Tenderët, institucionet shkelin ligjin për 1381 procedura

680
Sigal

Gazeta Telegraf/

Më shumë sesa
mungesë informacioni duket se ka një neglizhencë nga ana e institucioneve
shtetërore për të respektuar të gjitha kërkesat që imponon sistemi elektronik i
prokurimeve publike. Rasti më i fundit ka të bëjë me 1381 procedura, të cilat
sipas kreut të Agjencisë së Prokurimit Publik Eduard Ahmeti nuk janë çuar deri
në fund për t’u arkivuar apo anuluar. Në një njoftim të këtij muaji Agjencia e
Prokurimit Publik ka kërkuar që institucionet e listuara të kryejnë gjithë
procedurat e nevojshme sipas dispozitave ligjore për tender që i përkasin vitit
2015 si dhe periudhës janar-qershor 2016. Kjo nuk është hera e parë që Agjencia
e Prokurimit Publik përsërit të njëjtën thirrje për autoritetet kontraktore, të
cilat nuk zbatojnë kërkesat ligjore të fazës post-shpallje. Sikurse qartëson në
shkresë vetë APP, kjo kërkesë nuk është e vlefshme për ato procedura prokurimi
për të cilat është dhënë vendim pezullimi nga Komisioni i Prokurimit Publik apo
që janë në proces gjyqësor. Aktualisht ky ngërç në procedura pritet që të
minimizohet edhe një kuadër të një projekti që po zbatohet me Bankën Botërore.
Në një raport të fundit të saj lidhur me këtë projekt në komponentin e dytë
bëhet e qartë se Agjencia e Prokurimit do të asistohet për të menaxhuar sa më
mirë pjesën e procedurave të arkivuara si dhe procedurat e prokurimit të
audituara apo kontrolluara nga institucionet e jashtme.