Ku shkelet e drejta e shtypit, do të shkelen dhe të drejtat e tjera

168
Nga Thanas L. Gjika 

PJESA E DYTË
Vepër me vlera të spikatura politike, kulturore e shkencore
Libri i Frank Gjeto Shkrelit “Demokracia nuk pret” (BOTIMET MORAVA Tiranë, 2016, 476 f.), sponsorisuar nga gazeta “Telegraf”, është një përmbledhje me artikuj, ese, analiza, recensione veprash, përkujtim datash historike për ngjarje dhe personalitete, etj. Dalja e këtij libri përbën një hap përpara në përpunimin e mendimit politik, shoqëror e shkencor shqiptar lidhur me të djeshmen komuniste dhe të sotmen tranzicionale për demokratizimin dhe ecurinë e Shqipërisë dhe të Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Shumë shkrime të këtij libri trajtojnë probleme që kanë të bëjnë me politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë e të Kosovës dhe me politikën e SHBA-ve dhe BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nuk lihet jashtë vëmendjes as politika e jashtme e Rusisë dhe e Turqisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe as politika e brendshme e shteteve fqinjë që vijojnë t’i shkelin të drejtat e shqiptarëve që jetojnë brenda tyre. Po ashtu ka dhe shumë shkrime të tjerë që trajtojnë probleme të ndryshme të traditave kulturore, letrare e shkencore të popullit shqiptar, si dhe me vlerësimin e figurave të sotme të letërsisë dhe të shkencës shqiptare që jetojnë e punojnë brenda ose jashtë atdheut.

Shpresa do ta mundë dëshpërimin
Udhëheqja e PPSH-së në vitin 1990-1991, ashtu si kishte pranuar Mikail Gorbaçovi më 1989, pranoi dhe ajo dështimin e sistemit të diktaturës së proletariatit. Mirëpo, ashtu si ustai i Moskës edhe kupola e PPSH-së, u tregua djallëzore. Për të mos e humbur pushtetin përgjithmonë dhe për të siguruar trashëgiminë e pasurive të Shqipërisë, ajo hartoi një plan, zbatimi i të cilit filloi me hapjen e “valvulës së shkarkimit”. Ky plan parashikonte largimin nga Shqipëria të kundërshtarëve të vërtetë politikë dhe të të pakënaqurve, për të mos i pasur nëpër këmbë gjatë viteve të ardhëshme kur do të pranohej e zbatohej pluralizmi politik. Me rrugë e forma të ndryshme filloi nxitja për largimin nga Shqipëria të shumë të burgosurve dhe të internuarve. Para se të liroheshin, këta u këshilluan që të kërkonin largimin nga Shqipëria për t’u bashkuar me njerëzit e tyre që ishin arratisur në Europën Perëndimore dhe Amerikë. Më 2 korrik 1990 u hapën portat e ambasadave në Tiranë, kurse gjatë viteve 1991 e 1992 u organizuan eksode me vaporë për në Itali dhe hapja e kufirit me Greqinë. Me anë të agjentëve të fshehtë u organizuan shumë shkatërrime dhe plaçkitje të pasurisë kombëtare. Krahas kësaj pune të mbrapshtë, për t’ua lënë vendin “tokë të djegur” forcave demokratike që po i sillte në pushtet pakënaqësia dhe revolta popullore, kjo kupolë formuloi dhe propagandoi shprehjet “Shqipëria u shkatërrua, Shqipëria s’ bëhet më”. Të tilla shprehje filluan t’i përsëritnin edhe ata që nuk ishin pjesë e kupolës komuniste dhe as forca në shërbim të saj, por njerëz pa formim të shëndoshë. Të tillë të gënjyer vijojnë t’ i riprodhojnë këto shprehje edhe sot, kur janë kryer shumë ndryshime gjatë këtyre 26 vjetëve të tranzicionit dhe Shqipëria e ndihmuar prej diasporës së re, SHBA-ve dhe BE-së, ka bërë shumë ndryshime materiale, politike dhe ligjore. Frank Shkreli, gazetar i kualifikuar dhe i talentuar, me përvojë të gjatë pune, është një politolog që jep mendime kritike ndaj shkaqeve që e pengojnë ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por pa i munguar orientimi optimist për të ardhmen. Duke u mbështetur dhe te gjeopolitika dashamirëse e SHBA-ve dhe BE-së ndaj Shqipërisë, ai ka formuluar idenë pozitive “shpresa do ta mundë dëshpërimin” (“Demokracia nuk pret” f. 30). Optimizmin e vet objektiv, Shkreli e lidh dhe me ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në këto 27 vjet, si shkërmoqja e diktaturës komuniste në Europë dhe Shqipëri, çlirimi i Kosovës nga zgjedha sërbe dhe rritja e përpjekjeve të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Sërbi për të fituar më shumë të drejta politike dhe qytetare. Ai ka të drejtë kur thekson: “Eshtë në dorë të shqiptarëve si asnjëherë më parë, që Shqipëria dhe shqiptarët ta ndjejnë sot veten mirë në mbarë trojet e tyre autoktone” (f. 144).

