Hajro Limaj/ Përse duhen shkurtuar 40 deputetë?

84
Vitet e fundit varfëria e shqiptarëve ka marrë përmasa të dhimbshme. Mjafton të shikojmë shifrat e pensioneve dhe të ardhurat minimale në fshat dhe qytet të publikuara nga qeveria më 1. 8. 2015 dhe kuptohet se me çfarë varfërie të tejskajshme përballet shumica e popullsisë sonë. Pensionet minimale në qytet 12 436 lekë në muaj, pra 89 euro. Pensionet maksimale në qytet 24 872 lekë në muaj, 177 euro. Pensionet minimale në fshat 8516 lekë në muaj, 61 euro. Pensionet maksimale në fshat 12 436 lekë në muaj, 90 euro. Të ardhurat minimale në qytet 14 586 lekë në muaj, 104 euro. Të ardhurat minimale në fshat bëhen 9 406 lekë në muaj, 70 euro. Të ardhurat maksimale në fshat bëhen 14 586 lekë në muaj, 104 euro. Pra me këto të ardhura do të ushqehesh, vishesh, do paguash ilaçet, dritat dhe ujin. Mundet të parballohen këto shpenzime me këto të ardhura? Në asnjë mënyrë. Atëhere kërkohen rrugët e jashtligjshme. Vjedhja, korrupsioni, trafiku, heroina, droga, mbjellja e hashashit, mashtrimi…..etj. Prandaj kronikat e zeza tek ne zënë kohën më të madhe në median vizive dhe të shkruar. Qeveria pretendon të bëjë shtet. Por ajo nuk e kupton se papunësia dhe varfëria e tejskajshme pjellin krimin dhe kriminalitetin. Dhe ajo kërkon të bëjë reforma të cilat nuk e zgjidhin dhe nuk i shërojnë plagët. Reformat nuk i fillon në kokë nga vjen e keqja, por nga poshtë ku janë reflektimet e të keqes që vijnë nga koka. Edhe opozita nuk kërkon që reformat e thella të fillojnë nga pushteti legjislativ (kuvendi), pushteti ekzekutiv (qeveria), pushteti gjyqësor (nga KLD deri në gjykatat e shkalles së parë) dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore. Kjo reformë gjithëprfshirëse do të rikonceptonte të gjithë shtetin e ngarkuar pa drejtësisht me 140 deputetë, 19 ministri, me një administratë prej më shumë se 84 mijw vetë, me 11 gjeneralë pa ushtri, me një sasi të madhe diplomatësh jashtë vendit…etj. Pra një shtet shumë i vogël dhe i varfër mban në kurriz një politikë, qeveri, gjyqësor, diplomatë, administratë që nuk i takojnë vendit tonë nga popullsia dhe sipërfaqia që ajo ka. Shumica e tyre janë në kundërshtim edhe me vetë kushtetutën. I pari është Kuvendi. Prej kohësh analistë të pa varur shtrojnë problemin e shkurtimit të deputetëve nga 140 që janë sot në 100. Numuri 100 përfaqëson sasinë e deputetëve që duhet të ketë Shqipëria sipas popullsisë që ka. Një deputet duhet të përfaqësojë 30 mijë vetë, pra me 100 deputetë mbulohet shifra e popullsisë prej 3 milionë që kemi. Po 40 deputetë të tjerë përse na duhen? Për t’u pasuruar me gjakun e këtij populli kaq të varfër. Ndërmarrja e këtij ndryshimi të domosdoshem do të kishte vlera të mëdha politike dhe efekte të rëndësishme finaciare. Përveç rrogës mujore që merr një deputet, 156 000 lekë, ai trajtohet edhe me honorare për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve parlamentare, mesatarisht 17 mijë lekë në muaj, i cili ka një efekt vjetor prej 250 mijë dollarësh në vit. Po pse duhet ta marrë këtë pagesë, kur puna e deputetit kjo është. Privilegj tjetër është ai që deputetët përfitojnë pension të lartë nëse të paktën kanë qenë për dy vjet të tillë. Ndërkohë që shqiptarët e tjerë duhet të punojmë 35 vjet për një pension minimal. Të jesh deputet për dy vjet dhe arrin të marrësh pension prej 50 mijë lekësh në muaj! Deputetë, ministra, ish-deputetë dhe ish-ministra që kanë ushtruar mandatet e tyre në disa legjislatura janë të favorizuar nga ligji dhe marrin një pension që shkon mbi 100 mijë lekë në muaj. Një llogaritje e thjeshtë tregon se ish-deputetët dhe ish-ministrat, për çdo 1 lek që derdhin në skemën e pensioneve, marrin mbrapsht 40 herë më shumë. Përveç kësaj, deputetët dhe ministrat, të cilët e përfundojnë mandatin dhe nuk zgjidhen më në legjislaturën e re, kanë të drejtën e një shpërblimi, i cili fillon menjëherë për trajtimin me pagesa kalimtarë në masën 50 % të pagës referuese për aq vite sa kanë qenë në funksion, por jo më shumë se 3 vjet dhe u njihet periudha e sigurimit duke paguar kontributet për këtë periudhë. P.sh. nëse një deputet e mbyll legjislaturën në moshën 52 vjeç, deri në moshën 55 vjeç ai trajtohet me pagesë kalimtare deri në 70 mijë lekë në muaj dhe kur mbush moshën 55 vjeç, del në pension dhe përfiton deri në fund të jetës së tij një pension që sillet nga 50 mijë deri 100 mijë lekë. Pra vetëm shkurtimi i 40 deputetëve çfarë kursimi i sillet buxhetit, të cilin mund ta përdorin për rritjen e pensioneve të vafëra. Por me këtë shkurtim do të realizohej më lehtë edhe dekriminalizimi dhe rritja cilësore e deputetëve. Prandaj reformat duhen filluar nga koka. Edhe pse jemi vend shumë i vogël ne kemi qeveri të madhe me 19 ministri, kur edhe vende të mëdha e kanë me 15 të tilla. Pra me shkurtimin e 4 ministrive, i bie të shkurtohen rreth 1000 kuadro dhe punonjës që i kursejnë shtetit me dhjetra milionë euro në vit.