Hysni MULLALLI*/Gjyqtarët e kushtetueses, pensionin suplementar që e përfitojnë vetë, e “ hoqën ” për ushtarakët

520
Sigal

Në piken 2, të nenit 124 të Kushtetutës theksohet: “Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës”. Praktika ka vërtetuar se ky institucion, në mjaft raste ka dalë nga misioni kushtetues dhe i është nënshtruar diktatit politik. Vendimi nr.2, datë 18.02.2013, që ka të bëjë me pensionin suplementar të ushtarakëve, është një vendim tipik që vërteton se anëtarët e saj i nënshtrohen politikës dhe interesit të tyre personal.

Absurdi më i madh është se ligjvënësit, shtetarët e rënë dhe gjyqtarët e kushtetueses, me një ligj të veçantë, vazhdojnë të përfitojnë pensionin suplementar që me votat dhe firmat e tyre, na e “hoqën” ne ushtarakëve. Me këtë fakt anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, komprometojnë rëndë mision e tyre kushtetues për të dhënë drejtësi dhe barazi. E them këtë, se ligji Nr.8097, datë 21.03.1996, Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit., ju garanton atyre ato të drejta që na i hoqën ne. Ky ligj është identik si ligji i ndryshuar i ushtarakëve. Ky është ligji i super pensioneve, që i shndërron përfituesit në bllokmenë të rinj dhe të privilegjuar deri në vdekje, sepse përfituesit e tij janë: Kryetari i Kuvendit, deputetët, kryeministri, ministrat, zv/ministrat, kryetarët e gjykatës kushtetuese e kasacionit e anëtarët e tyre etj. Përfitues janë dhe personat që kryejnë detyra në administratën e institucioneve të mësipërme, sipas listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave. Kjo mase përfituesish, krijon një faturë financiare që është më e madhe se ajo e ushtarakëve.

Në piken 7, të nenit 1 ky ligj thekson: Me termin, pagë referuese, do të kuptohet paga e muajit më të fundit sipas legjislacionit në fuqi që zbatohet për atë funksion a detyrë. Paga referuese është bazë e llogaritjes dhe e rillogaritjes së pensioneve”. Pse relatori dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, nuk marrin si pikë reference, pagën referuese të tyre dhe të Saliut, e cila ju rritet në mënyrë progresive nga viti në vit, sipas rritjes të pagave referuese të funksioneve që kanë kryer. Pse nuk i vret ndërgjegjja që vetëm për ushtarakët është shpikur termi “pagë mesatare referuese neto” e gjithë karrierës, e cila është e barabartë me pagën referuese mesatare, pasi i zbritet shuma e kontributit të sigurimit shoqëror, shëndetësor, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributit suplementar, të cilat arrijnë rreth 26 %.

Këto veprime tregojnë qartë se pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, kur bëhet fjalë për interesat e tyre janë në bllok dhe të pangopur. Ndërsa kur bëhet fjalë për trajtimin e shtresave të tjera të pensionistëve, vendosin një pension minimal për mbijetesë, me të cilin, nuk mundësohet as blerja e bukës, kafes dhe ilaçeve.

Ata, me ne ushtarakët, janë treguar dhe të pamoralshëm, madje fjala imoralitet është pak, sepse nëse në ndërgjegjen e tyre do të kishte dinjitet, drejtësi, barazi dhe moral njerëzor, vetëm fakti që këtë të drejte e përfitojnë vetë, duhet të mjaftonte, për të mos vënë dorë mbi të drejtat e fituara të ushtarakëve.

Argumentet e rrëzimit të kërkesës së ushtarakëve dhe vendimi i marrë, janë fakte të tjera që vërtetojnë se kemi të bëjmë me një trup gjyqësor, pa integritet, të njëanshëm, të varur nga politika dhe që nuk jep drejtësi. 

Gjykata ka paraqitur si argument, efektin e papërballueshëm për buxhetin e shtetit. 

