Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Histori shqiptare parlamentare, si Karnavalet e Korçës!

377
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kuvendi i “coptuar” e me deputetë të pazgjedhur, por me “deputetë listarë”, që edhe pse e ndërpreu funksionimin nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit e shumë prej tyre nuk u zgjodhën deputetë, janë rikthyer si “ballarat pa qeleshe” e po miratojnë ligje e ngrenë komisione.

Përse është “Kuvend i coptuar”?

Sepse, me dorëzimin e mandateve nga deputetët e PD-së dhe LSI-së, vendin e tyre nuk pranuan ta zëvendësonin qindra “listarë”, por edhe pse pranuan dhjetra prej tyre të hynin në Kuvend, ai nuk u plotësua sipas Kushtetutës me 140 deputetë, por funksionoi vetëm me 122 “baballarë të kombit”, të cilët edhe përse në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit nuk u votuan e janë pa mandat, kanë “guximin e budallait” e kanë shkuar përsëri në “kuvendin e ndrikullave” mbajnë fjalime qesharake, miratojnë ligje të rëndësishme, madje kanë kurajo të shkarkojnë edhe Kryetarin e Shtetit.

Duke ndjekur këtë katrahurë në pushtetin legjislativ, më lindi mendimi të shkruaj pak për historinë parlamentare të Shqipërisë, e cila, që prej shpalljes së mëvetësisë më 1912, nuk e themeloi pushtetin legjislativ, por historiografia e Shqipërisë dhe mjaft studiuesë që pretendojnë se janë konstitucionalistë e kanë bërë fakt, se parlamenti, fillesat i ka te Kuvendi Kombëtar i Vlorës. Madje në dokumente edhe të Akademisë së Shkencave, në volumet Historia e Popullit Shqiptar, pretendohet se edhe Ismail Qemali u pengua në ushtrimin e qeverisjes dhe kryerjen e reformave nga “deputetët feudalë”. Kjo është rrena më e madhe, deformimi më i shëmtuar i historisë institucionale dhe edukimi më i keq i studentëve të jurisprudencës nga pedagogët e Historisë së Shtetit dhe të Drejtës në Shqipëri. Kuvendi Kombëtar i Vlorës nuk e krijoi pushtetin legjislativ. Këtë të vërtetë historike institucionale e kam trajtuar gjerësisht, duke u mbështetur në debatin e Kuvendit të Vlorës te libri “Trashëgimi institucionale prej Antikitetit deri më 1920”, me burime arkivore, madje kam gjetur edhe letrat e votimit të delegatëve për anëtarët e pleqësisë, që konsiderohet parlament. Kuvendi Kombëtar i Vlorës krijoi vetëm një Pleqësi, a senat si quhej, me 18 anëtarë, me Kryetar Myftiun Vehbi Dibra dhe nënkryetar Eqerem Bej Vlora. Anëtarë u zgjodh edhe Kristo Meksi, i cili e pyeti Ismail Qemalin, se çfarë funksioni do të kryente pleqësia, a do të kishte kompetencë ajo të bënte mocion mosbesimi për qeverinë a ministra të veçantë? Ismail Qemali iu përgjigj, se nuk do e kishte atë kompetencë. Prandaj edhe Kristo Meksi dha dorëheqje nga mandati që në Kuvend dhe Pleqësia nuk ka bërë asnjë ligj e disa prona të Bektash Cakranit u sekuestruan me dekret të kryetarit të qeverisë, pa ligj si pretendohet, e aty filloi edhe opozicioni ndaj qeverisë e kryeministrit, që kryente të gjitha pushtetet e shtetit, atë të kryeministrit për të cilin ishte mandatuar, por edhe të kryetarit të shtetit dhe të pushtetit legjislativ e pushtetit gjyqësor, funksione që nuk i kishte kompetencë. Që aty u krijua kultura politike, jo institucionale, të cilën e vazhdojmë edhe sot, nga një klasë politike pa formim politik e juridik, pa mendësi konstitucionale e institucionale. Parlamenti nuk u krijua as në qeverisjen e Vidit më 1914 e, as në Kuvendin e Durrësit më 1918, si pretendohet.  Përgjigjen për fillesat e parlamentit e ka dhënë Aqif Pashë Elbasani në cilësinë e “Fronit”, në mars 1920, kur çeli mbledhjen e Këshillit Kombëtar me 37 anëtarë, që u zgjodhën “sui generis” me mandat deputeti nga delegatët e Kuvendit Kombëtar të Lushnjës.  Aqif Pashë Elbasni, edhe ai i vetëemëruar si kryetar i Këshillit të Naltë, se askush nuk e zgjodhi, me cilësinë e regjencës, në fjalën e hapjes tha: “Kam nderin që në emër të Fronit të çel mbledhjen e të parit parlament të Shqipërisë, sepse atë nuk e krijuam, as më 1912 në Kuvendin e Vlorës, as në Kuvendin e Durrësit”.  Studiuesit e pedagogët e Historisë së Shtetit dhe të Drejtës në Shqipëri, u japin leksione studentëve se parlamenti fillesat i ka te Kuvendi Kombëtar i Vlorës! Deformimi më i madh i historisë politike institucionale bëhet me të parën Asamble Kushtetutese të Shqipërisë, që doli nga zgjedhjet për Asamblenë Kushtetutese, sipas ligjit që miratoi parlamenti i dalë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 1921. Sipas ligjit për zgjedhjet e Asamblesë Kushtetutese, të miratuar në shtator 1923,  zgjedhjet u zhvilluan në dhjetor 1923. Asambleistët, Jo deputetët, u mblodhën në Tiranë në janar 1924.

