Luan SHMILLI / Vija e hollë e ndarjes mes gjenialitetit dhe marrëzisë

634
Sigal

Shkenca shpjegon, më në fund, çmenduritë e gjenive të artit dhe politikës

Kur miku i të gjithë intelektualëve seriozë, i paharruari publicisti Ardian Klosi humbi jetën e tij, ende të re, me vetëvrasje tragjike pavarësisht nga dhimbja, pavarësisht nga njohja, të gjithë thanë me zë e nën zë: “bëri vetëvrasje, akt çmendurie!” Fjala e tij mitike: “këta nuk të lënë as të vdesësh!”, ka mbetur në laboratorët krijues të kohës së sotme të vështirë shqiptare, si një refren kur njeriut krijues e punëtor të civilizimit, i shterojnë jo vetëm fuqitë njerëzore të vazhdojnë misionin e vetes, por i ngushtohen dramatikisht edhe rrugët e largimit nga kjo shoqëri që ai e quan miope, të plogët, konformiste me të keqen. Më tej, pavarësisht nga rrethanat dhe pavarësisht nga presionet, një njeri i tillë ndihet i burgosur, i lidhur këmbë e kokë me zinxhirë skllavërimi (pavarësisht se, si qenie e gjallë ai duket se lëviz, është i lirë etj.,), atij i  mungon edhe liria për të ikur nga kjo botë. Shkurt, “nuk të lënë as të vdesësh!” bëri ulërimën e fundit, si të piktorit Munch, i paharruari Ardian Klosi, duke ikur përgjithmonë nga kjo botë. Natyrisht nuk është i pari as i fundit në këtë vetëndërmarrje private, që quhet pa mëdyshje çmenduri! Ardian Klosi, por dhe të tjerë artistë, edhe në Shqipëri, kanë bërë çmendurinë vetjake, natyrisht duke lëshuar rezonancë goditëse tek familja, të afërmit, shoqëria që tashmë nuk i dënon më, por i mirëkupton. I mirëkupton se në të vërtetë kjo kategori njerëzore krijuesish është disi tjetër nga njerëzit e zakonshëm, nga njerëzit e masës.

