Frank SHKRELI/ Shprehen shqetësime për eliminimin e VOA-s në shqip

548
Sigal

Disa ditë më parë, “Zëri i Amerikës” transmetoi lajmin se, Bordi i Guvernatorëve për Transmetimet, agjencia e qeverisë amerikane që mbikëqyr të gjitha transmetimet ndërkombëtare, përfshirë edhe “Zërin e Amerikës”, njoftoi hollësitë e propozimit për buxhetin e vitit financiar 2015, ku parashikohet eliminimi i transmetimeve në gjuhët e Ballkanit, përfshirë programet e VOA-s në gjuhën shqipe. Projektbuxheti për vitin e ardhshëm, në qoftë se me të vërtetë zbatohet në formën e tanishme, do të eliminonte programet që transmetohen për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Serbinë. Përveç këtyre, projekt buxheti parashikon edhe shkurtime të tjera në programet drejtuar vendeve të tjera të botës, por shënon edhe ngritje të buxhetit për disa transmetime në gjuhë të tjera, sidomos për programet drejtuar Azisë dhe Afrikës. Kuptohet se, ky lajm nuk u prit mirë nga shumë qarqe, përfshirë natyrisht edhe gazetarët e Zërit të Amerikës. Njoftimi i VOA-s për shkurtimet në fjalë, citoi Kryetarin e Sindikatës që përfaqëson shumë nga gazetarët e këtij enti, z. Dave Allison, të ketë thënë me atë rast se: “Me eliminimin e këtyre shërbimeve, “Zëri i Amerikës” po “tërhiqet” nga misioni i tij historik që filloi në vitin 1942”. Ai tha se, punonjësve të programeve për Ballkanin iu mbushën sytë me lot pasi mësuan se shërbimet e tyre përballen me eliminimin.

Megjithëse, siç duket, lajmi shqetësues për eliminimin e mundshëm të programeve shqip të “Zërit të Amerikës” është vështirë të merret me mend dhe të absorbohet nga dëgjuesit dhe shikuesit e rinj dhe të vjetër. Reagimet shqetësuese në lidhje me këtë propozim kanë filluar të shfaqen privatisht dhe zyrtarisht nga komuniteti shqiptaro-amerikan, si edhe nga amerikanë, të cilët janë përkrahës të “Zërit të Amerikës” dhe të enteve të tjera të transmetimeve ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Unë kisha një takim të shtunën me asamblistin shqiptaro-amerikan, z. Mark Gjonaj, i cili shprehu shqetësimet e tija të thella në lidhje me eliminimin e mundshëm të programeve të VOA-s në gjuhën shqipe. Por ai, njëkohësisht, shprehu edhe gatishmërinë e sinqertë të tij për të bërë çdo gjë të jetë e mundur për të ndaluar hyrjen në fuqi të këtij projektbuxheti për mbylljen e programeve të VOA-s drejtuar Ballkanit. Si masë fillestare të përpjekjeve të tija në mbrojtje të VOA-s shqip, asamblisti shqiptaro-amerikan, z. Mark Gjonaj i ka nisur një letër Kryetarit të Bordit të Guvernatorëve për Transmetimet, z. Jeff  Shell, ku shpreh shqetësimet e tij dhe të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në lidhje me planet për shkurtimet e propozuara. Ai i drejtohet kryetarit të Bordit, duke i shfaqur shqetësimet e tija të thella në lidhje me shkurtimet e planifikuara në buxhetin e Bordit për vitin 2015, si dhe për planet për të eliminuar programet drejtuar shqiptarëve në Ballkan.