Ata ishin delegatë të Asamblesë Kushtetutese, jo deputetë si thuhet në tekste të së Drejtës Kushtetutese, apo shkruhet nga studiues të fushës. Kryeministri Sulejman Delvina dha dorëheqjen, sepse ai kërkoi në shtator 1920, të bënte ligjin për zgjedhjet e Asamblesë Kushtetutese, si kishte vendosur Kuvendi Kombëtar i Lushnjës, për të përcaktuar formën e qeverisjes së Shqipërisë.  Por, mendimin e tij nuk e pranuan, as Këshilli i Naltë dhe as Këshilli Kombëtar, sepse humbisnin funksionet e për atë shkak, Sulejman Delvina, dha dorëheqje dhe nuk pranoi të bënte ligj për zgjedhjet parlamentare. Delegatët e Asamblesë Kushtetutese u shmangën nga misioni historik për miratimin e Kushtetutës, që do të përcaktonte formën e qeverisjes së Shqipërisë dhe filluan të kryenin funksione të deputetit, kur nuk e kishin atë mandat dhe shkuan edhe më tej, duke e detyruar kryeministrin Ahmet Zogu, të jepte dorëheqje, pas atentatit që i bëri i riu Nathan Beqir Valteri, duke e lënë Shqipërinë pa Kushtetutë dhe fillimin e një revolucioni që përfundoi me shkatërrimin e institucioneve të shtetit, që funksiononin prej katër vjetëve. Historinë e kësaj ngjarje tepër të dhimbshme e trajtoj në librin që po shkruaj për zhvillimet politike institucionale, në Shqipëri në vitet 1920-1946.  Duke shfrytëzuar burime arkivore të papërdorura, do u sjellë të interesuarëve të vërtetën historike institucionale, për të kuptuar se, parlamenti i sotëm, është kopja më e shëmtuar e deformimeve historike të trashëguara nga e kaluara shekullore. Kjo që po ndodh me “parlamentin e sajuar”, do të hyjë në historinë politike institucionale, si vazhdimësi e traditës më të keqe konstitucionale e institucionale, me pasoja shumë të mëdha për garantimin e të drejtave e lirive themelore të qytetarëve dhe cenimin e të drejtave politike e sociale, duke mos krijuar pushtetet e shtetit të së drejtës dhe largimin nga standardet demokratike që pamundësojnë hapjen e Konferencës Ndërqeveritare, për fillimin e negociatave të anëtarësimit institucional të Shqipërisë në BE.