Frank Shkreli/ Në Tiranë do të mbahet takimi i parë i diasporës shqiptare

76
Javët e fundit, anë e mbanë komunitetit shqiptaro-amerikan janë përhapur ftesa në adresë të organizatave të ndryshme dhe individëve të dalluar shqiptaro-amerikanë nga Ambasada e Shqipërisë në Washington, për të marrë pjesë në atë që cilësohet si “Samiti i Diasporës”, që do të zhvillohet në Tiranë, më 18-20-nëntor të këtij viti. Ftesa është e nënshkruar nga Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, i cili pati njoftuar këtë iniciativë gjatë vizitës së tij të fundit, prillin që kaloi, në Shtetet e Bashkuara. Me atë rast, duke folur në New York para disa përfaqësuesve të komunitetit, kryeministri shqiptar e përcaktoi objektivin e këtij “samiti” duke u shprehur se, “Do të jetë një Samit ku qeveria dhe aktorë të tjerë kombëtarë do të diskutojnë me diasporën. Të ndërtojmë sa më shumë ura dije”, ka thënë Z. Rama. “Samiti, një moment për të treguar se ne mund të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës, por gjithmonë të bashkuar rreth vlerave tona, gjuhës dhe identitetit tonë unik shqiptar. Një moment për të diskutuar mbi rrugët dhe mënyrat e bashkëpunimit me shembuj suksesi nga heronjtë e diasporës”. Unë e kam përshëndetur dhe e kam vlerësuar këtë nismë ç’prej fillimit si historike, si e para e këtij lloji që duhet të përshëndetet nga të gjithë pa marrë parasysh dallimet politike që mund të ekzistojnë midis nesh, sidomos po të merret parasysh trajtimi i deri tanishëm i diasporës nga Tirana zyrtare, e veçanërisht në qoftë se takimi organizohet edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës së Republikës së Kosovës.

 Ky fakt në vet vete i jep këtij takimi një domethënie edhe më të rëndësishme kombëtare. Me thënë të drejtën dhe duke mos dashur të futem në polemika boshe, mua nuk më intereson nëse ky takim organizohet nga kjo ose ajo qeveri, por e shikoj këtë rast si një mundësi nga e cila duhet të përfitojë kombi shqiptar. Si një rast jo vetëm për të njohur kontributet e vyera prej dekadash të diasporës në përgjithësi dhe komunitetit shqiptaro-amerikan në veçanti, të cilin e njoh më mirë, në krahasim me diasporat e tjera shqiptare anë e mbanë botës. Ndoshta më shumë se një “samit”, në të vërtetë takimi në Tiranë duhet të jetë fillimi i një dialogu të mirëfilltë kombëtar, dialog i cili ka munguar për një kohë të gjatë. Fatkeqësisht, 100 vitet e fundit kanë njohur vetëm ndasi e përçarje në radhët e kombit shqiptar, ndërsa diaspora shqiptare, sidomos ajo në Amerikë, historikisht më aktivja në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar është konsideruar madje edhe si armiqësore dhe tradhtare nga ish-regjim komunist i Shqipërisë. Në kohën e komunizmit, kjo diasporë luftohej me të gjitha mjetet, si nga regjimi i Enver Hoxhës, ashtu edhe nga regjimi slavo-komunist i Beogradit. Ndoshta jo me të njëjtin koordinim, por të dy palët luftonin për të njëjtin qëllim: për ta përçarë dhe për ta shkatërruar diasporën shqiptare si një forcë që luftonte në interes të të drejtave të shqiptarëve kudo. Ishte krijuar një atmosferë e fenomenit “ne dhe ata”, e cila fatkeqësisht as sot 25 vjet post-komunizëm nuk është zhdukur krejtësisht në marrëdhëniet ose në mungesën e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me diasporën shqiptare në Amerikë. 

