Frank Shkreli/ Përpjekjet ruse për të përçarë perëndimin

544
Sigal

Kryetari i Këshillit të Europës, Donald Tusk vizitoi të hënën Shtëpinë e Bardhë, ku u takua me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama për të biseduar mbi një numër çështjesh të interesit të përbashkët, por çështja kryesore e bisedimeve ishte gjendja në Ukrainë. Gjatë vizitës së Donald Tusk në Washington, udhëheqësi amerikan dhe Kryetari i Këshillit të Europës theksuan se është e nevojshme dhënia e një përgjigje të fortë Rusisë, për shkak të rolit që ajo po luan në krizën që ka kapluar Ukrainën. Z. Tusk i tha Presidentit Obama se Rusia po përpiqet të krijojë përçarje në radhët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian si dhe midis Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Kryetari i Këshillit të Europës, i cili më parë ishte Kryeministër i Polonisë, në takimin e tij me Presidentin Obama nuk hezitoi të thoshte troç ato që mendonte në lidhje me përpjekjet e Rusisë për të përçarë botën perëndimore, duke pohuar se, “Armiqtë tanë të cilët përdorin propagandën kundër nesh, kryejnë akte dhune dhe shkelin sovranitetin e fqinjëve tanë. Ata duan të dobësojnë komunitetin politik të botës perëndimore. Ata po përpiqen të na përçajnë brenda Europës dhe të fusin grindje midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara”. Udhëheqësi europian bëri thirrje për unitet në lidhje me sanksionet kundër Rusisë si ndëshkim për ndërhyrjen e saj në Ukrainë, duke thënë se, “Kur ne jemi të bashkuar, ne do të ndalojmë politikën agresive të Rusisë kundër fqinjëve të saj. E kaluara”, shtoi ai, “ka treguar se kur ishim të bashkuar, ne mundëm të luftonim me sukses terrorizmin dhe të arrinim suksese në fushën e ekonomisë dhe të tregtisë së lirë”.

 Zgjedhja e z. Donald Tusk në detyrën e kryetarit të Këshillit të Europës vitin që kaloi, pati tërhequr vëmendjen jo vetëm, sepse ai është i pari nga Europa Lindore ish komuniste që u zgjodh në atë post të lartë të burokracisë europiane, por edhe për faktin se ai i takon një brezi politikanësh polakë dhe europianë, i cili 25 vjet më parë – në një moshë të re – u gjend në frontin e luftës kundër komunizmit. Si student, Donald Tusk ishte shumë aktiv në Lëvizjen antikomuniste polake, “Solidarnost”, e cila fillimisht sfidoi komunizmin dhe 25 vjet më parë mundi regjimin komunist polak. Prandaj nuk është aspak e çuditshme që z. Tusk, edhe në ditët e sotme, nuk e fsheh admirimin e tij për ish-Presidentin amerikan Ronald Reagan dhe për ish-Kryeministren britanike Margareth Thacher, të cilët konsiderohen ndër protagonistët kryesorë që kontribuuan drejt shembjes së komunizmit në Europën Lindore dhe Qendrore. Z. Tusk, si polak e di mirë se çfarë çorbe mund të jenë duke servirur rusët në Europë.

 Duke pasur parasysh këtë të kaluar të z. Tusk, si edhe prejardhjen e tij nga Polonia, si një vend që historikisht ka patur marrëdhënie të vështira dhe të tensionuara me Rusinë, por që është një vend i vendosur pro-amerikan, nuk është për tu habitur për seriozitetin me të cilin ai shikon ndërhyrjet e Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjet e Moskës për të përçarë vendet europiane si dhe Europën nga Amerika. Duke iu referuar politikës agresive ruse, Kryetari i Këshillit të Europës u shpreh në takimin e tij me Presidentin Obama se, “Historia brutale është kthyer tek ne – një histori brutale me një “fait açompli” politike”. Prandaj, shtoi ai, “kjo është arsyeja që është aq e rëndësishme që Europa dhe Amerika të flasin me një zë dhe të veprojnë së bashku, sepse ç’do të jemi nesër, varet nga ajo që bëjmë sot”, theksoi ai.

