Petrit Vargu*/ Ministri i radhës dhe sejmeni puthador

570
Sigal

Me shqetësim, vërej që Ministria e Shëndetësisë, e paraprirë nga ministri i saj, gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet shëndetësia shqiptare, mundohet ta kamuflojë edhe me një propagandë marramendëse për të paraqitur një shëndetësi ndryshe. Duan të na bëjnë të besojmë që në shëndetësi po shkon gjithçka vaj sipas parashikimeve, se reforma ka filluar dhe se priten rezultatet e saj. Këtë situatë, ne, një grup mjekësh, e kemi denoncuar deri në pikën që ndonjë njeri i pa informuar dhe që nuk e njeh realitetin nga brenda, mund të arrijë në konkluzionin e gabuar që shtysa është ndonjë ego apo inat personal. Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe ambasadori i porsaardhur i SHBA-së, në mbledhjen e parë me argument shëndetësinë, dha mesazhin që ndryshimet në shëndetësinë shqiptare po ndiqeshin me interes të veçantë dhe si konkluzion ishte që shqiptarët kanë një mjekësi që lë për të dëshiruar dhe se duhet të bëhen reformat e vërteta. Ambasadori i shtetit më potent të botës foli qartë, pastër, direkt, pa lënë asgjë që të nënkuptohet ose të interpretohet, por në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë, sipas një stili tashmë të kolauduar mirë, kritikat nuk u vunë në pah.

Është bërë ritual i neveritshëm shprehja ndihmës-dhënëse për ministrin e radhës dhe për sejmenin puthador, që servilizmin ka si të vetmen armë në jetë. E rëndomtë dhe e vjetër sa demokracia në Shqipëri është shprehja që nuk mund të bësh mjekësi, për më tepër shëndetësi, me një GDP 2.7% në vit. Sejmeni puthador dhe ministri i radhës, këtë radhë harron që vendet që ata marrin për sistem referimi, nuk marrin grante dhe zhyten në kredi tregtare për të përmirësuar shëndetësinë. Më saktë, ministri aktual i radhës ka një kredi interesante nga CEB, si për spitalin e Tiranës ashtu edhe për atë të Shkodrës. Ka një kredi nga Banka Botërore, një kredi nga Kooperacioni Italian, një kredi nga qeveria Austriake, një grant nga qeveria Zvicerane etj.. E çdo më tepër ministri ynë? Po sejmeni puthador i tij? Problemi është, nëse dimë apo nuk dimë që ketë fluks parash që vijnë nga jashtë ta drejtojmë aty ku shëndetësia kërkon ndihmë, aty ku mjekësia jep klithmat për nevoja emergjente, aty ku pacientëve u jepet shpresa, aty ku popullit i rritet jetëgjatësia.

Problemi është, që përveç projekteve të cilat janë fiksuar që më parë, indikacionet për projekte të reja lënë vërtet për të dëshiruar.

Si mund të çosh përpara organizmave botërore prestigjioze projekte për rikonstruksione ndërtimore të pjesëve të QSUT-së “Nënë Tereza”? Çfarë figure bëjmë përpara këtyre organizmave, ku si pjesë të reformës fusim tulla e llaç etj…? Me falni, edhe sifona haleje, se i harrova.

Mediokriteti arrin deri aty, sa për disa profesorë që janë shkaktarë për të mos bërë as zgjedhjet e profesorëve, për të mos i hequr ata nga kryetarë (pasi moralin për të dhënë dorëheqjen nuk e kanë), u shtohen shtretërit dhe duan t’i fusin në strukturën themelore të spitalit (gjashtë katëshit).

Duke ju referuar vveb-sitit të Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë qesharake, si shkak për këtë lëvizje, merret shtimi i numrit të urgjencave në QSUT-së.

Për mjekët e urgjencës, heronjve të harruar, nuk ka asnjë lloj sadisfaksioni të përmirësimit të kushteve të punës, përkundrazi, ata sot punojnë pa të vetmen eko kardiake që kanë, pasi është prishur ashtu si dhe dy skanerat e tjerë.

Pa u zgjatur shumë, mendoj që ka ardhur koha të mendohet seriozisht për fillimin e reformës, por që të bëhet kjo, duhet që drejtuesit e shëndetësisë të shkëputen përfundimisht nga njerëzit që e kanë zhbërë mjekësinë. Nga ai grup i vogël profesorësh të dalë nga ajo natë dimri, kur me urdhër të Partisë Demokratike, 40 mjekë ranë në gjumë si mjekë me kualitete dhe u gdhinë profesorë. Tashmë që është e qartë që 5 shtyllat e reformës nuk janë gjë tjetër, veçse 5 fije bari të thara që nuk bëjnë reliev, në humbëtirën ku ndodhet shëndetësia shqiptare, duhet të kihet guxim që të bëhet reforma. Më mirë vonë se kurrë! Partia Socialiste të vendosë në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, njerëz me kontribute, njerëz që dinë shumë nga drejtimi i shëndetësisë, njerëz që nuk kanë lidhje me kulisat dhe që duan ta përdorin shëndetësinë për interesa të veta. Të kihet guxim dhe të krasiten degë të thara të cilat nuk kanë sjellë asnjë lloj përmirësimi në infrastrukturën ndihmëse të shëndetësisë, siç është rektorati që, përveç kostos financiare, i jepte Partisë Socialiste edhe kosto morale. Boll të mendosh, që edhe këtij rektori 1 vit të komanduar, i ka skaduar afati dhe të gjithë pëshpëritin përse nuk e largojnë, ose më saktë përse nuk mbyllet kjo hallkë e tepërt që quhet Rektorati i Shëndetësisë. Kasta e vjetër që ka kapur për fyti kreun e shëndetësisë dhe që është bërë burim pengese për dhjetëra e dhjetëra mjekë të rinj me specializime jashtë shtetit, duhet me doemos të largohet dhe t’i hapet rruga mjekëve të rinj, trurit të specializuar jashtë shtetit me mendësi dhe ritëm të ri.

Kush nuk di dhe nuk ka guximin, bën mirë të ketë moralin të largohet, pasi fatura financiare dhe jo vetëm në drejtimin e shëndetësisë, po bëhet gjithmonë e më e rëndë. Kush do ta kuptojë, është i lutur ta kuptojë. Më thjeshtë dhe më shqip se kaq, nuk ka se ku të shkojë.

Prandaj admirova Z. Donald Lu kur foli shqip për shëndetësinë!

*Mjek në repartin e Urgjencës Polivalente në QSUT “Nënë Tereza”