ELBASAN. 100- VJETORI I PAVARËSISË/ Komisioni miraton ndërtimin e monumentit të Lef Nosit

591
Sigal

Komisioni i festimeve të 100- vjetorit të Pavarësisë ka miratuar ngritjen e monumentit të Lef Nosit një prej figurave më të shquara të Elbasanit dhe mbarë kombit shqiptar. Pas miratimit në Këshillin  Bashkiak të programit të festimeve dhe buxhetit që është akorduar me këtë rast komisioni i posaçëm është mbledhur dhe ka miratuar disa nga propozimet e bëra. Kështu janë diskutuar propozimet e bëra nga Prefekti i Elbasanit Shefqet Deliallisi për ngritjen e shtatores së Lef Nosit si dhe vendosjen e emrit “Kongresi i Elbasanit”, njërës prej shkollave të qytetit. Komisioni ka miratuar me unanimitet ngritjen e memorialit të Lef Nosit, projekt ky që do të finalizohet gjatë vitit 2013. Ndërsa së shpejti në një nga shkollat e qytetit të Elbasanit do të marri emrin “Kongresi i Elbasanit”, në nderim të një prej ngjarjeve të viteve 20 të shekullit të kaluar. Monumenti i Lef Nosit pritet të vendoset në krah të monumentit të Aqif Pashës për gjatë bulevardit në anën e kalasë. Ideja është që në të ardhmen në të gjithë gjatësinë e mureve të kalasë të vendosen monumentet e figurave të shquara të Elbasanit. Komisioni diskutoi edhe për veprimtaritë që do të mbahen nga 24-28 nëntor. Kurse për sa i përket dhënies së titujve “Qytetar Nderi” dhe ndryshimet e emrave të bulevardit kryesor të qytetit bëhet e ditur për “Telegraf” se komisioni do të mblidhet gjatë këtij muaji nën drejtimin e kryetarit të baskisë z. Qazim Sejdini. Një tjetër propozim i Prefektit Deliallisi është edhe zëvendësimi i emrit të bulevardit “Qemal Stafa”, ku sipas tij ai duhet të mbajë emrin bulevardi Aqif Pasha pasi ai është figura më e shquar më e madhe e historisë së Elbasanit që në fund të fundit shpalli Pavarësinë e qytetit.

Era Çela