 Para se të udhëtonte për në Washington, Donald Tusk i dha një intervistë gazetës New York Times, në të cilën ai tha se “Marrëdhëniet transatlantike janë boshti, i jo vetëm marrëdhënieve midis dy kontinenteve tona, por ato garantojnë gjithashtu se vlerat tona të demokracisë, tregjet e lira, lëvizja e lirë dhe të drejtat e njeriut bazohen në një fuqi të vërtetë”, që i mbështet ato. Ai i tha gazetës amerikane se konflikti në pjesën lindore të Ukrainës dhe aneksimi rus i Krimesë, është vetëm një nga shumë kriza që kërcënojnë tani sigurimin e Europës dhe një situatë e tillë nevojit një qëndrim të bashkërenduar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Mesazhi i qartë i Kryetarit të Këshillit të Europës, Shtëpisë së Bardhë u duk si tepër urgjent!

 Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov reagoi të martën ndaj deklaratave të Kryetarit të Bashkimit Europian, z. Donald Tusk në Washigton, duke e akuzuar atë se po “nxit tensionet” midis Moskës dhe Bashkimit Europian.

 Gjatë takimit, Presidenti Obama pohoi se “me gjithë sfidat me të cilat përballemi dhe një prej tyre është gjendja e krijuar në Ukrainë”, tha ai, uniteti transatlantik është më i fortë se kurdoherë më parë. Ai lavdëroi marrëveshjen e Minsk-ut për një armëpushim në Ukrainë që u arrit kohët e fundit me ndërmjetësimin e Kancelares së Gjermanisë Angela Merkel dhe të Presidentit të Francës, Francois Hollande, por z. Obama shtoi se në qoftë se nuk zbatohet dhe në qoftë se nuk monitorohet armëpushimi, marrëveshje të tilla nuk kanë ndonjë vlerë”. Nga ana e tij, Presidenti Obama e siguroi Kryetarin e Këshillit të Europës se, “Të gjithë ne jemi të zotuar për të mbështetur parimet bazë të sovranitetit dhe integritetit territorial, parime këto që kërcënohen nga agresioni i Rusisë”. Z. Obama u shpreh duke thënë se “kemi ruajtur unitetin e fortë përsa u përket sanksioneve ekonomike”, kundër Rusisë. Është e rëndësishme, tha presidenti amerikan, që të vazhdojmë presionin ndaj Rusisë dhe separatistëve rusë që të zbatojnë marrëveshjen e Minsk-ut.

Ndërkaq, si pjesë e diplomacisë transatlantike mbi agresionin rus në Ukrainë, gjatë një takimi me udhëheqësit e ri të Bashkimit Europian në Bruksel javën që kaloi, Zëvendës Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi me ta mbi gjendjen në atë vend duke thënë se, “Ukraina po lufton për të mbijetuar si shtet”. Rusia, shtoi z. Biden, vazhdon të përkeqësojë konfliktin duke dërguar në Ukrainë mercenarë dhe tanke. Si përfundim, shtoi ai, “Shtetet e Bashkuara dhe Europa në tërësi, në këtë moment të vështirë për atë vend, duhet të qëndrojmë krah për krah në mbështetje të Ukrainës. “Rusia nuk mund të lejohet të ndryshojë hartën e Europës, pasi kjo është ekzaktësisht ajo që janë duke bërë rusët. “Në takimin e tij me Kryetarin e Këshillit të Europës, Donald Tusk në Bruksel, Zëvendës Presidenti amerikan Biden, akuzoi Rusinë se është duke përdorur dy mjete të reja agresive të politikës së jashtme të cilat i ka kthyer në armë agresioni – përdorimin e oligarkëve dhe korrupsionin, si dhe përdorimin e energjisë si mjete për projektimin e politikës së jashtme të Kremlinit.