Ku shkelet e drejta e shtypit, do të shkelen dhe të drejtat e tjera
Temë e pëlqyer për këtë gazetar është lufta për zbatimin e të drejtave të njeriut. Mbështetur në artikullin 19 të “Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut”, ku përcaktohet e drejta për lirinë e shprehjes së opinionit, e marrjes dhe e dhënies së informacionit, Shkreli sulmon shkeljen e kësaj të drejte në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Shqipërisë. Për keqësimin e gjendjes së gazetarëve në Turqi, ai sjell të dhënat e një takimi ndërkombëtar që kryen nëntë organizata botërore në Stamboll disa ditë para se në Shqipëri Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri, të kryente shkeljen e tij ndaj lirisë së shtypit shqiptar. Pasi sqaron sesi organizmat ndërkombëtare e kritikuan qeverinë turke për gjendjen e rëndë të krijuar për gazetarët e atij vendi, autori në shkrimin “Shtypi nën presion në Turqi dhe në Shqipëri” (f. 16-21), kalon te rasti konkret i sulmit që z. Gjiknuri i bëri gazetës së pavarur “Telegraf” të Tiranës. Kjo gazetë kishte kritikuar një ditë më parë Ministrinë që ai drejton dhe ky Ministër të nesërmen e paditi këtë gazetë të përditshme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me akuzën se ka cënuar rëndë nderin dhe personalitetin e tij dhe ka përhapur në publik informacione të pavërteta. Ai i kërkoi Gjykatës që ta detyrojë gazetën “Telegraf” t’i paguajë atij si dëmshpërblim shumën prej 10 milion lekësh ose 100 mijë dollarësh. Mirëpo një ditë më pas, Komisioni i Lartë i Shtetit (KLSH) njoftoi padinë e vet në Prokurori ndaj z. Gjiknuri për shpërdorim detyre. Edhe të dhëna të ndryshme të analistëve shqiptarë dëshmojnë se zyrtarë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar ushtrojnë presion ndaj lirisë së medias duke hedhur në gjyqe gazeta, televizione, website të cilat guxojnë të jenë kritike ndaj punës së tyre. Më tej ai citon pjesë nga fjalimi që mbajti në Ditën Ndërkombëtare të lirisë së shtypit Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Ban Ki Moon, ku ai theksoi nevojën e mbrojtjes së gazetarëve nga presionet e qeveritarëve.Veprimi i z. Gjiknuri, sipas autorit, paralajmëron rrezikun se në Shqipëri do të ndodhin edhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, ku demokracia është e brishtë… Frank Shkreli, si bir i komunitetit të krishter katolik shqiptar mbi të cilin përndjekja e Kishës dhe e klerit katolik gjatë regjimit komunist solli pasoja shkatërrimtare, gjen rast herë pas here të kujtojë plagën e shkaktuar gjatë diktaturës komuniste në fushën e besimit fetar dhe pasoja të saj. Kështu ai vë re se edhe në Shqipërinë pasdiktatoriale ka një nënvlerësim ndaj kolosit At’ Gjergj Fishta. Poema “Lahuta e Malsisë” e këtij poeti, sqaron autori, midis shqiptarëve të Jugosllavisë ka qenë kënduar në çdo vatër familjare gjatë gostive e festave familjare. Gjergj Fishta për mbarë shqiptarët gegë, sidomos për pjesën e