Polimer Çeçi/ Litari i Nastradini dhe kompensimi i pronave pronarve të ligjshëm

62
Gjitoni i Nastradinit shkon në shtëpinë e këtij të fundit, për ti kërkuar një litar, mbasi kishte vendosur që atë ditë të bënte dru në pyll. Ishte i detyruar të shkonte, mbasi nuk kishte rrugë tjetër për zgjidhjen e problemit. Mbasi gjitonii i parashtroi kërkesë, Nastradini i përgjigjet se, do t’ja jepte me kënaqësi litarin për të zgjidhur hallin që kishte, por i duhej për momentin për të nderë (hap) miellin në litar. Kuptohet, gjitoni u largua pa mbaruar hall. Por, a nderet mielli në litar??. Normalisht që jo por, Nastradini nuk donte t’ja jepte litarin. Pra, argumenti i Nastradinit ishte një absurditet. Ky është mesazhi i projekt/ ligjit të paraqitur nga qeveria për miratim në Parlament për kthimin dhe kompensimin e pronave pronarëve të ligjshëm. Nuk kanë dashur dhe nuk duan të kthejnë e të kompensojnë aty ku është e detyrueshme, pronën e trashëguar e të marrë në mënyrë të padrejtë nga sistemi që lamë pas, duke e futur vendin në një kolaps të madh. Një projekt/ligj skandaloz e absurd, është etiketuar nga opinion publik në përgjithësi e i pronarëve në veçanti, është sa i pa përgjegjshëm, aq dhe anti ligjor e anti kushtetues. Në kundërshtim të hapur me të gjitha konventat ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut. 
Çuditet mileti kur lexon këto ligje, mbasi çdo njeri me pak kulture juridike mbi te drejtat, pyet normalisht : ku gjenden këta jurist që sajojnë këto ligje, ku gjenden këto mëndje të “ndritura” që e futën Shqipërinë në këtë fare feje përgjatë 25- vite demokracie? Pretendohet se me miratimin e këtij ligji, do të marrë fund kalvari i procesit të kompensimit të pronave, përkundrazi, këtu do të fillojë lufta juridike, ndërsa kthimi fizik i tyre nuk artikulohet fare, përse? Në vitin 1945, sipas dokumenteve kadastrale e hipotekore, në Shqipëri administroheshin gjithsej 350 mijë ha tokë. Në fund të vitit 1990, kjo shifër arriti në 700 mijë ha tokë, pra, sipërfaqja e tokës u dyfishua. Përse nuk kthehet toka e trashëguar, për cilat interesa nuk kthehen ??… 
Dhe Kryeministri ngre zërin para opinionit publik se në AKKP, janë depozituar aq kërkesa, sa dy a tri herë sipërfaqja e Shqipërisë….., dhe mund të jetë kështu, por kujt ja thotë Kryeministri këtë, popullit apo pronarëve, të cilët janë shtresa më e kulturuar e kësaj shoqërie që janë dënuar e persekutuar e gjatë kësaj periudhe, janë dergjur në institucionet shtetërore për të drejtat e tyre e pa ta shohim akoma ku do vemi në 10 vitet e ardhshme që parashikon p/ligji ? Në raste se ka gjera që nuk qëndrojnë, janë qeveritë që i kanë stimuluar këto fenomene, me ligje dhe me qëndrimet e tyre. Të gjitha mekanizmat ligjore, kanë gurin dhe arrën në dorë, ti verifikojnë e të marrin vendimet përkatëse. Ka vite që në sirtarët e Komunës Lukove, Prefekturës e Qarkut Vlorë, Komisionit Qeveritar të Tokës, Kontrollit të Lartët te Shtetit dhe Këshillit të Ministrave, materiale e analiza që vërtetojnë abuzime me miliona EURO dëm ekonomik nga vjedhjet e bëra në tokat në bregdetin e jugut, si rezultat i moszbatimit të ligjit. Fjala është për qindra ha tokë. Sipas Kushtetutës, e cila është bërë si një zhele, kur duhet të jetë e shenjtë, njohja e pronësisë njihet me trashëgimi, dhurim dhe nëpërmjet transaksioneve (shitblerjes), të tjera zgjidhje nuk duhej të ishin lejuar. Në fakt, është detyra