 100 katunde të pashtruar e të pabindur. Banorët e kësaj krahine janë kokëzinj e me shapka, port ë vrasin në se i quan të krishterë, megjithëse i kanë ndihmuar të krishterët e Gjiritit. Janë ndër burrat më trima të kombit Shqiptar. Por dhe populli Vlonjat nuk mbetet pas tyre për trimëri”. Këto rreshta që citova më lart po ti analizosh në kontekstin e vlerësimit të autorit flasin shumë qartë për dallueshmërinë e zonës së Dukatit në të gjitha aspektet morale, botëkuptimore dhe shoqërore. Duke nënvizuar dy rreshtat e fundit të autorit i cili thotë se: “…Janë ndër burrat më trima të kombit Shqiptar. Por dhe populli Vlonjat nuk mbetet pas tyre për trimëri”, tregon për ndryshimet esenciale që ka mes këtyre dy komuniteteve. Tre qytetet që kanë ekzistuar në krahinën e Dukatit, Orikusi, Kanali dhe Erikoi, janë me moshë më të lashtë se Vlora. Ka edhe një gojëdhënë të hershme se po të prishet Vlora e bën Dukati, ndërsa po të prishet Dukati se bën dot Vlora. Pasuritë e mëdha tokësore, ujore, turistike, me një klimë mesdhetare dhe kontinentale, ku brenda këtij oazi rritet portokalli dhe limoni buzë detit Adriatik dhe Jon dhe pisha, bredhi e gështenja majë malit në Llogora. Duke e parë dhe perspektivën që ka krahina e Dukatit, me resurse të pa shfrytëzuara natyrore, të shkon ndërmend, pse të kthehet Dukati prapa, kur mund eci Vlora përpara. Mund të duket pak alegorike, por me sjelljen e pushtetit të sotëm të stuhishëm nga gjykimet adoleshente, po përjetojmë plot komedi dhe eksperimente që një ditë jo të largët do ta japin efektin e tyre të papjekurisë. Me Dukatin, është luajtur në të gjitha pushtetet dhe kjo mund të jetë dhe një abuzim me ndershmërinë, burrërinë si dhe sjellje liberale të komunitetit të krahinës që nuk ka ditur të zgjedhë përfaqësuesit e saj liderë për të sfiduar aventurat pushtetore. Dukatasit le të bëjnë një retrospektivë, duke i bërë një apel vetes që në të gjitha sistemet dhe etapat e zhvillimit të shoqërisë, përfaqësuesit e mbrojtjes së interesave të tyre si kanë pasur krahinor. Në 50 vjet që lamë pas dhe në këto 23 vjet që po zhgarravitemi në arenën e “demokracisë”, nuk kemi pasur asnjë përfaqësues të legjislativit apo ekzekutivit në sferat e larta shtetërore. Ata që duhet të mbrojnë interesat e zonës, historikisht kanë zbritur nga lumi i Vlorës dhe lumi e ka marrë dhe do ta mbysë një ditë krahinën e Dukatit. Kjo krahinë me tre fshatra solid, me integritet shekullor, me shumë bij dhe bija që kanë bërë histori për kombin në të gjitha fushat, po e nëpërkëmbin këtë komunitet, për ta lënë një ditë pa identitet përfaqësimi. Është bërë modë që ne përgjegjësitë ti kërkojmë te të tjerët pa parë në sy gabimet tona. Duke përfytyruar gjithë momentet kruciale që ka kaluar vendi dhe si janë përcjellë ato në krahinën e Dukatit, më vjen ndërmend thënia gjeniale e Konicës, se :”Shqiptarët kanë shumë armiq, por armiqtë më të mëdhenj të Shqiptarëve janë vetë Shqiptarët”. Për analogji, do thosha se dhe dukatasit kanë shumë kundërshtarë, por kundërshtarët më të mëdhenj i kanë ndërveti. Unë jam i revoltuar dhe mund ta kem tepruar, por për një gjë jam i bindur se nuk kam gabuar. Kur sjell ndërmend që një fshat të Tepelenës, Salarinë me 100 shtëpi dhe arriti të nxjerrë deri në 5 deputetë në