Fondi Shqiptar i Zhvillimit fillon punën për rikonstruksionin e rrugës Grekan – Dëshiran – Vlashuk

779
Sigal

Janë 15 mijë banorë të komunave Grekan, Kajan dhe Kozarë, që së shpejti do të lidhen me njëri-tjetrin me rrugë të asfaltuar

Janë 15 mijë banorë të komunave Grekan, Kajan dhe Kozarë, që së shpejti do të lidhen me njëri-tjetrin me rrugë të asfaltuar të parametrave bashkëkohorë. Rruga me një gjatësi 13.5 km është një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit me financim të Qeverisë Shqiptare dhe donatorëve të tjerë.

Gjendja e rrugës ekzistuese ka qenë tejet e amortizuar dhe kalohet me vështirësi nga automjetet. Rruga është e ngushtë, dhe e paasfaltuar. Veprat e pakta të artit janë dëmtuar dhe duke u bërë pengesë serioze për qarkullimin normal të automjeteve. Në të gjithë gjatësinë e saj rruga është me shtresa argjile dhe çakulli dhe i mungojnë kanalizimet e ujërave duke sjellë probleme përmbytjeje gjatë stinës së shirave. Në zonat e banuara mungojnë trotuaret dhe sinjalistika është jashtë parametrave teknike. Prej shumë vitesh, në këtë aks rrugor nuk është kryer asnjë investim. Edhe pse një zonë me potenciale të zhvillimit bujqësor dhe blegtoral fermerët e kësaj zone e kanë pasur mjaft të vështirë transportimin e prodhimeve të tyre në tregjet e qyteteve të mëdha, si Lushnje, Elbasan apo Berat.

Rruga e re do të ketë një gjerësi asfalti që varion nga 4.75 – 6 m, dhe 2 bankina nga 0.5 m. Ajo do të jetë e pajisur me të gjithë elementet e nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujrave të bardha, mure mbajtës, tombino dhe vepra të tjera arti. Në zonat e banuara projekti parashikon trotuare dhe shtrimin e linjave të elektro-telefonisë. Kohëzgjatja e punimeve për rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor është parashikuar 17 muaj.

Me rastin e fillimit të punimeve në këtë segment rrugor, Drejtori Ekzekutiv i FSHZH Z. Benet Beci zhvilloi një vizitë pune. Të pranishëm në këtë vizitë ishin edhe Z. Ardian Turku Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, dhe Z. Arben Imami Ministër i Mbrojtjes, në cilësinë e deputetit të Qarkut Elbasan.

Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Z. Benet Beci, në bashkëbisedim me gazetarët e pranishëm, ndër të tjera tha se: “Segmenti rrugor Grekan – Deshiran – Vlashuk është në vijim të disa invesimeve të kryera nga FSHZH në Qarqet Elbasan, Fier dhe Berat me synimin e krijimit të një rrjeti rrugësh rurale që ndihmojnë fermerët e një prej zonave me prodhimtari më të lartë bujqësore të çojnë produktet e tyre më shpejt në tregun rajonal të  Lushnjës me kosto më të ulët e me fitim më të lartë. Kjo rrugë, së bashku me segmentin rrugor Kozarë-Fiershegan punimet e te cilit sapo kanë filluar, me  rrugën e përfunduar Belsh-Fierzë-Kosovë dhe Lushnje – Hysgjokaj – Vashaj, përbëjnë një unazë të zonës së Dumresë, e cila iu  jep mundësi banorëve të lidhen me rrugën nacionale Lushnje-Berat”. Zona është e njohur jo vetëm për prodhimet bujqësore, por gjithashtu dhe për bukuritë, natyrore veçanërisht për liqenet karstike të cilat me përfundimin e rrugës do të mund të shfrytëzohen për turizëm si dhe shtimin e mundësive të punësimit në zonë. Infrastruktura e përmirësuar do të japë rezultate të prekshme për komunitetin e kësaj zone, duke nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe duke ofruar mundësi reale për një zhvillim social-ekonomik të qëndrueshëm. Ky investim shkurton kohën e udhëtimit 3 herë krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të rrugës. Punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës janë një tjetër përfitim real për banorët e këtyre komunave.