Një histori me dhe pa merita

640
Nga Vangjush Saro
Për të krijuar zhurma gjithfarë dhe për ta zhytur vendin dhe njerëzit në mjegull, po përdoren prej kohësh: buja, dukja, shtirja, tjetërsimi. Për këto dukuri a detaje, kujdesen Uriahip-ët e Shqipërisë dhe të trevave të tjera shqiptare. Çfarë janë këto qenie? Natyrisht, diçka e ngjashme me personazhin e njohur të Ç. Dikensit te “David Koperfild”. Simbole të ligësisë dhe të sherrit, të hipokrizisë dhe të vrerit; shkoi edhe në rimë. Drejtuesit kryesorë të opozitës, kanë “nderuar” këto ditë ish-kolegun e tyre Azem Hajdari, të cilin, në kohën e “duhur” e shanë (në konferenca dhe në gazetën e tyre) e përgojuan, e quajtën sigurims, të shitur, e hodhën në rrugë… Por ja tek kthehen herë pas here Uriahip-ët, për të lëpirë atë që kanë pështyrë. Është një ndër shumë gjeste, për të cilat shqiptarët nuk gjejnë asnjëherë përgjigje. Thelbi i këtij shënimi, ka të bëjë me përmbajtjen e gjithfarë emocioneve, me mbivlerësimin e “sukseseve të përkohshme”, të përfitimeve të përkohshme, ka të bëjë me qasjen në zgjedhje ekzotike; të gjitha këto, janë shprehje të një gjendjeje të vështirë e të një sëmundjeje të vështirë. Ndoshta asnjëherë nuk kemi për ta kuptuar përse njerëzit, politikanët më së pari, bëhen këso palaçosh. Po ndalem në disa episode. Dëgjoj dikë që ka punuar në ish-ATSH të shkruajë dhe të ankohet që ata të “Zëri i Popullit” “se si na shikonin ne të ATSH-së”… Pra, hajde të shikojmë edhe ne, se mos, kushedi, ka ndopak disidencë këtu te ish-Agjencia Shtetërore e Lajmeve; a thua nuk ishin të gjitha zëdhënëse të kohës e të PPSH-së. Sot lexoj (realisht, bëj sikur lexoj) zotërinj që kanë shërbyer në gazetat kryesore të kohës, të PPSH-së, por tani bëjnë çmos të na shiten si antikomunistë. Disa të tjerë, siç është bërë e njohur, i ka zënë meraku me letërsinë dhe artin e asaj kohe, duke e ditur fort mirë që një pjesë e madhe, doemos, ishte tejet e ngarkuar me ideologji, sikundër ka vlera që përcjellin edhe probleme e dukuri të atyre dekadave, madje me një nivel që shumëkush nga ata që merren sot me letërsi dhe art, duhej t’ua kishin zili. (Siç është vënë në dukje edhe në shënime të tjera, kishte periudha, sidomos në fillim të viteve ‘80 e këtej, që censura vinte në mjediset artistike mjaft e dobësuar.) Mendoj që teprimi, në këto dhe në të tjera raste, prodhon ligësi. Një shkrues pothuaj i paafirmuar, anipse i shtyrë në moshë, për të cilin, nuk e di pse, asnjëherë nuk pata ndonjë lloj nderimi, botoi diçka për Musine Kokalarin. Me sa dukej, shkrimi kishte gjëra që stononin, përveçse autori kishte rënë në patetizëm dhe ishte shtirur më i prekur se ç’duhej, pasi një mbesë e protagonistes, reagoi në shtyp me një replikë, duke kërkuar të mos abuzohej me fakte të qena e të paqena nga jeta e Musinesë, si dhe duke bërë thirrje për të shkruar të vërtetat e për ta trajtuar me seriozitet dhe dinjitet figurën e saj. Me shumë të drejtë. Nuk ka rast më unikal, për të treguar se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh me këto tema të vështira dhe me këto raporte, që tashmë duhen trajtuar e venduar nga institucione serioze, jo nga kushdo, jo spontanisht, jo për interesa që s’kanë të bëjnë fare me protagonistin a protagonisten në fjalë. Interpretimi i dukurive, përfshi ato të së shkuarës, dhe trajtimi i figurave disidente apo qoftë edhe i atyre që diktatura (le të themi edhe tranzicioni) i vuri përpara rastësisht, duhet të jenë objekt i një studimi të drejtë e të qartë, pa interpretime të sëmura dhe pa kulisa censorësh të kohës sonë. Mendoj se orientimi drejt interesave klanore, partiake, ndonjëherë vetjake, është një dukuri që vazhdon ta dëmtojë rëndë shoqërinë shqiptare. Në këto e sipër, ashtu siç bën e “djathta”, bën edhe e “majta”; vazhdojnë nderimet e dekorimet edhe për ish-drejtues të lartë të shtetit komunist, duke vlerësuar, bie fjala, kontributet e tyre në fusha të ndryshme; dëgjova këto për dikë, në… diplomaci. Por në cilën diplomaci? Në atë që e izoloi vendin? Në atë që thjesht mbronte Kinën Popullore? Në atë që pas “tradhtisë së Kinës Popullore”, i vetmi vend ku “ndërtohej me sukses socializmi” ishim ne? Siç shihet, patetizmi, për të cilin kam shkruar edhe më parë, nuk shërohet me lehtësi. Madje herë pas here, merr për më keq, shkon drejt hipokrizisë. (Por do të ishte me të vërtetë një nderim i merituar ai për Fahrudin Hoxhën, nëse bëhet fjalë që… të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Mendoj, vlerat vijnë në atë se çfarë i lë një vendi a një populli.) Në kundërshtim me prirjen “për t’i dhënë Çezarit atë që i takon”, çdo ditë, na kujton ose na sjell para sysh gjeste e prapësi që pothuaj nuk i shpjegojmë dot. Më ka habitur konkluzioni i mëposhtëm, për Uriahip-ët e Shqipërisë: “Nëse arrihet kënaqësia individuale apo përfitohet personalisht, nuk merret në konsideratë përdorimi i sistemeve që i shërbejnë gjithë komunitetit.” (Hotzendorf. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Austro-Hungarisë gjatë Luftës së Parë Botërore.) Sa më parë të çlirohemi nga kjo mendësi, nga këto lëngime, aq më herët do të kemi vullnetin ta hedhim vështrimin, në radhë të parë, në atë që bashkon përvojat dhe vlerat më bindëse, për të jetuar një tjetër kohë, për t’iu përkushtuar asaj çfarë duam të ndërtojmë tani, duke përballuar hallet e panumërta që ka vendi. 
Sigal