Memecët e pasur në Parlamentin e milionave

824
Sigal

Parlamenti është streha e një pasurie prej 150 milionë dollarësh të shpërndarë në 140 deputetë. Kaq pasuri në majën më të lartë të pushtetit, në një vend ku PBB llogaritet 4 mijë euro për frymë, krijon shqetësime për shkak të hendekut të madh social dhe ekonomik me votuesit. Mirëpo kjo pasuri nuk arrin as të flasë në raport të njëjtë me përmasat e saj. Shumë rrallë, ose fare, kemi pasur raste që përfaqësues të biznesit në politikë, të jenë ngritur dhe të kenë folur për çështjet që shqetësojnë ekonominë, se si duhen rregulluar taksat, se çfarë politikash duhen zhvilluar që të rriten vendet e punës, si të rritet pasuria e shqiptarëve, ashtu siç po rritet pasuria e të gjithë politikanëve brenda në Kuvend. Prej tyre nuk ka buruar asnjëherë një ide racionale dhe frytdhënëse që ta çojë vendin përpara. Ca më pak që dikush të bëjë edhe oponencën, se po të ishte ndryshe Shqipëria nuk do të përpëlitej prej kohësh në kufijtë e një ekonomie të dobët dhe ku shqiptarët janë populli më i varfër në Europë. Të paktën të na tregonin çelësin e suksesit të tyre që dhe shqiptarë të tjerë të përparonin njësoj si ata?! Dikush mund të thotë mirë kanë bërë që s’kanë folur, se janë në konflikt të hapur interesi. Kjo është frika më e vogël që duhet të kemi, sepse ngjarjet flasin në të kundërt, të paktën në dy raste: kur votuan për rritjen e tatimit mbi fitimin të të ardhurave në burim. Në kushte ideale, asnjë prej tyre nuk do të kishte pranuar me vullnet të lirë që të rëndohej me më shumë taksa. Kjo nuk do të thotë se e bënë këtë gjë për altruizëm. Thjesht ata janë aty për të mbrojtur statusin që kanë krijuar, duke u kthyer në vota memece, që i binden vullnetit të pushtetit. Këtë përfundim e mbështesim në të paktën dy argumente të tjera. Sondazhi i fundit i BERZH tregoi se biznesi në Shqipëri nuk është i lirë të zhvillojë aktivitetin, nëse nuk jep ryshfet te politika dhe se duhet të kesh lidhje të fortë me politikën, që të mund të përparosh. Gati 42% e sipërmarrësve, vlerëson sondazhi, japin ryshfet. Bëhet e qartë se pse biznesi kërkon të futet në politikë. Ai është aty për të blerë lirinë dhe statusin e pasurisë së krijuar në këmbim të heshtjes.Argumenti i dytë është më fondamental dhe lidhet drejtpërdrejt me ngrehinën e sistemit të zgjedhjeve në Shqipëri. Sot, shqiptarët nuk kanë mundësi të përcaktojnë cilësinë e deputetëve kur votojnë. Për shkak të listave të mbyllura që hartohen ekskluzivisht vetëm nga liderët, shqiptarët mund të vendosin se cili nga udhëheqësit partiakë do të bëhet kryeministër dhe cili do të qëndrojë në opozitë. Me votë nuk përcaktohet nominalisht se cili kandidat është më i vlefshëm ose jo. Udhëheqësit partiakë në Shqipëri, sipas këtij sistemi, janë zotat dhe me diktatin e pushtetit përzgjedhin deputetët të cilët kanë aq pasuri sa ta blejnë një vend në listë, por në këmbim duhet të shesin heshtjen. Përbërja e Parlamentit të sotëm, si nga mazhoranca, si nga opozita, është pikërisht pjellë e shijes që kanë liderët. Ndaj nëse duhet të ndryshojmë cilësinë e përfaqësimit sa më afër nevojave të qytetarëve në këtë Republikën tonë, kemi vetëm një mënyrë: të ndryshojmë liderët me kushtin e vetëm që të jemi ne me votën tonë të përzgjedhim ata që duam të na përfaqësojnë, i varfër apo i pasur qoftë ai. ( Monitor.al)