funksionale e institucioneve cituar më lart në zbatim të ligjit 9948/2008 të ndryshuar “ Për verifikimin e Titujve të Pronësisë”. Pretendohet se në projekt/ligj, pronarët do të kompensohen me lekë, duke planifikuar për çdo vit miliona dollarë në buxhetin e shtetit. Kjo do të ishte e pranueshme vetëm për rastet kur toka është shpronësuar për interesa publike dhe e zënë në kuptim të ligjit, por është një marrëzi që kompensimi të bëhet në lekë për rastet kur tokat janë të lira, pa probleme ligjore si ç’është zona e bregdetit të jugut. Përse duhet që populli dhe taksapaguesit shqiptar duhet të paguajnë ato që nuk duhet te paguhen, në një kohë kur pantallonat na kanë shkuar në fund të këmbëve. Është bërë një faj i madh për të mos thënë një krim ekonomik nga qeveritë gjatë 25-vjetëve, lidhur me vlerësimet për shpronësimet për nevojat publike në infrastrukturë etj. Në qoftë se do të bëhet shumatorja e të gjithë vendimeve të Këshilli të Ministrave për shpronësimet, do te shikojmë se kjo shumë ka arritur në rreth 700-800 milion dollarë, në një kohë kur gjendja juridike e tokës ishte shtet. 
Tani po kalohet në një faj të dytë, në një krim të dytë të qeverisë, ku fatura që do të paguajnë qytetarët shqiptar për kompensimin e pronarëve do te jetë 1.2 miliard euro, raportuar kjo nga qeveria në Këshillin e Evropës. Kjo tregon se Shqipëria nuk qeveriset, por zhvillohet në rënie të lirë, kur dihen mirë pasojat. Në këto kushte, politika, media, analistët dhe populli hesht. Populli ka shumë halle, fukarallëk, papunësi saqë kërkon azil politik në Evropë. Si ka mundësi që të kërkohet azil politik nga një vend demokratik që aspiron Evropën? Në ligj, nuk i është dhënë zgjidhje zonës turistike bregdetare, për kushtet dhe specifikat që ka kjo zonë. Ullishte, pemishtet e tarracat e kësaj zone janë shekullore, të krijuara e të blera me franga ari. Në këto kushte nuk mund të luhet me të. Banorët e bregdeti kanë kërkuar e vazhdojnë të kërkojnë kthim të pronës metër për metër për të mos ju future llogarisë pula-vezën e veza-pulën për 70 vjet të shpronësimit të saj ( 1945-2015 ). Bregdetarët nuk pranojnë ca formula e skema dal boje, me harta e çmime që nuk kanë lidhje me realitetin e zonës e që ndërrohen sipas oreksit të pushtetarëve, mbasi nuk do të dal për hajër. Sipas projekt/ligjit, pretendohet që kthimi fizik, për tokat disponibel të evidentuara të bëhet me ankande. Dhe kjo një marrëzi tjetër e ligjit. 
Akoma do rropatet ky milet nëpër institucione, kur problem është shumë i thjeshtë: më ke marrë padrejtësisht 1000 m2, më kthe 1000 m2, në vendin e origjinës, me atë zë kadastral, me vlerën reale të pronës së shpronësuar në momentin kur prona kthehet. Të gjitha këto që u cituan më lart e të tjera si këto, behën për të kuptuar e dal te esenca e titullit te këtij shkrimi. Ministria e Drejtësisë, AKKP, me specialistet e së drejtës, në prani të grupeve të interes, duhet ta rishikojnë draftin e paraqitur, duke ndërhyrë esencialisht në të, mbasi konstatohet se cilësia e ligjit ekzistues është hartuar me mirë se drafti i paraqitur, i cili do të krijojë një spirale që nuk do ti dal fundi, në të kundërt problemi do të shkoje në organizmat ndërkombëtarë, ku me siguri do të ketë një fundosje financiare të shtetit, për 9300 kërkesa të depozituara në AKKP, të cilën nuk e dëshirojmë. Dhe populli voton….. ne votojmë….. mirë na i bëjnë…. Sipas kokës dhe festën !