Ky argument nuk duhej të merrej fare në konsideratë nga relatori dhe trupi gjykues, sepse jetojmë në një vend të përbashkët dhe ata duhet t’a kenë dëgjuar duetin “Sali-Bode”, kur kanë folur (përtej kufijve të mërzitjes) në studio televizive, në median e shkruar, në kuvend, madje në diskutimet e Buxhetit të Shtetit të viteve 2012 dhe 2013, në parlament se, kemi një rritje të madhe ekonomike, se renditemi pas Gjermanisë, se është buxheti më i madh i të gjitha kohërave etj. Natyrshëm, lind pyetja: Kush gënjen Sali “triumfatori” ( që populli e rrezoi me votë), relatori apo gjyqtarët që vendosin dhe firmosin njëzëri kundër ushtarakëve?!

     Gjykata ka paraqitur si argument nevojën e reduktimit të borxhit publik.

Ky argument nuk ka asnjë lidhje me kërkesën e ushtarakëve. Nëse vërtetë ishte e nevojshme të reduktohej borxhi publik, le ta reduktonte qeveria, që të mos na merrte frymën me borxhe. Borxhi nuk lahet me borxhe të reja. Ai nuk reduktohej dhe lahej vetëm duke ulur pensionet e ushtarakëve. Këtë arsyetim mund ta bëjnë vetëm të marrët. Nëse borxhi reduktohej nga pagat dhe pensionet, përsëri lind pyetja: Pse nuk u be një rekomandim nga këta gjyqtarë, për të rishikuar dhe ulur pagat e pensionet e të gjitha kategorive, duke filluar nga pagat e pushtetarëve dhe gjyqtarëve të tjerë firmëtarë të Gjykatës Kushtetuese?!

Gjykata ka paraqitur si argument tjetër, presionin negativ të krizës globale financiare.

Vërtet në vendin tone kemi pasur krizë?! Nuk kemi dëgjuar që të deklarohet kriza nga parlamenti apo kryeministri i rrëzuar. Përkundrazi kemi dëgjuar që vendi jonë është fanar ndriçues në Europë, përsa i përket përballimit të krizës dhe rritjes ekonomike. Madje me superlativa u fol për arritjet, situatën ekonomike dhe përballimin e krizës, nga idhulli i këtyre gjyqtarëve, në momentin e deklarimit të dorëheqjes. Nëse, vërtet kemi qenë në krizë, lind një pyetje tjetër: Pse nuk u be një rekomandim nga këta gjyqtarë, për të marrë një masë të barabartë për të gjithë shtresat e shoqërisë, duke ulur pagat dhe pensionet e qeveritarëve, deputetëve, administratës shtetërore, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese etj?!

Përfaqësuesit ligjor të shtetit tutor, renditën dhe disa pretendime të tjera, të cilat Gjykata Kushtetuese pas një analize të përciptë, jo profesionale dhe të njëanshme i ktheu në argumente, duke theksuar se ato( argumentet):  “ … u vlerësuan në dritën e interesit publik dhe nevojës për ndërhyrje të ligjvënësit dhe ekzekutivit në të drejta të fituara më parë….” dhe më poshtë vlerësoi se: “ Justifikohet, ndërhyrja e ligjvënësit dhe ekzekutivit në skemën e sigurimeve suplementare”, “ …por se kjo ndërhyrje duhet të jetë reale dhe e arsyeshme në raport me të gjitha kategoritë e subjekteve përfituese, duke respektuar në këtë mënyrë dhe parimin e barazisë midis përfituesve”. E vërteta është që pretendimet e përfaqësuesve ligjorë të shtetit, u vlerësuan nga gjyqtarët në dritën blu të partisë në pushtet, e cila e ndërthurur me interesin personal të tyre, ju verboi sytë deri në atë masë, sa pensioni i mbijetesës të ushtarakëve t’u dukej i madh (dhe duhej ulur) dhe pensioni i tyre milionësh t’u dukej i vogël (dhe nuk duhej prekur).

