Konflikti absurd Atdhe-Shtet

711
Vangjush SARO

Rrallë e tek hasim ndonjë lajm të mirë nga vendi. Ai, me pasuritë, trashëgiminë, kulturën, njerëzit, të mirat dhe të këqijat e tij, është Atdheu ynë. E kemi dashur dhe do ta duam, e kemi nderuar dhe do ta nderojmë. Shteti (gjithkush e di shumë mirë çfarë nënkuptohet me këtë) përkundrazi, ta shpif. Kemi njëqind arsye të mendojmë se ai ka qenë dhe është i pahair. Nuk shohim as shenjën më të vogël se mund të hiqet dorë nga mosbërja, nga skandalet, budallallëqet, vjedhja e aseteve publike, punësimi apo shpërblimi i servilëve dhe puthadorëve të politikës. Për më tepër, kujtojmë se si përgjatë një çerek shekulli dhe më shumë, nuk pamë, qoftë edhe për një ditë, një copëz dialog për të mirën e vendit, kurrë s’e dëgjuam një diskutim serioz dhe profesional për vlerësimin pa eksese të së shkuarës, asnjëherë s’qemë dëshmitarë të një sjelljeje evropiane, perëndimore, në bërjen e politikës. Shteti i atyre. Shteti i këtyre. I yni jo. Duke kujtuar ditë të errëta të këtij tranzicioni pa fund si – viti ‘97, Gërdeci, 21 janari, dhe shumë janarë a shtatorë të tjerë për të qeshur e për të qarë – duke vështruar, mandej e çdo ditë ngathtësinë e këtij shteti për t’u bërë i tillë, mbetet pak për të shtuar e për të shpresuar… Por këtë nuk e themi për të mos i besuar nocionit shtet, kësaj fjale të shenjtë, të masakruar paprerë nga pushtetarë e militantë që i besojnë ideologjisë e paragjykimeve dhe jo rregullave e parimeve. E themi për t’u distancuar nga çfarë nuk është bërë e nuk po bëhet mirë; sepse prej këtu, fillon ndërtimi i një mentaliteti dhe qytetarie ndryshe. Po a dalim dot nga agjitacioni dhe fjalët e fryra, për të hedhur ndonjë hap ndryshe? Shteti! I lëshon pallatet dhe ndërtesat e tij zyrtare për dasma… S’di si të sillet me festat dhe datat e veta më të rëndësishme. Nuk pati dhe nuk ka asgjë nën kontroll: hashashin, kaosin e mendimit dhe të identitetit mbarëshqiptar, dinjitetin historik, sigurinë e njerëzve, ndërtimet pa leje, europianizimin e vendit etj. Të vjen për të qeshur pastaj, kur drejtuesit e tij, politikanë e zyrtarë mediokër dhe abuzivë, të anshëm dhe pa dinjitet – por që punët e tyre e të familjeve të tyre i kanë gjithnjë në rregull – i shikon në takime ceremoniale apo në mbrëmje luksoze, ku çdo gjë është e shtirur, gjithë pompozitet, a thua duan të ringjallin Mbretin “Diell”, Luigjin XIV. (Me gjithë zullumet e veta, ky i la në Francë disa rregulla e disa ndërtime të pangjashme dhe që koha i cilëson; të veçanta e madhështore). Kurse shteti ynë lë pas vetëm kaos dhe skandale. Asnjëherë nuk e kuptuam përse institucionet e këtij vendi janë dhe mbeten kaq ulokë, të pafuqishme; kurse qytetarët e tij kërkojnë pareshtur përgjigjen e një sërë pyetjeve (!) Nuk e kuptuam, gjithaq, përse disa institucione (që tashmë dhanë shpirt,) Instituti i Historisë, ai i Letërsisë dhe i Gjuhësisë, sa edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve apo edhe një sërë mediash, nuk u shprehën asnjëherë siç duhet për kulturën, për historinë, gjuhën, trashëgiminë dhe prurjet alternative letrare. Vështirë