Parlamentin Shqiptar, që i përgëzoj për performancën intelektuale dhe largpamësinë. Por njëherazi shpreh keqardhjen që një krahinë si Dukati, s’ka mundur dot të prodhojë jo një grup deputetësh, por asnjë të vetëm se është mësuar ti importojë nga jashtë. Ndaj e uroj zoti të dhashtë: Çfarë do thotë ndokush?,  mënd për tu korrigjuar. Komuniteti i Dukatit kur ndodhet para të papriturave të kohës, i drejtohet një grupi intelektualëve Dukatas që kanë ndjeshmëri dhe mirë bëjnë. Por ata harrojnë që këta intelektual kanë vetëm fjalën, por s’kanë fuqi vepruese. Kështu ndodhi edhe me rastin e denoncimit të reformës territorial te Ministri Çuçi që me të drejtë e cilësonte Lavdosh Ferruni, si një arkivim të problemit po jo zgjidhje të tij. Po të ishte një grup deputetësh dukatas që ju dhimbset krahina, do ishte një zë që mund të shkaktonte dhe tërmet e të korrigjohej gabimi siç ndodhi me Konispolin se loboi grupi i deputetëve çam. Jo se ata patën forcë më të madhe intelektuale se profesor Birçe Hasko, Hasan Halili apo Lavdosh Ferruni dhe unë, por kishin një fuqi “kozmike”, forcën e kartonit në parlament. Krahinës së Dukatit, historikisht i janë bërë shumë padrejtësi që ndiej dhimbje dhe revolt si shumë intelektual të tjerë dukatas, por asgjë s’është korrigjuar. I janë mohuar pronat, kufijtë detar e tokësor, është izoluar në shtëpinë e vet dhe në parlament kurrkush nuk flet. Unë kam shkruar shpesh për persekucionet dhe privacionet e komunitetit çam. Por, ne jemi të dëbuar nga pronat tona nga Llogorai në Karaburun dhe odiseja e premtimeve dhe gënjeshtrave s’ka të mbaruar qëllimisht për ti harruar. Edhe kjo strukturë e re e Bashkisë e çon ujin në këtë hulli për të bërë gjullurdi. Pazaret politike kanë prapavijë strategjike. Subjekte të ndryshme politike, kanë kohën e tyre historike dhe janë njerëz me identitet të veçantë që një ditë do kujtohen si individë, por do harrohen për veprimet e tyre të mbara apo të mbrapshta në emër të pushtetit që kanë ushtruar. Dukatasve ju është mohuar identiteti duke ju mohuar pronat. Prona private përkon me dashurinë e individit për veten e vetë, pasi i garanton njeriut pavarësinë, lirinë e zotërimit dhe autonominë, duke siguruar kështu në lidhje të ngushtë me dinjitetin dhe me të drejtat e tjera të personit njerëzor. Pushteti i pushtimit të provave në këto 23 vjet të ashtuquajtur demokraci, ka bërë eksperimente mbi pabarazinë jo vetëm të individëve por edhe të krahinave siç është edhe rasti i Dukatit. Pushteti me reformën e fundit duke prishur dhe bashkinë e ka fituar autonominë dhe e ka siguruar skllavërinë e kësaj krahine në tërë hapësirat e saj gjeografike, det-mal dhe fushë. Në një demokraci liberale funksionale parimet e ekzistencës së saj janë bazuar në respektin dhe dinjitetin e njeriut dhe njohjen e lirisë personale të tij që ta jep e drejta e zotërimit të pronës trashëgimore. Në një vend si Shqipëria, ku shteti bëhet pronar dhe nëpërkëmb liritë dhe të drejtat e individit, nuk flitet më për demokraci, por për një diktaturë që është mbuluar me vellon e demokracisë. Në Shqipëri shteti e ka humbur përfundimisht rolin si tutor supreme i të mirës së përbashkët dhe ka fituar atribute të një force diktuese dhe detyruese jashtë vullnetit të individit të lirë.