Sot, ne ushtarakëve na lind e drejta të shtrojmë disa pyetje që kanë të bëjnë me drejtësinë e këtij vendimi dhe barazinë midis shtetasve: Me prekjen e të drejtave të ushtarakëve, vendimi Nr.2/2013, ja arriti qëllimit për të garantuar buxhetin e shtetit, për të reduktuar borxhin publik dhe për të përballuar efektet e krizës financiare? Ku është morali juaj si gjyqtarë, që atë të drejtë që fitoni vetë me shumëfisha, e hiqni për ushtarakët? Mendoni se vështirësitë e detyrës tuaj janë më të mëdha se të ushtarakëve dhe ju mund të vijoni ta fitoni të drejtën dhe ne jo? Pse e përjashtoni veten nga skema e njëllojtë e sigurimeve suplementare dhe barazia e përfituesve dhe pse nuk i bëtë një rekomandim ekzekutivit dhe legjislativit, që të ndryshohej dhe ligji juaj Nr.8097, datë 21.03.1996? Ku është personaliteti, morali dhe integriteti juaj profesional?  Në cilin xhep të togave të zeza e keni futur drejtësinë dhe barazinë? A ju rëndojnë në ndërgjegje këto fakte?

Përgjigja dihet: Ky vendim i shërbeu vetëm arritjes së qëllimit të politikës, për të diskriminuar shtresën e ushtarakëve. Efektet e tjera të këtij vendimi janë nul, gjë që vërteton se pretendimet e paraqitura nga pala e paditur, që u kthyen në argumente nga gjyqtarët e kushtetueses, ishin një farsë dhe paturpësi që çuan në një vendim absurd, të padrejtë, diskriminues dhe antikushtetues. Me këtë vendim u vërtetua se gjyqtarët e kushtetueses nuk janë me integritet, nuk janë modeli i atyre burrave të shenjtë që mbajnë veshur “togat e zeza”, por janë nga ata burra që vënë në kokë qeleshen dhe poturet që ju servir pushteti.

Gjyqtarët e çdo niveli dhe ushtarakët që janë në procese gjyqësore për pensionin e parakohshëm, duhet t’i referohen pikës 26 te vendimit Nr.2, datë 18.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese. Vlerësimi që i bëhet në këtë pikë sigurimit shoqëror suplementar dhe sigurimit shoqëror bazë,  jo vetëm nuk e ka shfuqizuar vendimin Nr.33, datë 24.06.2010, por është në një vijë arsyetimi me të. Madje në piken 26, ju referohet vendimeve Nr.33/2010 dhe Nr.9/2007, duke rikonfirmuar se  pensioni i parakohshëm, si sigurim shoqëror bazë është i mbrojtur nga parimi sigurisë juridike.

Sipas pikës 26 të këtij vendimi, del se: Pensioni i parakohshëm përfshihet në kategorinë e sigurimit shoqëror bazë, sepse ai është përfituar si rrjedhojë e papunësisë së padëshiruar. Ushtarakët janë larguar nga puna pa dëshirë dhe në kundërshtim me vullnetin e tyre. Ata janë nxjerrë në pension të parakohshëm, në kulmin e aftësisë dhe pjekurisë profesionale, duke ju mohuar të drejtën e ushtrimit të profesionit dhe duke ju zhvlerësuar diplomën. Ushtarakët janë larguar nga puna për shkak të një interesi të madh publik që ishte ristrukturimi i F.A. Vendimi Nr.2/2013 i Gjykatës Kushtetuese, ka vlerësuar dhe sanksionuar definitivisht se prekja e pensionit të parakohshëm, si pjese e skemës të sigurimit shoqëror bazë, është e palejueshme. Këtë e shpreh kur thekson se: “…prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim”.

Le të shpresojmë që kjo verë e nxehtë, të çlirojë përfundimisht gjykatat nga frika e pushtetit të vjetër dhe të shërbejë si periudhë reflektimi që gjyqtarët e të gjitha niveleve, t’i kthehen misionit të tyre kushtetues, për të dhënë drejtësi. Populli votoi për drejtësi,votoi që t’ju heq gjyqtarëve dhe gjykatave nga shpina diktatin politik të vjetër dhe nëpërmjet votës dha një mesazh të qartë që gjyqtarët dhe gjykatat të mos i nënshtrohen asnjë diktati politik, por t’i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjit.

*Kolonel në rezervë