                    Asamblisti i Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj

Në letrën e tij, kopje të së cilës i ka dërguar, ndër të tjerë dhe kongresmenëve amerikanë, Eliot Engel dhe Joseph Crowley, asamblisti, Mark Gjonaj thotë se: “Ndërkohë që, tensionet botërore janë në rritje e sipër dhe ndërsa paqja në Ballkan nuk është stabël, tani nuk është koha për të bërë shkurtime të programeve drejtuar Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit.”.  Z. Gjonaj vazhdon letrën e tij, duke theksuar se: “Përpjekjet e Rusisë për të zgjeruar influencën e saj në Europën Lindore, shpeshherë nëpërmjet medias së kontrolluar, nënvizon nevojën e informimit të njerëzve nga një burim i balancuar dhe i besueshëm lajmesh”. “Për më tepër, -thotë asamblisti shqiptaro-amerikan- “Media vendore në Ballkan shpesh manipulohet për t’i shërbyer interesave të partive në pushtet ose individëve të fortë, në kurriz të së vërtetës, të fakteve dhe të interesave të Perëndimit”. Z. Gjonaj vazhdon letrën e tij, duke theksuar rolin e rëndësishëm të medias së lirë, se, “Media është metoda më efektive për të diskurajuar forcat ekstremiste për të depërtuar dhe për të vendosur praninë e tyre në rajon… dhe se thelbi i konflikteve të përgjakshme në Ballkan mund t’i atribuohet disinformimit dhe shtypjes së informacionit të lirë.”  Ai theksoi rëndësinë e rolit të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe duke shkruar se: “Komuniteti shqiptar varet në shërbimet e “Zërit të Amerikës” për lajme dhe informacione të balancuara dhe të pa censuruara”.   Asamblisti shqiptaro-amerikan, z. Mark Gjonaj e përfundon letrën e tij duke thënë se: “Me qëllim që të mbrohen interesat e Shteteve të Bashkuara, “Zëri i Amerikës” duhet të vazhdojë të shërbejë si burim i besueshëm lajmesh dhe informacioni”. Ndërkaq, edhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) njofton se, në mbështetje të VOA-s, ka filluar kontaktet me anëtarët e Kongresit Amerikan, si dhe me ente të ndryshme qeveritare, që merren me politikën e jashtme dhe me transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Kryetari i bordit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, z.Martin Shkreli lavdëroi punën dhe rolin që VOA-s shqip ka luajtur deri tani në informimin e shqiptarëve dhe u angazhua se, organizata që ai kryeson do të bëjë çdo gjë që është e mundur që Bordi i Guvernatorëve për Transmetimet të ndryshojë propozimin e tij për eliminimin e VOA-s shqip. Ai tha se, KKSHA, nëpërmjet zyrës së saj në Uashington, në lidhje me këtë çështje: “Është në kontakt me anëtarët e grupit të kongresistëve që merren me çështjet shqiptare në Kongresin amerikan, për të siguruar përkrahjen e tyre, për vazhdimin e programeve të shërbimit shqip të “Zërit të Amerikës”. Kryetari i KKSHA, e cilësoi Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe si: “Një burim jetik dhe i pazëvendësueshëm lajmesh dhe informacioni për Shqiptarët në trojet tona në Ballkan dhe më gjerë…si një burim i rëndësishëm lajmesh dhe analizash dhe si një shembull standardesh të gazetarisë perëndimore”. Përveç reagimeve të komunitetit shqiptaro-amerikan kundër planeve për mbylljen e programit shqip të VOA dhe të gjuhëve të tjera drejtuar Ballkanit, edhe ente amerikane dhe individë të interesuar – disa kanë reaguar publikisht e disa privatisht -,por të cilët janë të vetëdijshëm mbi rolin që ka luajtur dhe luan VOA në Ballkan, u janë bashkuar reagimeve kritike, duke bërë thirrje për eliminimin e këtij projekt buxheti dhe jo mbylljes të shërbimeve të VOA-s drejtuar vendeve të Ballkanit. BBG Watch, një organizatë që merret me median botërore, në websajtin e saj pasqyron letrën e lartpërmendur të asamblistit shqiptaro-amerikan nga Nju Jorku, Mark Gjonaj dhe njëkohësisht shpreh përkrahjen ndaj VOA-s, por edhe shqetësimet e saj në lidhje me shkurtimet e propozuara në transmetimet ndërkombëtare të Amerikës. BBG Watch thekson se: “Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ka aleatë të fortë në Kongresin Amerikan, të cilët përkrahin zgjerimin dhe jo shkurtimet në transmetimet ndërkombëtare amerikane.”. BBG Watch, përmend Kongresistin Eliot Engel dhe Joseph Crowley. BBG Watch shkruan gjithashtu se, edhe enti tjetër jo-qeveritar, Komisioni për Transmetimet Ndërkombëtare (CUSIB), është tepër i shqetësuar në lidhje me eliminimet e propozuara të programeve të VOA-s, drejtuar Ballkanit.  BBG Watch, citon një burim të besueshëm dhe që i njeh mirë transmetimet ndërkombëtare të Amerikës, i cili bën thirrje për emërimin e një menaxheri të fortë që të njohë mirë organizatën dhe mënyrën se si funksionon ajo, ashtu që ta kthej atë në një media efektive ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, e cila gëzon njëkohësisht edhe përkrahjen e grupeve të interesuara amerikane siç është komuniteti shqiptaro-amerikan dhe të tjerë. Ky është vetëm fillimi. Procesi i miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm financiar është një proces i gjatë dhe i koklavitur. Historikisht, buxhetet federale gjatë procesit të shqyrtimit dhe miratimit ose jo, pësojnë ndryshime të mëdha dhe shpeshherë as nuk i përngjajnë buxhetit të paraqitur tani. Kështu që, megjithëse ka më shumë se një vit nga koha, që pas debateve të gjata e të ashpra, hyn në fuqi buxheti i vitit 2015, nuk është aspak herët që qysh tani të ushtrohet influenca e çdo personi dhe e çdo organizate që ia di vlerën VOA-s, duke kontaktuar përfaqësuesit tuaj në Kongresin dhe në Senatin Amerikan -në cilindo shtet të Amerikës që të jetoni – ashtu që eliminimi i propozuar i programeve të VOA-s shqip të mos bëhet realitet.