Ku ishe deri tani ti Adam (Edi Rama)?!

Ilirian Demiri 

Varfëria gjithnjë e më pjellore është bërë në vendin e shqiponjave. Ndërsa varfëria rritet, ne shqiptarëve po na është mbushur mendja se, ditë të bardhë është vështirë të shohim në këto 28 mijë kilometra katrore të vendit tonë. Nuk mund të kemi ditë të bardhë e me një klasë politike harramsëze. Këtë tashmë duhet ta dimë të gjithë, i madh e i vogël shqiptar. Ia dhamë votën “Rilindjes” në përpjekje se mund ta ndrijë. Po më kot shpresojmë se mund ta ndrijë ndonjë cikë. Zgjedhjet sapo kanë mbaruar, po këta që na thonë se, “dimë të bëjmë shtet”, tashmë po na e mbushin mendjen se dinë vetëm të belbëzojnë. Sa për shtet dinë vetëm të bëjnë një vërë në ujë. Këto ditë, kryeministri Edi Rama kanë nisur të kryejë takime që më shumë i kanë trullosur ata që kanë mundur të kenë një vend pune. Kërcënimet, me apo pa të drejtë janë në thelb amorale. Sepse kryeministrit duhet t’i themi se, ka prej më shumë se 3 vitesh që na ra bretku duke shkruar se, gjithë administratën e ka mbushur me një lukuni nëpunësish krejtësisht të familjes, edhe pse gjysmë analfabetë. Se farë administrate shtetërore ka ngritur kjo “Rilindje” e dinë gjithë shqiptarët. Po çudia për ne është se pse kryeministri bën krejtësisht të paditurin. Sa ka nisur takimet me bazën dhe në përfundim të këtyre takimeve u jep mandatën të pranishmëve: të gjithë jeni të larguar nga puna. Kështu ndodhi dy ditë më parë, kur pas një takimi me drejtuesit e hipotekës u dha mandatën: të gjithë jepni dorëheqjen. Puna juaj nuk i vlen kujt. Furtuna ndaj administratës sa vjen e rrit volumin e saj. Është shkrirë e larguar nga puna të gjithë punonjësit e Drejtorisë së Hetimit Tatimor. Ndërsa pritet të përshpejtohet puna për zbrazjen e zyrave të tatim taksave, ku mangësitë e punës së deritanishme janë evidente. Tashmë largimi nga puna në mënyrë kolektive ka sjellë zbrazjen e të gjitha zyrave shtetërore. Askush s’e ka mendjen te puna. Të gjithë pyesin: Kur do të na thërrasë kryeministri në takim ? Kjo nënkupton: kur do të na vijë urdhri i largimit nga puna ? Puna, në këtë Shqipërinë tonë është vetë jeta. Frika që i ka zënë të gjithë punonjësit e administratës është e tmerrshme. “Sepse na lë fëmijët pa bukë. Kemi paguar për këtë vend pune, tani i teket këtij të gjatit dhe pa asnjë motiv na përzë. Më thoni ku është shteti në gjithë këtë sjellje”,- pyesin shumë punonjës të administratës të tromaksur nga frika. Në këtë gjendje që është katandisur e gjithë administrate shtetërore, zyrat më shumë I gjen të mbyllura, ndërsa ndonjë që është e hapur askush nuk mund të të japë një përgjigje të saktë. Zgjidhja e problemeve duket se është lënë për në kalendrat greke. Ndërsa varfëria sa vjen e rritet. Për këtë askujt nuk ia ndjen. Sepse oligarkia ka zënë gjithçka, ndërsa as nuk e di tamam se ç’pasuri ka. Kështu edhe kjo farë klase politike që nuk di gjë tjetër vetëm të plaçkitë fakirfukarenjtë. Gjithë shqiptarët tashmë e kanë vënë re një gjë të çuditshme: Idiotët e Drejtësisë me fakir fukarenjtë që përpiqen të vjedhin pak energji elektrike arrijnë të mbushin burgjet e këtij vendi. Ndërsa me plaçkitësit e milionave që i përkasin klasës politike dënohen vetëm me punë në shërbim të komunitetit. Një turp për të cilin nuk i skuqet faqja asnjë prej drejtuesve që i kemi në krye të punëve. Me të tillë drejtues, a thua se ka ende ndonjë shqiptar që mund t’i besoj kësaj farë klase politike që nuk di gjë tjetër vetëm të plaçkitë gjithë pasurinë kombëtare. Kjo klasë politike që mendjen e ka vetëm te padurimi i saj i pandalshëm dhe te varfërimi i shumicës së shqiptarëve. Është groteske lufta e egër që tashmë duket se ka plasur mes dy partive në opozitë LSI dhe PD. Paradoksalisht lufta mes tyre bëhet se cila do të na mbushë mendjen se është opozitarja e vërtetë. Të gjithë e dimë se, LSI deri një ditë më parë ishte bythë e brekë me “Rilindjen”, tani i ka shkuar mendja të dalë në opozitë. Shumë bukur. Po s’ka pse të kërcejë dhe të mos lejojë të tjerët të vazhdojnë sipas mënyrës së tyre veprimtarinë opozitare. Në gjithë këtë zallamahi që na ka mbështjellë ne shqiptarëve, klasa politike të paktën nuk duhet të luajë si deri tani rolin e budallait. Sepse gjithë të këqijat që i janë mbledhur kësaj Shqipërie nuk u mblodhën në një ditë. Po gjatë gjithë këtyre 27 viteve. Ndaj është e çuditshme që tani pas 4 viteve “rilindasve” u ka shkuar mendja se ende nuk kemi shtet. Dhe kërkojnë të nisin punën për ngritjen e shtetit. Sepse kështu duket se po vepron kryeministri ynë. Ndaj kemi të drejtë ta pyesim: Ku ishe gjatë këtyre 4 viteve zoti Kryeministër ? Mos luaj rolin e të paditurit. Pasi gjatë këtyre viteve gjithë shqiptarët e kanë parë me plot habi se si në çdo vend pune u vendosën pjesëtarët e një familjeje. Këtë edhe ju e dini fort mirë. Ankesat për këtë kanë gumëzhitur. Është ky lloj pushteti i çuditshëm familjar që tashmë ka çuditur edhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Të heshtur kanë mbetur vetëm anëtarët e klasës sonë politike. Kanë heshtur sikur nuk ka ndodhur gjë. Tani kanë nisur të ndreqin ndonjë gjë. Kjo është çfarë po bëjnë në këtë fillim mandate të dytë. Po ama, ta dinë se populli thotë: ”nuk lahet m…ti me sh…rrë”. Ndaj vështirë se do të mund të rregullojnë çfarë është katranosur gjatë 27 viteve. Shteti mund të ngrihet , por për këtë kërkohen themele të shëndosha. Dhe këto themele duhet t’i ndërtojë gjithë populli dhe jo vetëm, me nder me thënë, kjo klasë politike.