Tek artistët gjenialë, çmenduria është bashkudhëtare e misionit dhe kjo të paktën shkencërisht po vërtetohet duke u studiuar përditë edhe më shumë thellësisht. Natyrisht ka bazë të lashtë studimi dhe përsiatje. Mjafton të kujtojmë Senekën kur thotë: “Nuk ka gjeni pa një damar çmendurie!” Ishte i bindur Seneka. Kanë lënë sentenca të tilla shumë autorë botërorë të jashtëzakonshëm si dhe vetë filozofia e popullit i quan jo rastësisht si “gjeni” me një dërrasë mangët në tru!”, që për rivlerësim të vetvetes, shumë gjeni e kanë shpallur veten me “një dërrasë më tepër se të tjerët!”. Dhe kjo është e vërtetë. Megjithatë, Aristoteli thotë se: “Njerëzit esencional në filozofi, politikë, poetikë, arte kanë një veçanti svetnimi të errët, që i bën melankonikë. Pra edhe Aristoteli këtë disekuilibër midis gjenisë embrionale të talentit dhe paradoksit mental, e ka vënë re që në kohën e tij të lashtë. (lindur në 384 para Krishtit, në Straxhira-Maqedoni, vdekur 7 mars 322, në Halkidhiki  (Ev’via). Duke vizituar ekspozitën e piktorit të shquar surrealist spanjoll, Ioan Miro të hapur këto kohë në Xhenova, Itali (Palazzo Ducale) mësova se edhe mjeshtri i madh i surrealizmit, ka pasur disekuilibër mental, pavarësisht nga talenti i pikturës që e filloi me pasion në moshën tetë vjeçare. Por, megjithatë, një lidhje gjenetike midis talentit dhe disekuilibrit mental ishte i papërfytyrueshëm për Lombroso. Edhe Salvatore Dali nuk ishte dakord për këtë ekzistencë lidhje. “E vetmja diferencë, – thoshte me sytë e shndritshëm dhe mustaqet si dy spica drejt qiellit- mes meje dhe një të marri, është se unë nuk jam i marrë!” Dhe rastet janë të shumtë në të dy krahët. Dhe jo vetëm në arte, por dhe në politikë. E njëjta marrëzi mes politikës, për shembull, mund të quash fyerjet e kryeministrit aktual shqiptar në foltoren e parlamentit, kohë më parë, karshi liderit të opozitës dhe sikur të mos mjaftonte “dajaku” që politikisht mori (madje edhe padi verbale në gjykatë) ribën sërish marrëzinë me grevistët, ish të persekutuar nga regjimi, i cili për “talent politik” këtë kryeministër aktual e kish bërë sekretar të byrosë së Komitetit të Partisë, për spitalet.  Dhe, shembulli pozitiv, çmenduri dhe talent politik e zonjës së hekurt Merkel që shkoi në Greqinë me protesta të ashpra, për të ndihmuar konkretisht vendin e mposhtur nga kriza… Ndërkohë, kontradikta e jashtëzakonshme e raportit ndërmjet gjenisë dhe çmendurisë, është bërë objekt edhe i neuroshkencës. Për t’i dhënë një përgjigje kësaj çështje janë dashur të gjitha eksperiencat 2 mijë vjeçare të përshkruara. “Karolinsca Institutet” në Stokholm ka ngritur një sistem gjigantesk, ku sipas një burimi konfidencial, përfshihen edhe marrëzitë e disa kryeministrave të kontinentit europian, jashtë dhe brenda BE-së, si Berisha, Berluskoni, Putin, etj… Pavarësisht saktësisë së vendosjes në studim, ajo që tërheq vëmendjen është se: “në ndërmarrjen gjiganteske, janë përfshirë 1.2 milion pacientë psikiatrikë, vizituar në Suedi në këto 40 vjetët e fundit, ku burimi thotë se bëjnë pjese tre nga emrat politikanë të sipërpërmendur dhe “urgjentisht” nuk mund të merren me politikë e drejtime shtetërore”. Në të vërtetë duhet zyrtarisht vetë shtetet apo kryeministrat e tyre, t’i drejtohen Stokholmit që të zbardh në publik “marrëzinë” ose jo të drejtuesve të sipërpërmendur… pavarësisht se përgjigja e Stokholmit mund të jetë se “Faktet e çmendurisë flasin vet, me veprimet që janë bërë!” Megjithatë, sipas shtypit perëndimor, disa fakte kanë rrjedhur nga studimi i Stokholmit dhe janë bërë publike. “Raporti i marrëzisë dhe gjenisë, shkon gjer tek kushërinjtë e dytë. Më të goditurit nga “marrëzia e gjenisë”, vë re studimi, janë shkrimtarët.  Truri i tyre, si tek lord Bajron, David Foster Wallace dhe një pafundësi emrash të tjerë, janë si një fushë e minuar. Më tej kanë pasur dhe kanë një probabilitet 50 për qind për t’u vetëvrarë. Shkrimtarët profesionistë dhe politikanët fiktivë vuajnë nga skizofrenia, mërzitja, depresioni, abuzimet me alkoolin dhe drogën. Të tjera kategori që ka marrë në konsideratë studimi shkencor, (shkencëtarët, valltarët, fotografët, këngëtarët), janë tepër më të imunizuara, krahasuar me dy të sipërpërmendurit. E përbashkëta mbetet në studim, se janë të së njëjtës familje dhe vuajnë në rastet ekstreme të sëmundjes nga skizofrenia dhe shqetësimet bipolare. Një e dhënë në sintoni me faktin që për shumë sëmundje psikiatrike, është zbuluar një bazë gjenetike dhe në trashëgueshmëri. Mbasi saktësohet një lidhje gjenie mes artit, politikës, shkencës dhe profesioneve krijuese, nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër sëmundja mentale, mbetet akoma për të kuptuar përse, ndërsa shoqëria duhet të bëjë kujdesin e tyre dhe të vetes… Studimet në Karolinsca, si në institute të ndryshme të botës, kanë tendencën së pari të hyjnë brenda raportit gjeni-marrëzi dhe paaftësi, bërë “gjeni”. Është në të vërtetë një kërkim shkencor me fakte në raportin gjeni-marrëzi. Një ndër teoritë më të shpallura është se: “truri i artistëve me “dërrasë mangët” dhe politikanëve jo politikanë, nuk ka një filtër efiçent me realitetin jashtë tij. Të gjithë stimujt që i vijnë nga bota, i bëhen të rëndësishëm dhe ai lejon lidhje origjinale e të çuditshme. Krijimtaria dhe aftësia, për të menduar dhe vepruar jashtë skemave, ndonjëherë, si ka ndodhur, paguhet shtrenjtë, pasi paaftësia e trurit për të filtruar stimujt që vijnë është përcaktuar si një nga faktorët e psikozës dhe është vëzhguar në fazën e fillimit të skizofrenisë, në të cilën përafrohen mendime të turbullta, mistike dhe fetare. Si një term evolucioni, sëmundja mentale e kategorive të mësipërme, mund të konsiderohet si një çmim për t’u paguar në këmbim të një origjinaliteti të madh të mendimit. Në të vërtetë mbetet ende mister nëse lindi më parë veza apo pula.  Në çdo rast, Simon Kyaga, shkencëtari i ri i “Karolinsca..” që ka drejtuar studimin dhe duket ka edhe emra politikanësh skizofrenë shqiptarë, është i bindur se “në psikiatri dhe në mjekësinë e përgjithshme, jemi ambientuar për ta konsideruar si një patologji me përfundimin “bardh e zi”. Nëse do mësojmë se disa aspekte të sëmundjes së trurit mund të jenë dobiprurëse, mund të përcaktojmë të tjera teknika për kurim!”

Për “Telegraf” nga Italia

INFO: GJENITË E ÇMENDUR TË BOTËS

–  Woolf: Shkrimtarja angleze Virginia Woolf vuante nga mungesa e madhe e humorit, kriza depresive dhe ezaurimi i aktiviteteve personale.

–  Van Gog: Piktori holandez Vincent Van Gog, ndofta ishte skizofren. Vuante nga shqetësime të mëdha mentale.

–  Munch: Piktori norvegjez vuante nga “ankthi i të ekzistuarit”. Edward Munch ishte i kapur nga sindroma skizoide.

–  Shuman: Kompozitori gjerman Robert Shuman për sëmundjen e tij u çua në spitalin psikiatrik të Drezdës.

–  Nash: Matematikan amerikan çmimi “Nobel”. John Nash ka kaluar gjithë jetën “bardh e zi”, midis gjenialitetit dhe marrëzisë.

–  F.Wallace: Shkrimtar dhe mendimtar amerikan. David Foster Wallace vuante nga shqetësimet bipolare të humorit.

–  S.Berluskoni: Manjat i mediave private italiane, ish-kryeministër i vendit, midis të bardhës dhe të zezës. Ditët e fundit iu paraqit drejtësisë për mbrëmje seksi me minorene. Vuan nga sindroma e politikanit të paaftë…