Morali dhe premtimet e një qeverie të re

622
Bardhyl BERBERI 
Parametrat dhe institucionet ende të pa reformuara me reforma gjysmake vënë në dyshim vlerat e demokracisë
Është e vështirë të bëhesh dy herë nuse dhe të nusërosh, thotë populli në Mokër dhe kjo mundësi iu dha Ramës, që të nusërojë për së dyti dhe të krijojë një qeveri të re edhe për katër vjet. Tepsia është vetëm pa futur dorën askush, kryeministri thotë, e kam dërguar për skrap, ashtu qoftë! Po shpendët grabitqarë që kanë uzurpuar postet me diplomë e pa diplomë vetëm me një teserë partie a do të jetë në gjendje t`i shkulë këta harpallëkë të rrezikshëm gjithë infeksion që kanë uzurpuar shtetin! Tranzicioni tek ne po kalon një udhë të vështirë drejt konsolidimit të demokracisë dhe stabilitetit të institucioneve në kuptimin e plotë të fjalës. Një forcë politike, kur vjen në pushtet me një thes me premtimesh, por rezulton me një sistem jo funksional të vlerave demokratike. Në këtë sistem shtetëror,vlerat demokratike nuk arritën të depërtojnë në mënyrë efikase në mekanizmat juridike. Duke krahasuar sistemin aktual në vend, sistemi i vlerave demokratike mbeti prej kohësh jo efikas dhe i pa konsoliduar në thelb. Veçoritë kryesore të një sistemi me vlera demokratike që depërtojnë në mekanizma juridike, por realisht shteti i së drejtës rezulton të ketë plot mangësi .Priten frytet e reformës në drejtësi. Shqipëria pretendon të ndërtojë një shtet të së drejtës nëpërmjet reformës në drejtësi dhe dekriminalizimit. Parametrat dhe institucionet ende të pa reformuara me reforma gjysmake vënë në dyshim vlerat e demokracisë. Tek ne ngec sundimi i së drejtës, ka mangësi të vazhdueshme në reformat e gjykatave. Fatkeqësisht, në vend kemi një drejtësi të dirigjuar, dhe gjykata selektive. Në shumë akt-vendime të gjykatave i kemi kuptuar se kanë qenë selektive dhe me ndikime politike. Si ka mundësi që dosja e 21 janarit ngelet e pluhurosur nga një gjykatë tek tjetra?! Ku është morali i një shteti të së drejtës, kur qytetarët e tij të pafajshëm vriten në mes të bulevardit sikur të jenë… Konkretisht kemi dëgjuar për gjykime skandaloze, kur një kriminel apo një zyrtar i korruptuar për shuma marramendëse, jo vetëm nuk arrestohet, por gradohet në poste më ta larta. Gjykatat tek ne shpeshherë kanë qenë selektive dhe kanë dhënë vendime politike në dëm të qytetarit. Le të ndalemi tek tragjedia e Gërdecit, e cila kaloi nëpër seancat e gjyqit si fishekzjarr pa djegur askënd. Rikujtojmë rastet e montuara për grabitje pronash nëpërmjet këtyre gjyqtarëve! Qeveritë demokratike në këto 26 vjet demokraci nuk ndërtuan dot një moral, ku opozita dhe shoqëria civile të ushtrojë një veprimtari normale denoncuese si opozitë politike. Në çdo vend demokratik opozita cilësohet si korrektor i pushtetit, pasi opozita në Teorinë të së drejtës, nënkuptohet se është elementi thelbësor i shtetit demokratik në shoqëri. Opozitën duhet të jetë korrektor i pushtetit, jo të gjuajë më vezë dhe domate dhe të bëhet qesharake, ajo duhet të jetë konstruktive të miratojë ligje që do t`i duhen edhe asaj nesër kur të vijë në pushtet e jo t`u veri shkopinj rrotave. Si rrjedhojë institucionet kanë humbur së qeni të konsoliduar dhe efikas në përmbushjen e standardeve evropiane! Si pasojë e kësaj Shqipëria mbetet vendi që nuk i ka përmbushur standardet e duhura të demokracisë për të hyrë në BE, ajo ecën me hapin e breshkës, ndërkohë që duhet të angazhohet në bashkërenditjen e politikave me opozitën dhe shoqërinë civile për ta nxjerrë vendin nga kolapsi që e ka mbërthyer. Nëse flasim për moralin në politikë, atëherë duhet të kuptojmë integritetin e politikanit në shoqëri. Shpeshherë në vendet me demokraci të brishta kemi parë moralin të përdoret si hapësirë për të treguar ambiciet dhe vullnetin e politikanëve që i bien orkestrës sipas avazit të tyre, kuturu. Sot është mjaft e vështirë të besosh në politikë dhe në moralin e saj, pasi arsyeja kolektive për të menaxhuar institucionet është kthyer në betejë për interesin vetjak të klaneve të caktuara që duan të kapin koncesione vetëm për të bëre para. Për më tepër, në shtetet ku shpesh herë mungon forma e lartë e artit të qeverisjes nuk mund të presësh të rilindë e madhërishmja dhe realja në kohë, por absurdi. Politika nuk ka mundur të jetë një burim i mundshëm i parimeve morale, por një burim i shpikur nga disa individë që kryesisht janë marrë me çështjet e tyre vetjake. Morali i dyshimtë sot në politikë është një mënyrë për të thënë, se njerëzit s’janë më në gjendje realisht të besojnë propagandën që ata vetë nuk e njohin. Kur venitet morali, në këto kohëra të brishta, tashmë njerëzit domosdoshmërish do të bien në një dëshpërim dhe nihilizëm. Pasi ky aktualitet politik pa moral që zhvillohet në rrethana të përditshme, duke zbehur shpresën se një ditë ky vend do të bëhet, sidomos për të rinjtë, të cilëve iu është vrarë shpresa dhe e kanë mendjen tek lotaria amerikane dhe mërgimi nëpër Evropë për të cilin, natyrisht, fajin e ka politika jonë që s’ka moral.
Sigal