Mitro ÇELA/ Akuza në boshllëk

808
Sigal

Dy ditë më parë më zunë “pritë”. Mikrofonin e mbante në dorë një gazetare e “Vizion Plus” e pak a shumë bëmë këtë debat. Ajo: – Në Parlament Spartak Ngjela tha: “Në fillimet e Partisë Demokratike, takova një ditë Kryeredaktorin e ‘RD’-së. Më propozoi të bëj një artikull për Sigurimin e Shtetit. U ula, e shkrova, e përfundova dhe shkova në redaksi. Kryeredaktori nuk ma botoi artikullin! Pse nuk u botua shkrimi i avokatit?

Unë: – Këtë pyetje duhet t`ia drejtoni Frrok Çupit, ai ka qenë kryeredaktori i parë i gazetës. Ajo: – E takova Frrokun, më tha: “As i kam bërë porosi dhe as nuk kam penguar botimin e ndonjë artikulli, të shkruar nga avokati për Sigurimin e Shtetit”. Unë: – Në zanafillën e saj “RD”-ja ka pasur tre personazhe kryesore. Frrok Çupin- Kryeredaktor, Preç Zogaj- kryetar i këshillit botues, Mitro Çela- i caktuar nga Komisioni Nismëtar i PD-së. Nga të tre, Frroku dhe unë, ishim rrogëtarë të gazetës. Mos vallë avokati ka biseduar me Preçin? Ajo: – “E pyetëm edhe Preçin, ai nuk dinte gjë”. Unë – Frroku qëndroi gazetar nga janari deri në korrik të vitit 1991. Vendin e tij e zuri i ndjeri Napolon Roshi, i cili u largua nga gazeta pas disa muajve. Nuk besoj se Ngjela ka parasysh Napolon Roshin, sepse në atë kohë ishte krijuar Qeveria e Stabilitetit dhe Sigurimit të Shtetit i kishte humbur “vula”. Ajo: – “Mos vallë Avokati ka biseduar me ju”?

