Para në Amerikë për të blerë në Shqipëri

636
Gavrosh Levonja
Artikulli i revistës amerikane “Mother Jones” qe i mjaftueshëm për të treguar nivelin e mjerueshëm në të cilin ndodhet shoqëria shqiptare në aspektin e mënyres së krijimit të opinioneve, të të gjykuarit dhe arritjes së konkluzioneve. Përsa i përket financimeve të PD-së pranë kompanive të lobingut në SHBA, u fol e u shkruajt edhe disa muaj më parë, në vjeshtën e vitit të kaluar, por fakti që në artikullin e “Mother Jones” përmendeshin dhe dy kompani ruse si financuese të “Biniatta Trade LP”, kompania off shore qe thuhet se i ka paguar mbi 1 milion dollarë për PD kompanisë lobuese “Muzin Capitol”, shërbeu që politika shqiptare t’i rikthehej, madje me tone shumë herë më të zjarrta çështjes në fjalë. Kjo për shkak të asaj që konsiderohet si “ndërhyrja ruse” apo më keq akoma “rreziku rus” për gjoja pengimin e procesit të integrimit në BE të Shqipërisë. Për këtë arsye, zëra nga partia në pushtet, qarqet e media në shërbim të saj po i kërkojnë prokurorisë fillimin e hetimeve ndaj PD-së, deri dhe procedimin penal të kryetarit, Basha për lidhjet e pretenduara me rusët, lidhje që dëmtojnë interesat e vendit madje cenojnë sigurinë e tij si dhe KQZ-së që ta ndëshkojë atë për fshehje të financimeve gjatë fushatës elektorale. Mirëpo alarmet e lëshuara për rrezikun rus nëpërmjet financimeve të pretenduara të PD-së për të lobuar në administratën amerikane në një shkallë të konsiderueshme kam bindjen se do të rezultojnë vetëm zhurmë. E them këtë, pasi paratë e dyshimta për të cilat ka filluar të flitet që nga viti i kaluar, kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara, ku FBI dhe Departamenti i Thesarit kalojnë në “vrimën e gjilpërës” edhe financime shumë herë më modeste se 1 milion dollarët e paguar për PD-në, gjë të cilën e përmendi dhe Edi Rama duke i u drejtuar Lulzim Bashës gjatë një debati në parlament vjeshtën e vitit të kaluar. E kam fjalën për atë që institucionet e specializuara amerikane i kanë eksperiencën, mundësitë dhe mjetet për të hetuar e gjurmuar fonde të kësaj natyre shumë herë më të afta se ato të Shqipërisë, ku për hir të së vërtetës nuk kanë qenë në gjendje të zbardhin asgjë; madje, as nga ngjarjet e bujshme të ndodhura në Shqipëri e jo më të pritet të hedhin ndonjë rreze drite për afera ku protagonistët zhvillojnë aktivitet në vende të tjerë. Vetëm se në SHBA nuk konsiderojnë prova fjalët e këtij apo atij si dhe artikuj gazetash a revistash, që venë në lëvizje vetëm ushtarët e kryetarëve të partive në Shqipëri dhe megafonët e tyre mediatikë. Krejt ndryshe do të ishte puna, nëse do të bëhej fjalë për ndonjë kontratë, akt-marrveshje a transaksion të firmosur nga Basha apo dikush tjetër në emër të PD-së. Në këtë aspekt, të paktën deri tani në Departamentin e Drejtësisë të SHBA, figurojnë të depozituara vetëm dy kontrata të dy kompanive lobuese me PD, përkatësisht “Barnes & Thornburg” në vlerën me vlerë 150 mijë dollarë dhe tjetra e “Muzin CapitolPartners LLC” sipas së cilës PD do i paguante kësaj kompanie nga 25 mijë dollarë në muaj gjatë një periudhe tremujore. Që të dyja kontratat janë të firmosura nga kreu i PD-së, Lulzim Basha më 14 prill 2017 dhe 31 mars të të njejtit vit. Sa për “Biniatta Trade LP”, sipas dokumenteve të depozituara në Departamentin e Drejtësisë figuron një kontratë mes kësaj dhe “Muzin Capitol Partners LLC” sipas së cilës, kjo e fundit angazhohet të lobojë për PD-në duke paguar fillimisht 150 mijë dollarë e më pas deri në përfundim të projektit edhe 500 mijë të tjerë. Sipas projektit në kontratë, kompania lobuese merr përsipër të promovojë rolin e biznesit shqiptaro-amerikan në ekonominë amerikane, promovimin e Muajit të historisë shqiptare në SHBA, nxjerrjen