Klerikët muslimanë në Shpalljen e Pavrësisë

780
Sigal

 Gazeta Telegraf/

Roald A. Hysa

Rëndom historia e këtij
vendi është fshehur pas trukesh e marifetesh për ta devijuar vëmendjen e
publikut pikërisht në ato vende ku historiografia zyrtare e regjimit monist i
konsideronte si laikw nisur nga këndvështrimi ateist, i cili ishte edhe
qëndrimi zyrtar i Partisë Komuniste. Ky qëndrim zyrtarizoi godinën e Lidhjes së
Prizrenit si vendin ku u realizua një nga Kuvendet më të rëndësishme për
nacionalizmin shqiptar dhe nuk e përmendi kurrë që 300 delegatët e Shqiptarisë
u mblodhën dhe diskutuan në Bajrakli Xhaminë e Prizrenit jo më larg se 10 metra
nga godina në fjalë. Vetë ajo ishte godina e drejtorisë së Medresesë me drejtor
myderrizin e nderuar Haxhi Ymer Prizreni, që mori përsipër  drejtimin e Lidhjes, një tjetër fakt i
fshehur ky nga sytë e kureshtarëve të historisë. Historiografia zyrtare
komuniste nuk arrin të na shpjegojë dot se si mund të futeshin 300 delegatë në
10 metra katrore dhomë të godinës së drejtorisë së Medresesë. Një absurd ky që na
servirej si një e vërtetë e pastër. Kjo vijë e pastërtisë politike vazhdon edhe
në momentet e ngritjes së flamurit në qytetet e ndryshme shqiptare. Shpallja e
Pavarësisë në vitin 1912 është një nga momentet kyçe të historisë politike
bashkëkohore shqiptare. Ky veprim ishte me të vërtetë një akt historik e
juridik ndërkombëtar i një rëndësie jetike për shqiptarët në ato momente kur u
shpall. Në këto çaste pas një turi evropian rikthehet në Durrës Ismail Qemal
bej Vlora së bashku me delegacionin e vet për të ngritur Flamurin e Pavarësisë,
për të shpëtuar trojet shqiptare nga copëtimi i mëtejshëm dhe për ta bërë fakt
të kryer dëshirën e të gjithë rilindësve dhe patriotëve shqiptarë, duke ngritur
më pas edhe qeverinë dhe mekanizmat e duhur të qeverisjes, që i nevojiten një
shteti. Një nga shqetësimet e Ismail Qemal bej Vlorës ka qenë edhe ngritja e
flamurit më datë 28 nëntor, për shkak edhe të konotacioneve nacionaliste të
lidhura ngushtësisht me figurën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, si simbol i
rezistencës kundër Turkut, që donin t’i jepnin patriotët kësaj ngjarje të
shumëpritur. Ngritja e flamurit kombëtar filloi nga qytete të tjera për shkak
të përparimit të serbëve në trojet veriore shqiptare dhe nga jugu i grekëve.
Akti i ngritjes së flamurit kombëtar ishte në vazhdën e veprimeve politike e
diplomatike të Etërve të Pavarësisë, si në qytetet: Elbasani 25 nëntor, Tiranë
dhe Durrës 26 nëntor e më pas në Kavajë, Peqin e Lushnje 27 nëntor etj., që
duke ngritur flamurin kombëtar shpallnin pavarësinë dhe në këtë mënyrë u
tregonin serbëve e grekëve, se po shkelin në një territor të huaj për ta e
sovran. Në ngritjen e flamurit kombëtar në shumë qytete të vendit kanë marrë
pjesë edhe hoxhallarët patriotë, të cilët e përkrahën fuqimisht ngritjen e
flamurit dhe më pas qeverinë e Vlorës. Durrësi, qyteti ku zbriti nga turi
evropian Ismail Qemal beu pa një numër të madh hoxhallarësh në ditën e ngritjes
së flamurit. Ngritja e flamurit kombëtar u bë nga kryetari i Bashkisë së
qytetit të Durrësit, Hafiz Ali Podgorica dhe telegrami ku njoftohet për
ngritjen e flamurit pasohet nga firmat e Myderriz Isuf Ramzoti, Myderriz Abdyl
Qerim Kurti, Myderriz Hysen Mulla Alushi, Myderriz Ali Kuli, Myderriz Hafiz
Jusuf Gjoni, Ismail Beja, Mahmut Beja, Hysen Dakoli e vijojnë firmat e tjera.
Në Tiranë ishin hafiz Ismail Ndroqi, Zyber efendi Hallulli, hafiz Ibrahim
Dalliu etj., që morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit së bashku me
patriotin e shquar Refik Toptani, i cili mbajti një fjalim me rastin e ndarjes
përfundimtare nga Perandoria Osmane dhe ngritjen e flamurit kombëtar. Në
Elbasan, ndërmjet atyre që ngritën flamurin do të ishte edhe H. H. Sulejman
Kungulli një hoxhë, i cili do të mbulonte më pas edhe postin e myftiut të
qytetit. Megjithëse Shkodra kishte pasur vështirësitë e veta dhe do t’i
përjetonte ato edhe në vitet në vijim, duke u kthyer në një arenë lufte të
përgjakshme, do ta ngrinte flamurin kombëtar pak më vonë. Më 28 nëntor 1913
ngrihet flamuri kombëtar në Shkodër nga kryetari i Bashkisë dhe përshëndesin me
këtë rast dy klerikë të nderuar, H. Ymer Gurra dhe at Vinçenc Prenushi. Në
përvjetorin e parë të pavarësisë pra më 28 nëntor 1913 morën pjesë 20,000 vetë,
që do të thotë krejt qyteti “në këtë natë simbolikisht një varg drita kandilash
si varg hyjesh lidhshin minaren e xhamisë së Fushë Çelës me kambanoren e Kishës
së Gjuhadolit…”. Më 28 nëntor së bashku me Ismail Qemal beun ishin dhe dy ulema
të mëdhenj si Haxhi Vehbi Dibra- Agolli dhe Hafiz Sherif Langu, të cilët kishin
dhënë një kontribut të ndjeshëm për kauzën kombëtare dhe do të jepnin përsëri
në vitet në vazhdim. Këto janë disa fakte të përmendura shkurtimisht mbi
ngritjen e Flamurit Kombëtar, ku kanë marrë pjesë hoxhallarë të shquar, të
cilët me ndikimin e tyre në popull rritën dashurinë ndaj Shqipërisë e Shqiptarizmit
si një ideologji shtet e kombformuese. Studimet nën këtë këndvështrim deri
tashti kanë çaluar të ndikuara nga syzet ideologjike të regjimit të kaluar dhe
të individëve të formuar gjatë asaj kohe, të cilët kanë frikë se mos humbasin
ndikimin dhe primatin e tyre në lëmin historik. Gjithsesi kontributi i këtyre
hoxhallarëve është aty dhe mbetet vetëm të rrëmohet nëpër analet e historisë.