Ishte një kohë fatzezë, kur përfaqësuesit e regjimit enverist pranë Kombeve të Bashkuara, për dekada me radhë, në krye të aktivitetit të tyre “diplomatik” nuk bënë gjë tjetër veç mbollën frikë, mosbesim, grindje, ndarje dhe përçarje në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, në një kohë kur ky komunitet, me dinjitet dhe plot atdhedashuri dhe në mungesë të një përfaqësie diplomatike shqiptare përpiqej të luante rolin e ambasadorit ose të Ambasadës Shqiptare në Washington. Diaspora shqiptare në Amerikë e ka treguar, historikisht, se ashtu siç është shprehur edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerry në konferencën e vitit të kaluar mbi rolin e diasporës, përfaqësuesit e këtyre komuniteteve në Amerikë, “Janë ndër ambasadorët më të mirë që mund të kemi”. E vërteta është se edhe gjatë periudhës post-komuniste ka patur prirje nga partitë politike ose politikanë të veçantë shqiptarë që të ndikojnë negativisht në komunitet, duke pasqyruar fatkeqësisht – edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan të kohëve të sotme – ndasitë dhe përçarjet që ekzistojnë në politikën aktuale zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës. Samiti do të merrte me të vërtetë një pamje mbarë kombëtare dhe tolerance politike, në qoftë se përveç Kryeministrit dhe përfaqësuesve të tjerë të qeverisë aktuale – përfaqësuesve të diasporës do t’u drejtoheshin edhe presidenti i vendit dhe opozita. Një gjë e tillë, do të pasqyronte vlerat më të mira stërgjyshore të shqiptarëve, por edhe vlerat perëndimore të tolerancës politike dhe do të shërbente si një rast për të, “bashkuar forcat e për të ndërtuar një bashkëpunim në të mirën e përbashkët”, siç thuhet në ftesën e Kryeministrit Rama. Për ndryshe, në mungesë të kësaj, Samiti i Nëntorit do të konsiderohet si një dështim i radhës, i një përpjekjeje me qëllim të mirë, por që e mbyti politika. 

Një dështim i objektivave të shprehura të samitit për avancimin e bashkëpunimit do të ishte një dështim për të gjithë. Kjo është arsyeja që unë e shikoj si një hap të parë mjaft pozitiv njoftimin për këtë të ashtuquajtur “samit” në Tiranë, “pa dallim e pavarësisht nga origjina”, siç cilësohet në ftesën. Një samit, i cili në qoftë se nuk drejtohet dhe nuk keq-përdoret për interesat politike të momentit, por i cili udhëhiqet vërtetë nga interesat kombëtare, politike dhe ekonomike afatshkurtra dhe afat-gjata, të vlerësojë pa dallim rolin dhe angazhimin historik të diasporës shqiptare të vjetër e të re gjatë dekadave, në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, pa marrë parasysh zhvillimet politike aktuale në trojet shqiptare. Në ftesën dërguar përfaqësuesve të diasporës shqiptare në këtë “samit”, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama shprehet se “samiti” duhet të shërbejë si një rast për “promovimin e imazhit dhe vlerave tona më të mira”. Për nga fakti se shumë prej nesh jetojmë në Shtetet e Bashkuara, për pothuaj gjysmë shekulli ose më shumë, ne u jemi përshtatur vlerave politike dhe morale të këtij vendi. Andaj vlerat tona janë vlerat perëndimore të gërshetuara me vlerat, historikisht, më të mira të kombit shqiptar. Njohja e këtij fakti në vetvete nga organizuesit e këtij “samiti” – si hap i parë – do të ndihmonte sadopak në vendosjen e urës dhe të lidhjeve të munguara për një kohë të gjatë mes Atdheut dhe diasporës shqiptare, sidomos asaj në Amerikë dhe do të kontribuonte njëkohësisht drejtë zhdukjes së mentalitetit “ne dhe ata”, gjithmonë kundër njëri-tjetrit, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. 
Ish-drejtori i VOA-s për Euroazinë