në pah të rolit të diasporës shqiptare etj. Një logjikë minimale nuk mund ta pranojë kurrsesi që drejtuesit e PD-së të jenë aq budallenj sa të hedhin një milion dollarë për aktivitete që nuk kanë të bëjnë aspak me forcimin dhe rritjen e rolit të PD-së. Për më tepër, kur deri tani nuk ka dalë në dritë ndonjë copë letër ku të jetë hedhur firma e Bashës apo ndonjë drejtuesi tjetër të PD-së pranë asaj të ndonjë përfaqësuesi të “Biniatta Trade LP”. Ajo që tund Taulant Balla duke i kërkuar Bashës të japë shpjegime në prokurori është kontrata mes PD dhe “Muzin Capitol Partners LLC” e përmendur më sipër ku nuk figuron “Biniatta Trade LP”. Qesharake është dhe ajo kur Balla me shokë e shoqe i kërkojnë Bashës të tregojë se kush qëndron pas parave të “Biniatta Trade LP”, kur sipas një shprehjeje popullore dihet që “garpëri nuk i tregon këmbët e veta”, në vend që të përpiqen vetë të gjejnë ndonjë dokument, me të cilin ta vënë Bashën me shpatulla pas muri. Por, gjërat ndërlikohen pas shkrimit në “Mother Jones” botim i Fondacionit Amerikan të Progresit” me orientim ultra të majtë, sipas të cilit partnerë të Biniatta Trade ishin dy kompani ruse degë të “Shell”, të cilat pretendohet të kenë paguar për lobing në favor të PD. Ndonëse artikulli në fjalë kishte si target Nick Muzin dhe administratën e Donald Trump, efekt pati vetëm në Tiranë, ndërkohë që në SHBA efekti ishte i papërfillshëm edhe për arsye se askush nuk mund të shpenzojë kohë duke u marrë me një revistë që del një herë në dy muaj. Përmendja e kompanive ruse nuk kishte si të mos u hapte rrugë hipotezave për lidhje të PD me qarqe ruse për të vazhduar më tej me legjenda e teori konspirative për komplote e ndërhyrje ruse në Shqipëri. Por, këtu, që në fillim kemi të bëjmë me një paradoks; përse rusët qenkan lodhur për të financuar lobingun e PD-së në SHBA, në kohën kur me ato para mund të arrinin më lehtë synimet e tyre duke i hedhur në Shqipëri për të paguar, jo vetëm PD-në por edhe politikanë të tjerë, media të ndryshme, biznese etj. Dhe, në Shqipëri, nuk ka nevojë për shumë para. Por tek shumica e shqiptarëve vazhdon të dominojë ideja se Shqipëria është “qendra e botës” sikur të gjithë janë të interesuar ta kenë partner të rëndësishëm apo në të kundërt, ta kenë “halë në sy” duke harruar se ajo është një vend i parëndësishëm dhe kushdo që “e merr nën sqetull” do të jetë i detyruar jo vetëm ta mbajë gjallë por edhe të zgjidhë problemet specifike të cilat një shtet normal nuk i ka. Italia në kohën e Zogut, Bashkimi Sovjetik e Kina në kohën e komunizmit kanë siguruar mbijetesën e saj. Po të ishte ndryshe, atëherë si ka mundësi që BE e ka lënë në fund të listës së vendeve që synojnë të antarsohen në këtë union? Pse Kina dikur aleatja e vetme e Shqipërisë duke qenë dhe mirënjohëse për kontributin në përpjekjet për antarësim në OKB, tashmë preferon të investojë më shumë në vendet fqinje se në Shqipëri? Në këtë moment zhurma për “rrezikun rus” i intereson vetëm Edi Ramës. Nga njëra anë me këtë “rrezik” ai synon të tërheqë vemendjen e vendeve kryesore të BE “se po na hyn rusi” që për të shmangur një rrezik të tillë, të hedhin hapat e duhur për të shpejtuar afrimin e Shqipërisë me BE. Mirëpo është vetë politika shqiptare e servilizmit ndaj BE-së, e “besnikërisë së patundur” ndaj parimeve europiane etj. që i bëjnë të paefektshme lojëra të tilla të Ramës, ku nuk kanë munguar dhe kërcënimet për ‘rrezikun islamik” apo bashkim me Kosovën. Ndërsa nga ana tjetër, tani kur data për hapjen e premtuar të negociatave për antarsim po afrohet, “ndërhyrja ruse” nëpërmjet PD-së do të shërbente si alibi për të justifikuar në opinionin shqiptar një dështim të mundshëm në hapjen e negocitave duke i a faturuar rolit të Rusisë dhe opozitës.
Sigal