popullit shqiptar që jetonte në Jugosllavi, ka luajtur rolin e “Poetit Kombëtar”, ashtu si Naim Frashëri për shqiptarët toskë. Prandaj lënia e shtëpisë së Gjergj Fishtës në gjendje të rënuar edhe pas 25 vjet tranzicioni dhe mospërgjigja e Ministrisë së Kulturës ndaj ofertës së zotit Sabri Maxhuni, biznesmenit nga Kosova, për të riparuar e kthyer në Muze shtëpinë e poetit me shpenzimet e veta, e revolton gazetarin Shkreli. Në fund të shkrimit autori pasi i shpreh mirënjohje z. Sabri Maxhuni, e mbyll shkrimin duke e vlerësuar dhe uruar: “Kjo është atdhetari e vërtetë! Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!”, urim që nënkupton se Ministrisë së Kulturës i mbetet mungesa e atdhedashurisë dhe turpi. Mbeturina të mendësisë komuniste sheh ky autor edhe në vlerësimet e gabuar ndaj Ernest Koliqit, kësaj figure shumëdimensionale që u shqua si shkrimtar realist, Ministër i Arësimit gjatë pushtimit italian kur ai hapi shkolla shqipe në tokat shqiptare që iu kthyen Shqipërisë më 1941, botues i revistës kulturore dhe shkencore “Shejzat” në Itali, mbledhës dhe studiues i traditave kulturore dhe folklorike të popullit tonë, njeriu që nuk u ligështua dhe nuk e humbi besimin për ditë më të mira, parashikues i rihapjes së kishave dhe luftëtar për një Shqipëri të lirë dhe të virtutshme, etj. Për vlerat e mëdha që ka vepra e Ernest Koliqit, thekson ky autor, duhet studiuar sa më parë dhe duhet bërë pjesë e programeve mësimore në të gjitha shkollat e mesme e të larta të Shqipërisë e Kosovës dhe shkollat shqipe të Maqedonisë (f. 107). Ajo që e shqetëson edhe më shumë analistin Shkreli është mbajtja gjallë e nostalgjisë ndaj Enver Hoxhës. Me rastin e festimit të 5 majit 2014, u panë tek vorrezat e dëshmorëve foto të diktatorit në prani të fëmijëve të shkollave që kishin shkuar atje. Këtë veprim autori e quan “të shëmtuar dhe të pafalshëm”, në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon të hyjë në Bashkimin Europian. Shqetësimi i autorit ka lidhje me faktin se në Shqipëri këto veprime kanë lidhje me persona që janë në pozita kyçe partiake dhe qeveritare, përfshirë dhe tempullin e popullit, Kuvendin e Shqipërisë. Të tillë njerëz që nderojnë fotografinë e diktatorit me grushtin lart dëshmon se: “Ata… jetojnë krejt jashtë realitetit shqiptar dhe ndërkombëtar… se janë të paaftë për t’i paraqitur popullit shqiptar ide të reja për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat ai përballet, se ata i thanë botës se gjithnjë janë krenarë që kanë qenë pjesë e një regjimi të një historie të humbur” (f. 459 – 460). Si zgjidhje ai sjell fjalët e Presidentit amerikan Ronald Regan të vitit 1983: “Të keqen duhet ta kundërshtojmë me çdo mjet dhe me të gjitha fuqitë tona… Krenaria e këtij vendi është aftësia e tij për të kapërcyer të këqiat morale të historisë së vet, duke u shkëputur prej tyre dhe duke u zotuar se nuk do të ndodhin kurrë më” (f. 458 – 459).

Të hapen Dosjet!