të kuptosh, gjithashtu, përse Ministria e Arsimit, nga koha në kohë, lejon tekste mediokre e të ulëta, (si për nga niveli artistik, shkencor ashtu edhe për nga morali shoqëror); madje plot bejte, krejt të papërshtatshme për fëmijët e të rinjtë. Dhe ndërkaq, të vjen keq, që ende një pjesë e mirë e medies, e cila duhej të ishte një aktor me rëndësi në mesin e institucioneve të vendit, nuk investigon, nuk rreh në faqet e saj tema të rëndësishme, nuk ndjek siç duhet zhvillimet ekonomike e shoqërore të vendit, por shpesh herë merret me vogëlsira dhe rastësira, gjurmon dasmat dhe brekët e akshkujt etj. Që të mos e lë krejt jashtë kësaj ligjërate veten time ngushtësisht, kujtoj se shteti i dikurshëm më la dy herë nga pesë vjet, pra një dekadë të tërë, duke pritur për një shtëpi modeste dhomë e kuzhinë: herën e parë në Gramsh, herën e dytë në Tiranë, 1980-1990. (Tani, kjo puna e strehimit është bërë edhe më zi; një familje me të ardhura modeste, nuk i mbledh dot kurrë paratë e duhura. Gjithsesi, çdo individ e çdo brez ka brengat e veta.) Për të vazhduar me shtetin, është pikërisht ai, që me ca lapërdharë partish, në këtë rast të PD-së, e cila është bërë për të qarë hallin, ma vodhi atë pak pronë që mund të kisha trashëguar nga im atë dhe gjyshi (në Korçë). Shteti, me ca laro të PD-së dhe të PS-së, më hodhi në rrugë një dekadë e ca përpara kohës që do të duhej të shkoja në pension. Për individin, për disa syresh, shteti ka qenë dhe mbetet një njerk i urryer. Ai thjesht e vetëm zhgënjen. Sot, shteti më ka ngrehur një Ministri të Diasporës – që për rastësi, ma falni mungesën e modestisë, e kam shtjelluar si ide në një nga shkrimet e hershme – një ministri, tek e cila do të desha të kisha besim… Do të desha. (Përpara disa vjetësh, shteti nuk mori mundimin të dërgonte në legatat e veta as edhe dy radhë për 100-vjetorin e Pavarësisë. Dhe shoqatat e shumta të shqiptarëve, anembanë botës, ligjëronin si t’iu vinte për mbarë.) Megjithatë, siç thonë, shpresa vdes e fundit. Në fakt, konflikti absurd Atdhe-Shtet nuk është vetëm përvoja jonë e hidhur; kjo temë ka shqetësuar, gëzuar a trishtuar, shumë të tjerë përpara nesh. Problemi ynë është që s’kemi më kohë, duhet ta kapërcejmë këtë makth një orë e më parë, siç kanë bërë vende të tjera, më të përparuara dhe më demokratike. Mirëpo këtu dalim sërish në një temë zhgënjyese. Vonesat tona në shekuj janë të pakuptimta: Kështu ndodhi kur ikëm nga Perandoria Osmane; (apo s’kemi ikur ende?) Kur ikëm nga përvoja e shtetit totalitar komunist. (Ta bëj sërish pyetjen?) Kur zumë rrugën për në Evropë… 27 vjet që bëjmë të zëmë Evropën. Jo se ajo është parajsa apo një fushë me lule, por për të arritur disa përmirësime dhe për të ndryshuar disi, së paku një herë. Xhejms Gustave Speth, mendimtar dhe avokat amerikan, autor i disa librave, autoritet në fushën e mjedisit dhe të mendimit shoqëror, na “vjen në ndihmë” kësisoj: “Problemet kryesore janë egoizmi, babëzia dhe apatia. Për t’i përballuar ato, na duhet një transformim shpirtëror dhe kulturor.” 
Po të vazhdoja, do të lindnin një sërë pyetje të tjera… 
Sigal