Gjuha e njësuar letrare- emblema e kombit

Moikom ZEQO

Gjuha letrare mbishquhet kombëtare, sepse është mbidialektoriale. Kjo është një e vërtetë e pakundërshtueshme dhe universale, që dhe afirmon, po edhe mohon. Ose do ta pranojmë këtë të vërtetë, ose ajo nuk do të na pranojë vetë ne. Nuk ka asnjë zgjidhje ekuivoke. Rregulli ekletik “edhe ashtu” “edhe kështu” nuk ka asnjë vlerë. Zgjidhja historike tashmë është bërë. Qe një proces jashtëzakonisht interesant dhe i gjatë, i cili dilemat hamletiane të gjuhëtarëve dhe dualizmin e tyre i ka përcaktuar me një rezultat të gjallë të një rëndësie epokale. Kombi shqiptar duke qenë prej kohësh një realitet de fakto ende nuk është një realitet de jure. Kjo është një kontradiktë tragjike. Në kuptimin e realizimit të vetvetes gjuha është simboli dhe thelbi më i pazëvendësueshëm i kombit, paraqitet si një e ardhme strategjike, madje si kushti më i parë dhe më substancial i njësimit politik të kombit. Fitorja e gjuhës është e jashtëzakonshme nga të gjitha pikëpamjet e perspektivës së rrëzimit të “murit të Berlinit”, midis pjesëve të kombit kaq tragjikisht i ndarë e bile midis dialekteve kaq shumë të diskutuar. Gjuha ka paraprirë si marathonomaku nolian në të tëra tryezat e gjelbra diplomatike, e pakundërshtueshme, tepër serioze dhe e denjë në mesazhin e unitetit të tij. A thua do ta shkatërrojmë me duart tona këtë krye argument ekzistencial? A thua do të teorizojmë edhe për gjuhën “kohën zero”? Nuk e di a ka për kombe të tjera të kontinentit evropian ose të botës “teori” të destruktimit siç ka për shqiptarët. Shqiptarofobia është kthyer në mit politik, madje në gjenocid. Akademikë të ndryshëm të huaj, publicistë, politikanë etj, janë rrekur të formulojnë dhe të shpallin teorikisht mosekzistencën reale të kombit shqiptar, primitivitetin e tij të kultivuar. Nga ana e mirëfilltë shkencore, këto teza groteske, nuk vlen të merren seriozisht. Nga ana politike ato kanë shkaktuar paragjykime jashtëzakonisht të dëmshme që vijojnë të birësojnë jehona e edicione të sofistikuara. Gjuha letrare shqipe ka qenë dhe është më shumë se kurrë një modus vivendi për të mos qenë kurrë një modus moriendi. Mendimi metodologjik i Herman Pault se “ nuk ka gjuhësi pa historicizëm”, na ndihmon që ta kuptojmë procesin, të diskutojmë, madje edhe të kritikojmë gabimet, por jo ta mohojmë atë. Kjo është e pamundur. Kthimi në policentrizmin dialektor sot është një paradoks, ashtu si kthimi pas në kohë e një të rrituri në gjendjen e një fetusi, e bile, më skajshëm në formën e hormoneve te prindërit që para konceptimit të fëmijës. Faik Konica e quan dallimin midis toskërishtes dhe gegërishtes, jo të rëndësishëm, e citon një autoritet të shquar të filologjisë indo-gjermane dr. Holger Pedersen, profesor në universitetin e Kopenhagës, i cili ka shkruar se “gjuha shqipe është një gjuhë e vetme, nëse nuk i marrim në konsideratë disa dallime të vogla të dialekteve”. Mua më çudit se si sot trajtohet në shtyp nga disa, çështja e dallimit midis toskërishtes dhe gegërishtes, duke ulëritur për një gjenocid gjuhësor të toskërishtes mbi gegërishten etj. Integriteti i gjuhës është integriteti i kombit, nuk mund të kemi dy kombe shqiptare brenda një kombi. Nuk ka pasur dhe nuk ka në gjuhën shqipe një kodifikim oruellian si instrument totalitar politik. Sado të ndikojë politika, gjuha është diçka krejt tjetër një entitet tepër i fuqishëm që i tejkalon tërë politikat, mbijetues, sfidues