Janusz Bugajski/“Arma e Kushtëzimit të BE-së”

636
Sigal

BE-ja ka një armë të rëndësishme në dispozicion për të motivuar qeveritë fqinje që kërkojnë anëtarësim. Arma e kushtëzimit ka mbështetës dhe kritikë dhe të dy ngrenë çështje të rëndësishme për ndikimin e politikës së BE-së ndaj shteteve që aspirojnë të anëtarësohen.

Procesi i anëtarësimit në BE është i gjatë dhe rraskapitës dhe nuk ka rrugë për shkurt. Ky është rasti i shteteve të Ballkanit që shihen si jo të reformuara, të korruptuara apo të keq drejtuara, si me anëtarët më të fundit, Bullgaria dhe Rumani, apo me përsëritësit e paaftë të BE-së, si rasti i Greqisë. Mbështetësit e kushtëzimit besojnë se ka ndikim pozitiv duke caktuar standarde të larta qeverisjeje dhe të shtetit të së drejtës dhe largon fokusin nga populizmi dhe nacionalizmi. Për shembull, qëllimi i kushteve specifike që BE-ja i vuri Shqipërisë ishte zhbllokimi i ngërçit parlamentar, lehtësimi i polarizimit politik dhe kontributi në zgjedhjet e përgjithshme legjitime.

Serbia dhe Kosova përfaqësojnë një tjetër shembull të kushtëzimit të BE-së, që ka si qëllim qëndrueshmërinë rajonale. Takimi i fundit mes presidentëve serb dhe kosovar padyshim nënvizon përfitimet nga presioni i ushtruar nga BE-ja. Brukseli kërkon marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës për disa çështje para se Serbia të fillojë diskutimet për anëtarësim në BE. Kosova duhet të zbatojë reformat në sistemin ligjor dhe mbrojtjen e minoriteteve që të hapë bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Presidenti Nikoliç me dëshpërim kërkon suksesin e Serbisë në anëtarësimin në BE. Ndërsa ekonomia serbe ka marrë të tatëpjetën dhe presioni social shtohet, qeveria do të tregojë njëfarë suksesi. Manovra të tilla nuk do çojnë në njohjen e Kosovës nga ana e Beogradit, kurse Nikoliçi do të bëjë aq sa për të nisë bisedimet për anëtarësim në BE. Kritikët e kushtëzimit thonë se imponon barra të rënda gjatë periudhave të vështira ekonomike. Në vend që ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit për të stabilizuar shtetet e Ballkanit Perëndimor, kushtëzimi rrit lodhjen nga reformat në shtetet aspirante dhe mund të minojë qeveritë që vihen nën presion.

Kritikët thonë se kushtëzimi është një lloj shantazhi politik në të cilin itineraret ndryshojnë dhe kushtet e reja shtohen sipas tekave të zyrtarëve të BE-së. Kundërshtarët gjithashtu paralajmërojnë se kjo ndërhyrje zhurmëmadhe e BE-së në një periudhë problemesh ekonomike mund t’u japë forcë nacionalistëve dhe populistëve. Ekstremistët mund të fitojnë mbështetje në një publik të armiqësuar duke deklaruar se Brukseli thjesht po kërkon justifikime për t’i përjashtuar ata, duke minuar kështu sovranitetin kombëtar. Mosmarrëveshjet vazhdojnë, njëlloj si edhe kushtet.