Disa institucione dhe fondacione gjermane ndihmuan për të hapur gjatë dhjetorit 2014 në Tiranë dhe pastaj gjatë prillit 2015 në Berat një ekspozitë kushtuar historisë së Europës gjatë shekullit të XX-të për të nxjerrë mësime nga jeta që kaluan popujt e këtij kontinenti nën diktaturat dhe si po jetojnë tani në demokraci. Shëmblli i popullit gjerman pas daljes nga diktaturat naziste e komuniste nuk u ndoq prej popullit shqiptar. Në Gjermaninë Perëndimore pas 9 majit 1945 u dënuan krimet e nazizmit dhe kriminelët nazistë, kurse në pushtet erdhën njerëz të ndershëm që nuk kishin lidhje me nazizmin. Pas bashkimit të dy Gjermanive mbas vitit 1990 populli i Gjermanisë Lindore nëpërmjet hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit duke u ballafaquar me të kaluarën e tmerrshme arriti të siguronte paqen shoqërore dhe sejcili të gjente vendin që i përkiste. Kështu Gjermania e bashkuar (Republika Gjermane) ndërtoi shpejt shtetin e përbashkët demokratik, i cili eci shumë përpara si fuqi botërore politike dhe ekonomike. Në Shqipëri pas ndërrimit të sistemit nuk u vendos asnjë masë që të mënjanonte ish komunistët dhe ish sigurimsat nga pjesëmarrja në pushtet. Ish Partia Komuniste e quajtur Parti e Punës nuk u shpërbë me shpalljen e pluralizmit, por ndërroi vetëm emrin në Parti Socialiste. Kjo parti me të njëjtët deputetë që trashëgoi prej Partisë së Punës vijoi të ishte parti parlamentare në sistemin pluralist dhe shumë shpejt rimori pushtetin politik e atë ekonomik. Eshtë e kuptueshme se në Shqipëri kuadrot ish komunistë dhe ish sigurimsa që vijojnë të sundojnë politikën e vendit, nuk janë të interesuar të hapet asnjë debat mbi krimet e kohës së diktaturës komuniste. Mirëpo pikërisht mosdënimi i krimeve të kohës së diktaturës përbën ngërçin e politikës shqiptare. Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë duke e kuptuar fatkeqësinë tonë, pasi vizitoi ekspozitën në Berat, dha një këshillë: “ka ardhur koha për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Mendoj që ky është një proces i dobishëm për të gjithë shqiptarët dhe shpresoj shumë që ky proces të përmbyllet në mënyrë të suksesshme” (f.148). Mirëpo autori i shkrimit, i cili e di se për 25 vjet është folur e përfolur për këtë problem, janë krijuar komisione, janë përpiluar edhe projektligje, shton se ky proces “nuk ka gjasë të përfundojë askund, ai do të mbetet në hava, as me sukses as pa sukses” (f. 148). 

Ballkani Perëndimor, SHBA-të Rusia dhe Turqia
Shqipëria dhe gjithë Ballkani Perëndimor janë në qendër të vëmendjes si të SHBA-ve, të Rusisë dhe të Turqisë. SHBA-të përpiqen që popujt e këtyre vendeve të ndërgjegjësohen dhe të ecin në mënyrë të pavarur drejt demokracisë dhe të vendosin vetë se në cilat organizata do të hyjnë. Kurse Rusia dhe Turqia me rrugë të ndryshme janë përpjekur që të ndalin procesin e demokratizimit të këtyre vendeve dhe të ndalojnë hyrjen e tyre në organizatat ndërkombëtare si NATO dhe BE. Rusia dhe Turqia përpiqen që të shtrijnë influencën e tyre në këto vende duke ëndërruar rikrijimin e perandorive të vjetra në forma të reja si perandori ekonomike me pushtet autokratik. Në fund të prillit 2015 u mbajt seanca e Nënkomisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan që merret me Europën dhe Azinë. Midis tjerëve atje ishte ftuar dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, z. Hoyt Yee (Huajt Ji) përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Gazetari Shkreli pasqyron mendimet kryesore që tha ky diplomat i lartë dhe i mbështet ato. Duke karakterizuar situatën gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor ai theksoi se misioni amerikan për krijimin e një Europe të tërë të lirë dhe në paqe, është kërcënuar më shumë se kurrë mbas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe terrorit që po ushtrojnë forcat e ISIS në Siri dhe Irak. Për