deri në fund. “Zhvillimi i gjuhës, ka shkruar prof. Çabej, karakterizohet nga një proces i dyfishtë: me një anë thjeshtimi i sistemit gramatikor, thjeshtimi progresiv, me anë tjetër pasurimi i elementëve të leksikut... pasuria gramatikore nuk është shenjë kulture. Ajo është një shenjë e gjendjeve primitive të gjuhëve”. Diskutohet kaq shumë për paskajoren, infinitivin. Të jetë apo të mos jetë? Nuk e vendosin gjuhëtarët, e vendos vetë gjuha. Pyes sikur të jetë, ose të mos jetë mos vallë me këtë gjë humb apo fiton ndonjë gjë të madhe gjuha e mbartësit të saj? Nëse Lasgush Poradeci nuk e përdor infinitivin, mos do të thuhet se gjuha e tij është e varfër ose, se talenti iu zvogëlua? Pothuajse të gjithë shkrimtarët aktualë etnikë kudo që janë, me ndonjë përjashtim, shkruajnë në këtë gjuhë normative. Pra, është krijuar një korpus fondamental me kryevepra i gjuhës shqipe. A mund të mohohet kjo gjë? A mund të bëhemi sizifianë duke dialektizuar shkrimet e botuara? Mos vallë duhet të kthehemi në abetaren toske dhe abetaren gege, duke i instrumentalizuar në një absurd të dyfishtë dhe mjetet e mas medies? Që në 1555 Gjon Buzuku, ky patriark i letërsisë sonë synon një koine të gjuhës, një njësim normativ. Shkrimtarët e tjerë që vijnë pas tij, siç e vëren Çabej për Budin dhe Bogdanin, për arsye të thellimit të dallimeve krahinore nga pushtimi osman janë më dialektorë, ndonëse nuk kapërcejnë nga vija kryesore e aksionit madhështor gjuhësor të Buzukut. Alternativa e shkrimtarëve që duan të shkruajnë në gegërishten letrare nuk është e mohuar. Po këto aspekte nuk e përmbysin faktin, pikërisht të rritjes së mëtejshme të forcës autoritative të gjuhës së njësuar dhe mundësive të saj të paskajshme në të gjitha pikëpamjet. Në fund të shekullit XIX Naim Frashëri dhe Faik Konica në gjysmën e parë të shek XX, me fuqinë e tyre konceptuale të jashtëzakonshme nisën institucionalizimin e gjuhës së përbashkët letrare. Noli dhe Lasgush Poradeci krijuan kulme të papërsëritshme të kulturës gjuhësore e të shprehjeve të saj. Shkrimtarët që përmenda më sipër, në fakt nuk vepruan sipas traktateve gjuhësore. Ata e ndjejnë në qenien e tyre tendencën e natyrshme të zhvillimit gjuhësor. Unë mendoj se shkrimtarët, pavarësisht nga gjuhëtarët do të arrinin më përpara në këto vetëdije e rezultat madhor. Ata qenë më të lirë nga komplekset teorizuese të pafundme e shpesh shterpë që ngërthejnë gjuhëtarët. Gjuhëtarët nuk kanë pse të kenë xhelozi për këtë rol dhe aktin e shkrimtarëve, ata mund dhe duhet të jenë krenarë për atë që bënë dhe po bëjnë shkrimtarët. Gjuha normative bëhet më e thjeshtë, po kjo po e shton se tepërmi fuqinë saj komunikatave, në hapësirë e në kohë. Nga ana tjetër gjuha normative nuk e pakëson, por e shton pafundësinë e formulave të saj të brendshme gjuhësore, estetike e shprehëse, të metaforizmit të pafund. Gjuhën e flet individi po e gjeneralizon kolektivi në këtë marrëdhënie të shumëfishtë gjuha gjallërohet, pasurohet. Pra, gjuha është më shumë një energeia se sa ergon, ky është dhe boshti i filozofisë së gjuhës sipas Humboldit. Kalimi nga faza dialektore në fazën e gjuhës së njësuar është një ndryshim kopernikan. Gjuha letrare kombëtare e ngjashme me emblemën tonë vetëm na bashkon. Askush nuk ka dyshuar, se nga kjo shqiponjë e shenjtë heraldike, duke e ndarë do të krijoheshin dy shqiponja më vete. Ajo është vetëm një dhe do të mbetet vetëm një. Në shekuj. Në Ardhmëri. 
Tiranë, më 21 nëntor 1992