Unë: -Kur Frroku ishte kryeredaktor, shkoi dy herë me shërbim në Amerikë dhe Gjermani. Në mungesë të tij, me drejtimin e gazetës, kryesisht jam marrë unë, sidomos pas emërimit të Preçit, ministër i Kulturës në qeverinë e Stabilitetit (Qershor 1991). Me Spartak Ngjelën kam pasur miqësi të vjetër, një miqësi e trashëguar. Unë kisha njohur nga afër Kiço Ngjelën, babain e avokatit, unë i botova avokatit një cikël me shkrime, por kurrë nuk i kam porositur ndonjë shkrim për Sigurimin e Shtetit. Ajo: – “Sipas bisedë sonë, mbetet që avokati ka gënjyer në Parlament?! Unë: – Filozofinë e muhabetit gjejeni me Avokatin. Unë dua të hap një parantezë. Në fillimet e saj, “RD”-ja ndoshta u bë gazeta më e suksesshme e fundshekullit të kaluar. Ishte gazeta që vrau censurën. Tirazhi arriti nga 70 mijë deri në 100 mijë kopje. Nuk ishte ky kufiri, tirazhi nuk pengohej nga shitja, por nga mungesa e letrës. Për lexuesin, kjo pengesë kapërcehej, duke e kaluar gazetën dorë më dorë. Pse? Sepse gazeta ishte e hapur. Nuk kishte asnjë censurë. Nuk kishte ndërhyrje nga Komisioni Nismëtar i PD-së. Unë, nuk di ndonjë rast, kur Sali Berisha, Gramoz Pashko, Eduart Selami a Aleksandër Meksi, të kenë ndërhyrë në politikën botuese të gazetës. Artikuj kanë botuar Sali Berisha, Edi Rama (26 janar 1991), Gramoz Pashko, Neshat Tozaj, Blendi Fevziu, Genc Ruli, Ardian Klosi, Ylli Pango, Filip Çakuli, Gavrosh Lubonja, Elca Ballauri, Ismail Kadare, Ben Blushi, Eduart Selami, Emin Baçi, Eduart Zaloshnja, Abdi Baleta, Kolë Jakova etj.. Kohë moderne, dikur anonimet bëheshin me kartë ndërsa tani me postë elektronike. Ka ndryshuar teknologjia, stili. “Avaz i vjetër, në melodi të re”, llafos populli. Në mëngjes hapa kompjuterin, “Shoku Mitro! I lexova shkrimet. Marshalla! Ta ka zënë Sala kokën me derë, mo! Apo pret ndonjë thelë që ke nisur të shkruash në RD?! Pse nuk shkruan në defterët e tu, që anëtarët e Komisionit Nismëtar të PD-së ishin njerëz anonimë?!” Letra më vuri trurin në lëvizje, bëra prapa në vite. Qëndrova në vitet 1990. Dy intervista nga Gramoz Pashko në “Zërin e Amerikës”, qarkullonin në “Buletinin e Verdhë” të ATSH-së. Në Byronë Politike ra “damllaja”, u shqetësua vetë shoku Ramiz Ali. Profesori kishte dalë nga “vatha”. Në pranverën 1990-s, në redaksinë e gazetës “Zëri i popullit” organizohet një takim. Sebep ishte bërë artikulli i njohur i Ylli Popës. Mes të ftuarve ishte edhe mjeku Sali Berisha, ai kërkoi që në Shqipëri të lejoheshin organizatat shoqërore pluraliste. Shkroi edhe një artikull, nuk e botoi “Zëri i populli”. U botua në faqet e gazetës “Bashkimi”, për meritë edhe të kryeredaktorit Qemal Sakajeva. Korrik 1990, Ramiz Alia takohet me një grup intelektualësh të kohës, mes tyre edhe Ismail Kadareja. Tronditëse ishte kërkesa e Napolon Roshit: “Në Shqipëri duhet të lejohen partitë politike”, Ramiz Alia u përdrodh. Në verën e 1990-ës, debat për poezinë në Korçë. Kritika për realizmin socialist nga poeti dhe gazetari Preç Zogaj, në sallë heshtje varri! Në vjeshtën e vitit 1989, Genc Pollo ishte për studime në Vjenë. Politikania e njohur Kristinë Fon Koll, organizon një debat televiziv me pyetje nga teleshikuesit, ishin të ftuar intelektualë nga vendet e Europës Lindore. Mes tyre edhe Genc Pollo. Befasuese përgjigjet e të riut nga Shqipëria e panjohur, ai i dha përgjigjet në frëngjisht, anglisht, gjermanisht dhe italisht. Pas një viti, Pollo u bë zëdhënësi i Komisionit Nismëtar të PD-së. Më 5 janar doli numri i pare i “RD”-së. Mes anëtarëve të Këshillit Botues ishin edhe Natasha Lako (poete), Kujtim Çashku (regjisor), Teodor Keko (shkrimtar dhe gazetar). Në 17 Dhjetor 1990, Ora 22:00.   Në atë kohë punoja na gazetën “Bashkimi”. Bie telefoni. Më ftoi në zyrë kryeredaktori i gazetës “ZP” Spiro Dede. Me Spiron jemi miq të vjetër, kemi punuar disa vjet së bashku në “Zërin e Popullit”. Kur më hoqën nga “Zëri i popullit”, në vitin 1985, Spirua punonte në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste. Sipas zakonit, më parë se të më jepej dënimi, më thirrën në aparatin e KQ-ës të Partisë. Fillimisht zbritëm në kafe, në një tavolinë qëndronte Spirua. Sa na pa, iu drejtua Miti Tonës, shefit të sektorit të shtypit në KQ-së të Partisë: -“More Miti! Po çfarë bëni kështu me Mitro Çelën! Latë nam për 40 kuintalë reçel fiku, dy ditë mbledhje dhe tani do ta internoni në Elbasan”! Korrespodent i gazetës “Bashkimi” e disa instruktorë ulën kokat, demek për të rrufitur kafen. Shoku Miti Tona, e kaloi “lumin” me një buzëqeshje, refleks i punës së gjatë si diplomat. Këto mendoja, ndërsa u futa në dhomën e kryeredaktorit. -Nuk kam ndonjë gjë të veçantë, më tha Spirua. –“Qarkullojnë dy thashetheme. I pari, në komisionin e PD-së është edhe mjeku Isuf  Kalo, në qoftë e vërtetë, harram! Vetëm dollarët që ka harxhuar për udhëtime me aeroplan nuk peshohen! -Së dyti, kam dëgjuar se edhe ti je bashkuar me PD-në, sipas mendjes sime, ti e ke me hak ta lësh Partinë e Punës, ajo të ka një borxh të madh! Për një tekë të Vangjush Çërravës, (sekretar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës) të vunë një kryq të madh në gazetën “Zëri i popullit”.

-I pari, është thashethem, i thashë, i dyti, i vërtetë. Me kaq u ndamë.