këtë arsye, vijoi ai, puna jonë për krijimin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë, me tregëti të lirë dhe pa korrupsion, duhet forcuar “për të ndihmuar këto shtete që të marrin vetë vendimin e pavarur për të ardhmen e tyre Euro-Atlantike… e deri tek përpjekjet për të çrrënjosur kancerin e korrupsionit që është duke brejtur nga brenda këto shoqëri” (f.135). Shqipëria, vijoi ai, ka bërë shumë përparime, prandaj iu dha statusi i vendit kandidat për të hyrë në BE, por ende duhet të përballet me sfida të mëdha në zbatimin e reformave që janë të nevojshme për të filluar bisedimet për anëtarësimin në BE. Shqipërisë i duhet të intensifikojë përpjekjet drejt përforcimit të institucioneve demokratike dhe zbutjes së politikës konfliktuale midis partive, të bëjë reformat në drejtësi dhe të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar” (f. 136). Po ashtu ky diplomat i lartë theksoi se Kosova duhet të krijojë Gjykatën Speciale. Më tej ai u ndal te problemet e Malit të Zi, ku qeveria duhet të luftojë korrupsionin, i cili ka lidhje me pushtetarët dhe të sigurojë të drejtat e gazetarëve. Kurse për Maqedoninë theksoi nevojën për përmirësimin e marëdhënieve pozitë – opozitë dhe marëdhëniet midis shumicës maqedone dhe pakicës shqiptare. Në një kohë të tillë, pikërisht në prill 2015, kur bota po përkujtonte me keqardhje 100-vjetorin e genocidit turk ndaj popullsisë armene, agjentura turke në Maqedoni arriti të nxiste shumë shqiptarë myslimanë dhe pakicën turke e atë bosnjake që të delnin në një demonstratë në Shkup para xhamisë së Murat Pashës për ta kundërshtuar të vërtetën historike, vrasjen e njëmilion armenëve që kërkuan bashkimin me shtetin amë. Shkreli revoltohet nga ky fakt dhe pasi e kritikon, sjell dhe fakte të tjera si kërkesa për rishikimin dhe ndryshimin e historisë së popullit shqiptar që kërkojnë qeveritarët turq, grekë dhe sërbë, me synim që të ndryshohet dhe së fundi të zhduket identiteti shqiptar në trojet ku populli shqiptar ka qenë gjithnjë autokton. E këtu autori i shkrimit ngul këmbë se fajtorë kryesorë në këtë problem janë qeveritarët shqiptarë që nuk kundërshtojnë hapur, por iu nënshtrohen këtyre kërkesave absurde antikombëtare. Kjo heshtje e shtyn Shkrelin të sjellë një citat të Faik Konicës: “armiku më i madh i shqipërve kanë qenë dhe janë vetë shqipëtarët” (f.146). Politika e jashtme e shtetit grek kritikohet rëndë te shkrimi “Papulias dhe shqiptarët”, ku vihet theksi tek kontrasti midis politikës së jashtme të shtetit shqiptar dhe atij grek. Shqipëria bën çmos që të ndërtojë marrëdhënie moderne dypalëshe dhe rajonale, të denja për shekullin XXI, kurse shtetet fqinjë nuk druhen të shprehin ndjenjat e tyre antishqiptare. Kështu ai sjell rastin e Presidentit të Greqisë, z. Karolios Papulias, i cili pas takimit ndërkombëtar në Zvicrën asnjanëse, gjatë intervistës për shtyp, kur u pyet për Kosovën, tha: “Athina nuk e njeh Kosovën, sepse vepron duke u bazuar në interesat e saj kombëtare… pa u ndikuar nga askush” (f. 462). Analisti Shkreli ironizon me këtë gjoja pavarësi të politikës së jashtme të shtetit grek: “në qoftë se qëndrimi i zotit Papulias ndaj Kosovës nuk është i njëjtë me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të, duket se është në përputhje të plotë me qëndrimin e Sërbisë dhe të Rusisë, dy vende historikisht aleatë të Greqisë, kundër të drejtave të shqiptarëve në rajon në përgjithësi dhe ndaj Republikës së Kosovës në veçanti” (f. 463). Dhe kur presidenti grek për ta paraqitur Greqinë si shtet që ndihmon rajonin për paqe, tha: “Greqia strehon mbi një milion punëtorë shqiptarë”, Shkreli sqaron se shifra është shumë e zmadhuar dhe se marrëdhëniet midis emigrantëve shqiptarë dhe Greqisë janë marrëdhënie pune: “ata kanë nevojë për punë dhe Greqia ka nevojë për ta, ashtu si ndodh në shumë vende të Evropës” (f. 465).

Vijon