Xheladin ÇELMETA/NATO, e painformuar për gjendjen e ish-ushtarakëve shqiptarë

573
Sigal

Sipas burimeve konfidenciale nga Shtabi i Përgjithshëm i FA shqiptare, numri i përgjithshëm i ushtarakëve aktivë, së afërmi do të reduktohet në 8 mijë e 500 veta; nga 12 mijë, që ka qenë parashikuar të qëndronte, të paktën deri në kohën kur ministër ishte Fatmir Mediu. Duke parë ritmikën e shkurtimeve, duket se gjithçka përkon saktësisht me listat e herë pas hershme, që publikon ministria e Mbrojtjes në media, për “daljet me reformë”. Klisheja që justifikon këto lirime të ushtarakëve, tashmë dihet: “Sipas kritereve ligjore strikte”, “referuar moshës dhe kohës së qëndrimit në gradë”, etj., etj.. Në gjithë këtë situatë lirimesh e daljesh në rezervë “me reformë”, zakonisht ka pasur reagime të pakta nga ushtarakët, “për padrejtësi të ndryshme”, për të cilat, ata edhe i janë drejtuar gjykatës. Ndërsa pjesa më e madhe e tyre, zakonisht i kanë qëndruar besnik gjykimit të kahershëm, se “reforma është një domosdoshmëri”, një qëndrim i shprehur ky, qëkur nisën transformimet demokratike në Ushtri në vitet ‘91-’92. E vetmja pikë “e panegociueshme” e ushtarakëve ka qenë dhe mbetet trajtimi financiar i tyre pas daljes nga ushtria. Tashmë, kemi një histori gati 23 vjeçare të “ndeshjes” së ushtarakëve në rezervë e lirim, me pushtetin, lidhur pikërisht me trajtimin qesharak financiar. Kjo është e vërteta. Po le ta diskutojmë këtë problem, nisur nga një tjetër këndvështrim: A është e mirinformuar NATO (në të cilën prej 4 vitesh jemi të anëtarësuar) për fatin e mëtejshëm të ushtarakëve shqiptarë pasi ata dalin nga “radhët e blerta”? Ditët e fundit jam interesuar për të gjetur qoftë edhe një material të vetëm, ku të jepej informacion për atë se çfarë raportojnë grupet e ekspertëve tanë ushtarakë në NATO, qoftë në Bruksel, qoftë edhe në komandën euroatlantike me qendër në Napoli të Italisë, apo edhe në vetë zyrën e NATO-s këtu në Tiranë. Klikova gjatë në internet për të zbuluar diçka rreth këtyre raporteve. Gjithashtu shfletova në Bibliotekën Kombëtare organet e shtypit ushtarak, gazetën “Ushtria” dhe Revistën “Mbrojtja”. Herë pas here gjeje aty shkrime për reformën, mbi reduktimet e forcave e shërbimeve në FA, por asnjë prej tyre nuk thotë gjë se çfarë ndodh me ushtarakët që “bëhen dalje” përmes listave, sikur të ishin… mallra magazine. Diskutohet për strategji mbrojtjeje e sigurie në kuadrin e NATO-s, por asnjë gjeneral efektiv, që është sot në hierarkinë më të lartë të Ushtrisë shqiptare, nuk merr guximin të raportojë në NATO, se ç’e ardhme i pret më tej këta qindra ushtarakë, kryefamiljarë me një barrë me halle në kurriz. Asnjë nuk merr iniciativën të raportojë në NATO, se çfarë skëterre sociale i pret ata, kur sapo kapërcejnë post-bllokun e njësisë apo repartit, për të mos u kthyer më kurrë aty. Askush nga titullarët në dikasterin e Mbrojtjes, nuk denjon ta marrë më në konsideratë këtë kategori të veçantë njerëzore, që menjëherë “pagëzohet” me termin “ish-ushtarak”, sapo iu shkruhet emri në listat e “daljes me reformë”. Askush nuk guxon të raportojë në NATO, se pikërisht këta ushtarakë, që deri dje shërbyen “aty ku e deshi Atdheu”, sapo dalin në rezervë a lirim, nisin të trajtohen vetëm me nga 150 -180 mijë lekë (të vjetra) në muaj, për të mbajtur familjen; e gjitha kjo, baras me 130 euro(!!). Pra, 130 euro për të mbajtur familjen, shkolluar fëmijët, ushqyer, etj.,  përgjatë 30 ditëve të muajit… Asnjë nga ekspertët tanë ushtarakë në NATO, nuk flasin fare për aktin normativ me te cilin trajtohen këta ish-ushtarakët. Ndoshta, të trembur se mos përfliten politikisht nëse komentojnë në instancat eprore të Aleancës Euro-Atlantike gjendjen ekonomike të mjeruar të ushtarakëve në rezervë e lirim, gjeneralët tanë fshehin kështu realitetin dhe tregojnë vetëm fasadën e reformës. Gjeneralët tanë, që në grupe pune me ata të NATO-s, bëjnë studime e refleksione për ecurinë e reformës në FA shqiptare, duhet të kenë iniciativën për të propozuar rrugën e zgjidhjes së këtij ngërçi ligjor. Ka në ministrinë e Mbrojtjes një sektor që quhet “Sektori i Përkujdesjes Sociale” ndaj ushtarakëve. Kurrë nuk e kam kuptuar, dhe ende nuk e kuptoj, se për çfarë duhet kjo degë a nëndrejtori, kur dihet se ajo nuk zgjidh asgjë. Kam kërkuar disa herë takime me njerëz të këtij sektori dhe kam marrë vetëm një… “përgjigje, pa përgjigje”.  Sjellja ndaj ushtarakëve tanë në rezervë, ka vetëm një emër: Indiferencë totale. Ata më shumë konsiderohen si… “mbetje teknologjike” të një makinerie, se sa si resurse të çmuara njerëzore, sikurse janë në fakt. Krejt e ndryshme është përvoja lidhur me trajtimin e ish-ushtarakëve e veteranëve të luftës në ShBA, Britaninë e Madhe, e gjetkë. Në ligjërimet e tyre ka rrëfime brilante për misionet në luftën e Gjirit, në Irak, Afganistan, etj. Akoma dhe më brilante do të ishin rrëfimet e paqeruajtësve tanë të mrekullueshëm të dalë në rezervë, po të ishin thirrur herë pas here në reparte e për të dhënë  eksperiencën e tyre të jashtëzakonshme nëpër misione lufte jashtë vendit.