Muharrem Meko/ Administratës së “Rilindjes” i mungon vetëm qeveria Berisha

290
Kur dëgjon opozitën, që me gojën e kryetarit të saj të anatemojë vazhdimisht për përbërjen dhe funksionimin e administratës, sinqerisht të vjen të shkulesh mishin; përderisa në të gjithë piramidën shtetërore, nga ajo e djeshmja administratës i mungon vetëm Berisha dhe kabineti i tij! Natyrisht edhe rrjeti i “korrespodentëve” nga lart-poshtë në bazë ca këshilltarë e ca drejtorë… dhe vetëm kaq! Ne që e dimë se edhe kultura e ndëshkimit në Shqipëri, në raport me sulmet e kundërshtarëve politikë shkrihet drejt zeros; me argumentin e “mbrojtjes së saj “nga kundërshtari, kemi të drejtë të mendojmë se s’është çudi, që SHQUP e ka ndërtuar këtë sjellje të veten, si një taktikë, në funksion të ruajtjes së kontingjenteve të saj, nëpër të gjitha nivelet e administratës! 
Marrëdhëniet e kryeministrit me administratën
Unë për veten time vazhdoj të kem rezerva, për sa i takon ngritjes dhe marrëdhënieve që ndërtoj “Rilindja” me administratën; veçanërisht, në dy aspekte… E para, ngritja e piramidës drejtuese, përgjatë gjithë niveleve të saj me individë të pa spikatur brenda vet PS, me keq akoma edhe me nga ata që as ua kishim dëgjuar kurrë emrin, përgjatë tetë viteve opozitë dhe se dyti, ruajtja e “pacenuar” e administratës shtetërore, aq sa gati në të gjitha zyrat e shtetit janë të njëjtat fytyra, a thua se nuk ka ndodhur fare rotacioni politik, në Shqipërinë e 2013-ës. 
Mënjanimi i socialistëve të vërtetë
Për të parën besoj se, nuk jam i vetëm; kur të gjithë biem dakord se si u s’postuan e u lanë në mënjanë, personalitetet e fushave të ndryshme, për t’u zëvendësuar me individë që për socialistet s’përbejnë asnjë kureshtje; shumë larg kualiteteve që mendohej se mund të ishin drejtuesit e administratës që po ndërtohej! Madje këta aktualët, as të barabartë me ta nuk mund konsiderohen e lëre më pastaj, për të pretenduar se mund të ishin të konkurrueshëm! S’kam dëshirë të përdor metafora e as krahasimet, kokë për kokë, përderisa jam i bindur, në atë çka them, çdo lloj analize është në favor të këtij argumenti! “Rezerva “ime e dytë ose “ruajtja e pacenuar” e administratës, as më pak e as më shumë më është dukur vrastare, për vet standardet e shtetit të premtuar prej ‘Rilindjes’ dhe besuar shumë, prej publikut të gjerë… sidomos po të kemi parasysh se nocioni “shtet” për publikun e gjerë nuk përkufizohet vetëm në godinat kryesore të qeverise qendrore! Tashmë, pas tri vjetësh duket sikur s’ka mbetur gjë pa u thënë e stërthënë, arsyet dhe pasojat e asaj çka ka ndodhur, madje me qindra herë nga opinionistë e përfaqësues të medias, individualitete të spikatura të se majtës, me zë e figurë. Nuk e kundërshton dot, as më i dituri faktin se ruajtja e administratës se ish pushtetit, s’do të thotë, “transferim i trashëgimisë” së defekteve me barrë, huqeve e njëmijë e një të zezave, që ajo administratë demonstronte përgjatë 8 viteve të Berishës edhe në qeverisjen e Ramës! 
