Islam Spahiu/ Kur xhelati qan viktimën

1194
“Unë urrej vetëm xhelatët”, pat shkruar novelisti i famshëm frëng Albert Kamy; ndërsa Noli ynë i madh: “Te ura, te ura, /vajtoni o burra, /Thomsonin e ngratë, që ju e vratë. /Që pas nuk i ratë, po vetëm e latë, /kur shkonte kaluar të vdesë për ne. /Për ju të mallkuar që s’doni Atdhe”. Kaq si premisë për një dukuri të shëmtuar që shfaqën një grup mjeranësh, të ashtuquajtur “ish – të përndjekur politikë”, të cilët nuk janë gjë tjetër veçse llumi i burgjeve, ca ordinerë të cilët në burg ua nxinë jetën “bashkëvuajtësve” të tyre të ndershëm, kurse sot nuk e kanë të vështirë të kenë paturpësinë që të përpiqen për të përvetësuar nderin e tyre, të shndërruar siç janë në mercenarë të klikës mafioze që fshihet pas siglës PD. E, ajo që është më qesharakja e këtij grotesku djallëzor, është fakti se ata udhëhiqen nga elementë që në të kaluarën kanë qenë spiunë, nuk kanë parë burg me sy, dhe sot janë bërë kryetarë shoqatash gjoja “të përndjekurish” të verbër e servilë ndaj interesave, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me idealin politik. Është indinjues edhe fakti që mediat e folura e të shkruara, duke qenë krejtësisht indiferente ndaj së vërtetës, u japin hapësirë këtyre mashtruesve. Para së gjithash, duhet ditur që Lirak Bejko, të cilin po e qajnë sot xhelatët e tij, u vetëflijua në grevën e urisë, duke djegur veten në shenjë sfide ndaj cinizmit të ish-kryeministrit Berisha, i cili nuk pranoi dialog me grevistët me pretekstin se ata qenë të manipuluar nga Rama, “armiku” i tij patetik. Por kishte edhe një arsye tjetër: Liraku pak ditë më parë pat goditur, duke e hedhur përtokë, deputetin militant të PD-së Rusmaili kur ai ofendoi kufomën e një ish të burgosuri politik, i cili u gjet nga shokët e tij në morgun e spitalit. Pas kësaj, ky djalë trim qëlloi me domate dhe qese mielli makinë e atij kryeministri që gjatë diktaturës, duke qenë sekretar i byrosë së partisë së spitalit, kërkoi dënim me varje për Hysen Sheshorin në sallën e gjyqit. Kurse sot shëtit me makinë luksoze si kryetar shteti duke shpërfillur kërkesat e ligjshme të ish të dënuarve. Mëria e tij ndaj kësaj shtrese është shfaqur disa herë. Në rastin kur Kuvendi në seancën plenare kishte në rend dite projektligjin për shpërblimin e të përndjekurve politikë, sapo u lajmërua nga kryetari i Kuvendit, zotëria u ngrit menjëherë nga vendi dhe doli jashtë, domethënë nuk mori pjesë në votim. Nga gjithçka u tha më lart, kuptohet që manifestuesit e datës 10. 10. 2015 dalin qartë që janë agjentët e një partie agjenturore me siglën PD dhe kryetar të padiskutueshëm S.B. Por këta mjeranë e treguan fytyrën e vërtetë në grevën e urisë së 10 tetorit 2012, kur u vetëflijuan martirët Lirak Bejko dhe Gjergj Ndreca. Këta ishin të futur në grevë nga policia sekrete e regjimit, për të kontrolluar gjithçka që ndodhte aty. Ja një rast me dëshmi okulare: Desha njëherë të bëja një vizitë solidariteti te greva e urisë; pjesëmarrja më qe e pamundur për shkak të gjendjes shëndetësore dhe moshës së shtyrë. Aty pranë, në një vend të veçantë ishin vënë ca karrige të vogla për vizitorët dashamirës. Ndërsa po rrija ulur bashkë me moshatarët e tjerë, papritmas, si me magji, u hoqën stolat e ne sa nuk u rrëzuam. Kur i pamë, këta ishin ata që rrinin shtrirë, nën batanije, bashkë me të tjerët. e sot janë po këta që derdhin lot krokodili për Lirakun, duke dashur të përvetësohet imazhi nga partia mafie që sot është në opozitë. E, më e neveritshmja, është se sot ata kishin marrë me vete ish-bashkëshorten e Lirakut, e cila prej kohësh ishte divorcuar me të e nuk mbante më mbiemrin e tij. Tani shihej aty e përlotur… Autori i këtij shkrimi ka pasur nderin të mbajë fjalimin mortor mbi varrin e heroit. Shoqata e të dënuarve të mirëfilltë politikë ka organizuar një mbledhje përkujtimore me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Lirakut. Edhe në këtë rast referati mu ngarkua mua dhe unë e mbajta me shumë ndjenjë e respekt për këtë hero që e kisha bërë mik pak para sakrificës së tij sublime. Qysh atëherë nuk janë ndier fansat e PD-së. E nuk ma merrte mendja që do të vinte një ditë kur ky vulg, si hiena që rrëmon varret, të lëshohet me bujë ndaj lavdisë së tij dhe të përpiqet ta përvetësojë atë. Kjo më kujton Zarathustrën e Niçes, i cili përshkruan se si forca e së keqes di të bëjë se si “të ziejë balta”. “O turp, ku e ke skuqjen!” pat thërritur Hamleti. E, përderisa drejtësia njerëzore si dhe ajo ligjore do të vazhdojë të jetë “më e degjeneruara në Evropë”, – siç tha kohët e fundit kryeministri Rama, – balta do të vazhdojë të ziejë dhe zhurma e tymi do të vazhdojnë ta shurdhojnë e ta verbojnë ndërgjegjen tonë kombëtare. 
ish i dënuar politik
Sigal