Duket se urgjenca e diplomacisë intensive perëndimor në Bruksel dhe në Washington, në lidhje me gjendjen në Ukrainë, solli të mërkurën në Washington edhe ministrin e Jashtëm të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, i cili zhvilloi një takim me Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, ku një prej çështjeve kryesore që ata biseduan ishte edhe gjendja në Ukrainë. Ne ngulim këmbë, tha z. Kerry se “Rusia duhet t’i japë fund përkrahjes ndaj shkeljeve të integritetit dhe sovranitetit të Ukrainës”. Ai shtoi se “kjo, është e domosdoshme në qoftë se duam të sigurojmë një Europë të tërë, të lirë dhe në paqe”, theksoi kryediplomati amerikan.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë gjatë takimit në Departamentin Amerikan të Shtetit, kujtoi vizitën e John Kerry-t në Berlin nëntorin që kaloi me rastin e 25-vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit, duke thënë se “ajo ishte një ditë që na kujtoi të gjithë ne vlerat e mëdha në bazë të cilave jetojmë, vlera të cilat të dy vendet tona i mbrojnë dhe për të cilat janë të gatshme të luftojnë”, u shpreh kryediplomati gjerman. Ndërsa në një deklaratë për media, para se të nisej për në Washington, z. Steinmeieru shpreh se qëndrimet e tyre do të jenë më të forta, në qoftë se, “Europa dhe Shtetet e Bashkuara veprojnë së bashku, dhe në qoftë se Berlini dhe Washingtoni veprojnë në mënyrë të koordinuar”.

Ndërkaq, ish-Kryeministri rus, Mikhail Kasyanov në një intervistë për Radio Europa e Lirë muajin që kaloi, paralajmëroi Bashkimin Europian se në qoftë se nuk i pritet hovi Presidentit rus Vladimir Putin tani në Ukrainë, ai do të ketë edhe “objektiva të tjera të politikës së tij” agresive. Z. Kasyanov di se ç’flet, sepse ai e njeh mirë Vladimir Putinin, pasi ai kishte postin e Kryeministrit nën pushtetin e Putinit nga viti 2000 deri në 2004.

Le të shpresojmë se shqetësimet e shprehura dhe paralajmërimet e bëra nga Kryetari i Këshillit të Europës, Donald Tusk, në lidhje me agresivitetin e politikës së jashtme ruse dhe të kërcënimeve të Moskës ndaj fqinjëve të saj, të merren seriozisht dhe të dëgjohen me vëmendje dhe me seriozitetin më të madh në Washington, në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve europiane, para se të jetë tepër vonë. Përfshirë këtu edhe Tiranën, ku sipas disa burimeve, thuhet se kohët e fundit vihet re një lloj agresiviteti dhe tendencë biznesmenësh rusë – ose oligarkë të korruptuar për të cilët paralajmëroi Zëvendës Presidenti amerikan JoeBiden në Bruksel javën që kaloi – që po tentojnë të futen në Shqipëri, sipas këtyre burimeve. I shtoj kësaj edhe reagimin e ashpër të disa gazetave ruse ditë e fundit, në lidhje me deklaratën e kohëve të fundit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë mbi nevojën për të luftuar korrupsionin, si dhe deklaratën e ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergey Lavrov mbi Kosovën.

E gjithë kjo duket si një ëndërr e keqe, shumë e frikshme. Ujëra të turbullta duan rusët për të peshkuar! E këto ujëra të turbullta krijohen, siç ka thënë vitin që kaloi në Munich, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry duke iu referuar shfaqjeve të autoritarizmit në Europën Lindore kur, “aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, të interesave të oligarkëve, të interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave jo-qeveritare”, ka thënë zoti Kerry. Një atmosferë e tillë politike në cilindo vend qoftë, paraqet një kthim mbrapa në zhvillimin e vendeve ish-komuniste dhe ngjall një shqetësim të përhershëm ndaj qëllimeve afatgjata të politikës ruse në Ballkan dhe në Europën Qendrore dhe Lindore, shqetësim për të cilin paralajmëroi Kryetari i Këshillit të Europës, z. Donald Tusk gjatë takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara – për ata që kanë veshë e duan ta dëgjojnë!