Mirela Karabina: Festa e 1 Qershorit dhe fuqia e ministrisë së Arsimit për ta rrëmbyer atë

823
Sigal

Organizimi i festës së 1 Qershorit ishte një tjetër veprim i papërgjegjshëm i ministrisë përgjegjëse për Arsimin. Duke trashëguar filozofinë rrënuese të denigrimit të njeriut, tjetërsimit të tij nëpërmjet krijimit të “njeriun të ri socialist”, ministria e Arsimit në ditën e festës së fëmijëve, shpalosi para prindërve, para komunitetit dhe para gjithë shqiptarëve dhe përtej, përdorimin e brishtësisë së fëmijëve në funksion të pushtetit. Mjerisht dhe fatkeqësisht, duket që gëzimi i kësaj feste u kufizua në statutet e prindërve në facebook, të cilët, me të drejtën e gjithë kësaj bote, uronin me shpirt e zemër fëmijët e tyre për festën. Ndërsa, për ministrinë përgjegjëse për Arsimin, që drejton shkollën, ishte krejt ndryshe. E ftohtë në qëllimin e saj, por me potere e zallamahi lëvizjesh marramendëse të fëmijëve të rreshtuar sa tek Sheshi “Nënë Tereza”, sa tek salla e Parlamenti e sa tek Kryeministria, në shërbim të imazhit mediatik dhe me arrogancën që e karakterizon, ministria e Arsimit arriti të rrëmbejë gëzimin e festës.

Po, çfarë festuan fëmijët në rreshtimin në kuadrat përgjatë ndërtesave të pushtetit?

Me një parakalim masiv dhe në temperatura të nxehta (si në stërvitje ushtarake), në ditën e 1 Qershorit, ministria e Arsimit: i tregoi fëmijëve se kështu është festa e tyre, detyruar e rreshtuar; i tregoi prindërve se ajo ka të drejtë t’i rreshtojë, t’i kufizojë dhe t’i mësojë fëmijët e tyre të falënderojnë pushtetin, edhe duke parakaluar para hijes së tij; i tregoi të gjithëve se kjo është shkolla shqiptare, e cila përgatit nxënës të formësuar sipas dëshirës së saj dhe jo qytetarë të lirë që festojnë dhe ndajnë gëzimin e tyre. Ajo kufizoi këtë liri në rreshtimin e detyruar përgjatë ndërtesave të vjetra qeveritare të bulevardit. Guxim i tepruar i kësaj ministrie! Ministria e Arsimit është ministria me impaktin më të madh social, është ministria e fëmijëve. Domosdoshmëria e vazhdimësisë nëpërmjet pasimit të trashëgimisë dhe mësimit të brezit të ri, kushtëzoi krijimin e shkollës që në shoqërinë primitive. Prandaj dhe ajo është e një rëndësie të veçantë, prandaj dhe ajo është shtylla e një kombi, prandaj dhe ajo ka qenë e lakmuar nga pushtuesit e sundimtarët për të lehtësuar sundimin e tyre. Siç dhe duket, ministria e arsimit e përdor këtë rol ndikues të shkollës. Jo pa qëllim, ajo përdori të njëjtin format dhe të njëjtin rreshtim në kuadrat, dhe të njëjtin vend duke risjellë në kujtesë të prindërve, gjyshërve dhe shqiptarëve imazhin e viteve të Shqipërisë socialiste, të regjimit më të egër diktatorial, që për fat keq, pasojat e të cilit do të na duhet akoma kohë t’i vuajmë. Asgjë të përbashkët nuk kishte “festimi” i fëmijëve tanë me atmosferën festive apo paradat domethënëse në vendet e hapësirës evropiane, ku fëmijët shpalosin dhe gëzojnë lirinë e tyre në ditë festash, ndajnë me prindërit dhe me komunitetin frymën festive të të qenit së bashku në rrugëtimin e tyre. E trishtuar, e dhimbshme diferenca e madhe në të jetuar dhe në të menduar e fëmijëve tanë, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre. Shkollat duhet të jenë vendet më të hareshme, sepse aty është, çiltërsia, mirësia, gëzimi dhe dashuria e fëmijëve. Kjo është filozofia që duhet të drejtojë shkollën. Aty është e e sotmja dhe e ardhmja. Por, me sa duket, kjo nuk është e parapëlqyer nga ministria jonë e arsimit. Me të bërit “sikur”, me deformimit e modelit, me vënien e shkollës në shërbim të pushtetit strategjia djallëzore po bën dëmin e madh: po tjetërson nxënësin. Tjetërsimi i tyre nuk është gjë tjetër, veçse zgjatim i filozofisë së “tru-shpëlarjes”, tashmë, drejtuar tek fëmijët, sepse ata janë e sotmja vitale, ata janë e ardhmja e fuqishme. Risjellja, jo pa qëllim, e imazhit të kuadrateve të hekurta (por tashmë me fëmijë), të cilat diktaturat e instaluara njëqind vite më parë i krijuan për të ndërtuar dhe mbajtur pushtetin e tyre, ministria e Arsimit i institucionalizoi ato në emër të shkollës. Pra, ministria përgjegjëse për arsimin, nuk kurseu përdorimin e shkollave publike (ato jo publike mesa duket nuk kanë qenë të ftuara) si mjetin “fatsjellës” për të justifikuar qëllimin e mbrapshtë të saj: Ndërtimin e një shoqërie detyrueshëm të kuadratuar duke kufizuar lirinë, aq shumë të çmuar për botën demokratike. Të rrënosh shkollën, është të rrënosh qytetërimin. Dhe, kjo po ndodh. Imazhin e një shkolle që kufizon lirinë dhe zhvillimin e fëmijëve shpalosi maskarada e 1 Qershorit. Kjo është një kambanë alarmi, se zullumi në dëm të edukimit të nxënësve është trashur shumë, nuk njeh kufij. Por, pasojat e këtij zullumi janë drithëruese, fatale për të ardhmen e vendit, për krijimin e një shoqërie të shëndetshme, për të ardhmen e një vendi që është është në Evropë, por dukshëm, mendërisht mbahet larg saj. Dhe, kjo do jetë pjesë e errët e historisë sonë, por dëmi afatgjatë i saj do të jetë përgjegjësi e të gjithëve…