ISP apel qeverisë: Shqipëria të aprovojë projektin e BE për hetimin e krimeve të komunizmit

551
Shqipëria, vendi më i vuajtur nga regjimi komunist, – ka bërë më pak se çdo vend tjetër për ndarjen me të kaluarën, vendosjen e drejtësisë dhe të paqes sociale. Përmes një letre zyrtare adresuar Ministrit të Drejtësisë, si autoriteti përgjegjës, si dhe Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të partive politike parlamentare, Instituti i Studimeve Politike i kërkon qeverisë shqiptare të japë miratimin për bashkimin e Shqipërisë me nismën e qeverisë së Estonisë dhe të Bashkimit Evropian për hetim ndërkombëtar të krimeve të komunizmit dhe gjykimin e personave përgjegjës
Tetë vende të BE dhe disa vende të tjera ish- komuniste kanë rënë dakord me nismën e qeverisë së Estonisë për krijimin e një trupe ndërkombëtare për hetimin dhe gjykimin e krimeve të komunizmit, sipas modelit të gjyqit të Nurembergut. Shqipëria, vendi më i vuajtur nga regjimi komunist, – ka bërë më pak se çdo vend tjetër për ndarjen me të kaluarën, vendosjen e drejtësisë dhe të paqes sociale. Përmes një letre zyrtare adresuar Ministrit të Drejtësisë, si autoriteti përgjegjës, si dhe Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të partive politike parlamentare, Instituti i Studimeve Politike i kërkon qeverisë shqiptare të japë miratimin për bashkimin e Shqipërisë me nismën e qeverisë së Estonisë dhe të Bashkimit Evropian për hetim ndërkombëtar të krimeve të komunizmit dhe gjykimin e personave përgjegjës. Nisma e Ministrit të Drejtësisë së Estonisë është mbështetur zyrtarisht nga 8 vende anëtare të BE-së, të cilat kanë qenë vende ish komuniste, si dhe disa vende të tjera aspirante për integrim në BE. Shqipëria ende nuk është shprehur dhe ende nuk ka dhënë shenja bashkimi me këtë nismë. Konkretisht, në letrën e ISP adresuar Ministrit të Drejtësisë dhe për dijeni institucioneve të tjera kushtetuese dhe politike, theksohet “Kuvendi i Shqipërisë, më datë 30.10.2006 ka miratuar me konsensus politik rezolutën nr. 11 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri“. Vendimi pasoi rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nr. 1096 (1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, si dhe atë me nr. 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Pavarësisht rezolutave të miratuara dhe shprehjes zyrtare të Kuvendit të RSH 9 vjet më parë, edhe pas 25 vitesh Shqipëria mbetet një nga vendet e pakta ish-komuniste, ku e kaluara nën diktaturë mbetet ende tabu dhe ku ndarja me të vijon të jetë formale, larg modelit të transparencës, drejtësisë dhe paqes sociale. Në kuadër evropian, në Deklaratën e Pragës (2008) u përcaktua angazhimi i vendeve për të dënuar krimet e komunizmit sipas praktikës së Gjyqit të Nurembergut, si krime kundër njerëzimit. Duke pasur frymën e kësaj deklarate angazhimesh, në gusht 2015 Ministrit i Drejtësisë i Estonisë, z. Urmas Reinsalu, mori iniciativën për krijimin e një grupi hetimor ndërkombëtar për krimet e komunizmit dhe për të vendosur përpara drejtësisë personat përgjegjësi, njësoj si në praktikën e Gjyqit të Nurembergut. Nisma e Estonisë është mbështetur dhe aprovuar tashmë zyrtarisht nga Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Ukraina, Gjeorgjia. Këtë javë nismës iu bashkuan edhe ministrat e drejtësisë së dy vendeve ish komuniste tashmë anëtare në Bashkimin Evropian, Rumania dhe Bullgaria. Deri më tani, nuk është shprehur publikisht dhe as zyrtarisht Ministria e Drejtësisë dhe asnjë institucion tjetër përfaqësues, apo i informuar mbi nismën. Shqipëria ka nevojë sociale, interes publik dhe shumë më tepër arsye për të qenë pjesë e këtij procesi dhe për të aplikuar të njëjtën praktikë në gjykimin e krimeve të komunizmit dhe personave përgjegjës të tyre. Vlerësimi se zbardhja e krimeve të komunizmit përbën garanci për parandalimin e çdo forme të genocidit të motivuar ideologjik në të ardhmen, theksuar me forcë nga shteti iniciator, vlen shumë dhe mbetet aktuale edhe për Shqipërinë. Nisma nuk kërkon hakmarrje dhe as revansh, nuk provokon padrejtësi të reja dhe as forma diskriminimi ndaj të drejtave të njeriut, por lartëson drejtësinë dhe paqen sociale, të vërtetën dhe vlerat e larta morale të shoqërive të hapura. Mbi këtë bazë, Instituti i Studimeve Politike, i cili ka realizuar projektin e suksesshëm të Muzeut të Memories online (www.muzeuimemories.info) dhe është në bashkëpunim të ngushtë për zgjerimin e tij me disa institucione e përfaqësi të rëndësishme perëndimore të investuara në dialogun e hapur mbi të kaluarën komuniste, ju drejtohet Juve me kërkesën legjitime që Ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, të konfirmojë në emër të qeverisë dhe shtetit shqiptar, bashkimin e Shqipërisë me nismën estoneze, dhe nënshkrimin e dokumentit me angazhime reciproke. Apeli ynë drejtuar Juve zoti Ministër, i është dërguar për dijeni Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe kryetarëve të gjitha partive politike parlamentare, – institucione dhe subjekte, të cilat ftohen të bëhen mbështetëse të këtij akti dhe që kanë potencial për nxitjen e kësaj nisme dhe për vendimmarrje politike dhe institucionale. Ne mbetemi me shpresë se Ju, me përgjegjësinë zyrtare që ju takon, do të përmbushni detyrimin praktik të shtetit shqiptar për bashkimin me këtë nismë, si shprehje edhe e rezolutës së parlamentit shqiptar dhe detyrimeve që burojnë prej saj.
Me konsideratë të lartë, Afrim Krasniqi
Drejtor Ekzekutiv
Instituti i Studimeve Politike
Sigal