Opinion / “Armiku popull”

361
Sigal

Dikush, nga ata që i nxjerr Rama në media, tha se fjalimi i fundit i tij ishte më i miri që ka mbajtur. Kurse unë, kam një perceptim tjetër, Rama po ecën në rrugën e kundërvënies me popullin dhe të shpalljes armik të kujtdo që proteston, pa parti e me parti. Fjalimi i tij i djeshëm dhe statusi i sotëm në rrjete sociale mund të sintetizohej si “Armiku popull”. Ai dhe njerëzit rreth jo vetëm që janë të shkëputur nga realiteti, por po krijon një klimë armiqësore me qytetarët, e cila po mishërohet edhe në qasjen e policisë ndaj protestave.

Rama dhe qeverisja e tij po precipiton me shpejtësi. Para disa muajve kisha shkruar që me afrimin e zgjedhjeve ai do të gabojë gjithmonë e më shumë dhe nuk po na zhgënjen. Tashmë Rama e ka humbur fillin, kontrollin dhe arsyen, duke e thelluar hendekun me popullin e tij. Nuk mjaftonte pakënaqësia ndaj qeverisjes, por gjuha e përdorur dhe qëndrimet e Kryeministrit në ngjarjet e fundit dëshmojnë se një njeri që nuk ka ndjeshmëri për njerëzit që qeveris, mund të bëhet lehtësisht figura më e urryer për ta. Populli po proteston me plotësisht të drejtë, “halabakë”, të papunë, të rinj pa perspektivë, intelektualë, artistē, kushdo që e ndjen dhe që do po përfshihet pa urdhër nga askush.

Kryeministri fuqiplotë në një përplasje me popullin e tij, e dukshme në retorikë dhe në qëndrime është betejë ku fiton gjithmonë populli. Pushtetarët të trembur nga humbja e pushtetit po e humbin arsyen dhe po përpiqen të tregojnë muskujt duke i hyrë një rruge që ka vetëm një fund: ikjen e pushtetarëve. Mesa duket kjo do të jetë rruga e zgjedhur dhe që mund të ketë kosto për vendin. Rama në ikje po kërkon të bëjë zullumin e fundit, në armiqësi me shumicën e popullit. Kjo dëshmon se sado jetëgjatë të jesh në politikë, duket se disa gjëra nuk i mëson dot nëse nuk janë pjesë e edukimit apo formimit të personalitetit tënd. Rama ka mësuar ngjitjen, por duhej të mësojë edhe zbritjen, pasi te kjo e dyta mund të ndodhë që të thyesh hundët.

Nga Gentian Çala