Strukturat e PD në adminsitratën e Ramës
Të gjithë drejtuesit e strukturave të PD, militantët më të spikatur të saj, u ruajtën “si gjendje” nga ‘Rilindja’ me justifikimet nga më banalet, pse jo edhe për shkaqe nepotike! Kur me sa kemi dijeni dhe njohje, nga fusha e rotacionit politik edhe në vendet me demokraci, shumë më të përparuar nga vendi ynë, ku më shumë e ku më pak e ndryshojnë administratën, e riparojnë atë, e zvendesojnë atë me resurset e përgatitura përgjatë të qenit në opozitë! Dhe këtu s’ka asnjë të keqe, përderisa forca politike që fiton pushtetin e radhës ka një pretendim të qartë; realizimin e programit të vet dhe çuarjen përpara të progresit të vendit! Nuk e teproj kur them se gjithë të zezat e qeverisjes së sotme, që jo rrallë, plot patos e histerizëm i faturohen Edi Ramës e kanë burimin, pikërisht tek ky precedent-bashkëqeverisja me ish administratën, që vetë Berishës i kushtoj plot një milion “shuplaka”! 
Angazhimet e mia në PS
Për vetë angazhimet e mia në Partinë Socialiste, unë ruaj lidhje me shumë socialiste të kategorive e moshave të ndryshme, drejtues ndër vite të saj, në të gjithë vendin, gjithandej e njëjta histori; -organizimi i qeverisjes nga ana e fitimtareve të 2013-ës, u mjaftua vetëm me ndryshimin e emrave të drejtuesve të institucioneve, por që s’ preku asnjë punonjës zyrash; të përfolur, ose jo! Madje kishte panoramën e një merkatoje ky proces, përderisa në më të shumtën e rasteve edhe kategoria e drejtuesve u “huazuan “nga Partia Demokratike apo edhe nga rruga… çuditërisht edhe individë të lënë “në stol “, prej vet PD-së (!) Punët? Le të bëjnë një testim “komisarët” për të nxjerrë konkluzionet, por kjo duke marrë përshtypjet direkt prej publikut… të majtë apo të djathtë po të duan! 
Integriteti i punonjësit të shtetit
Në parantezë dua t’ju them, se unë, autori i këtyre radhëve jam punonjës shteti -përgjegjës i një zyre shërbimesh, në një rajon të caktuar; për të cilën jam kujdesur në vijimësi, që në të gjitha treguesit, të mos kem asnjë të krahasuar me paraardhësit e mi! Modestisht ju them, ja kam arritur! Kjo, përderisa nuk pranova të bashkëpunoja me ish-administratën aq të përfolur, çka më siguroj atë që s’mund të dalë dot qytetar i territorit nën juridiksionin e kësaj zyre, të akuzoj për cilësi shërbimi të dobët, ryshfet a mitmarrje, në këmbim të shërbimeve ndaj tyre! E kam bërë me ndërgjegje, si punonjës i këtij shteti, të cilit i jam zotuar se do t’i shërbej, në kuptimin e vërtetë të fjalës, por edhe si detyrim përkundrejt shpërblimit që ai me bën! Në subkoshiencën time, padyshim ka elemente të vetëdijes personale, vlera të patjetërsueshme për të gjithë brezin tim, elemente që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me formimin dhe qëndrimin ndaj ligjit dhe shtetit, por sigurisht edhe si pjesë e moralit të forcës politike që më ka rekomanduar, i bindur se një milion shuplakat ndaj ish-qeverisjes, ishin si “shpërblim “për sjelljen jo korrekte të administratës dhe ish-drejtuesve, të të gjitha rangjeve; pasojë e paaftësisë se saj, ndaj problematikës së përditshme, e sidomos në marrëdhëniet e drejtpërdrejta me publikun. 
Kostoja elektorale
S’dua të analizoj me këtë rast koston elektorale, ajo është tjetër histori, ku padyshim paaftësisë se këtij tip drejtuesish dhe zyrtarësh, që me qytetarin sillen si ordinere, anashkalimit të kualiteteve të vet PS dhe mungesës së vlerësimit të individualiteteve që patën investuar ndër vite për të majtën, të gjitha së bashku, mund të kenë një shumatore të frikshme… Një vit para zgjedhjeve elektorale, s’ka vend për dekorata, në gjoksin e “të përzgjedhurve”. Pa asnjë kriter formimi e pa kurrfarë investimi për të majtën. Në fakt, shumica e tyre sillen siç duhet të sillen, të tilla krijesa të dyshimta; hilanjoze, të paaftë, “të huaj “me të majtët e sikur nuk e kanë asgjë, Partinë Socialiste… ! Kjo është e vërteta; padyshim e hidhur, por që ka edhe zgjidhje.