Frank SHKRELI/ Në mbrojtje të vlerave të përbashkëta

499
Sigal

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, në një artikull të botuar të ënjtën në gazetën e njohur të Londrës, Times of  London,  njoftuan planet e përbashkëta të dy vendeve për të bashkërenduar përpjekjet e tyre në disa fusha veprimi të politikës së brendshme dhe të jashtme. Artikulli u botua në vigjiljen e vizitës së Kryeministrit britanik në Uashington, ku  do të takohet me Presidentin Obama për të biseduar mbi çështjet që ata nënvizojnë në këtë artikull, por edhe mbi çështje të tjera të interesit të përbashkët.  “Ndërsa do të takohemi në Shtëpinë e Bardhë, ne ritheksojmë besimin tonë se mundësia jonë për të mbrojtur lirinë është e rrënjosur në fuqinë ekonomike dhe në vlerat në të cilat ne besojmë dhe të cilat na dallojnë si popuj, e që janë liria e fjalës, zbatimi i ligjit dhe institucionet e forta demokratike”, pohojnë ata në artikullin e tyre në gazetën Times of London.  Udhëheqësi amerikan dhe ai britanik, në komentin e tyre botuar në gazetën e famshme londineze, angazhohen për një front të përbashkët, për të përballuar sfida të ndryshme, të brendshme dhe të jashtme, përfshirë edhe kërcënimin që paraqet ekstremizmi islamik” dhe ajo që ata quajtën “ideologjia e tij e shtrembëruar”. Duke iu referuar sulmeve terroriste javën që kaloi kundër një gazete satirike në Paris të Francës, udhëheqësi amerikan dhe ai britanik u zotuan se ekstremistët nuk do të kenë sukses kundër lirisë së fjalës, si një vlerë universale dhe si e drejtë e njeriut.  Zotërinjtë Obama dhe Cameron shkruajnë se ata nuk do të “frikësohen nga ekstremistët, qofshin ata individë fanatikë, ose organizata terroriste si al-Qaeda, Shteti Islamik, ose Boko Haram”.  Ata vazhdojnë artikullin e tyre në Times of London duke shprehur angazhimin e tyre se, “Ne do t’i mundim këta vrasës barbarë, të cilët justifikojnë vrasjen e njerëzve të pafajshëm”, theksuan zotërinjtë Obama dhe Cameron në komentin e botuar në gazetën e Londrës.  Ndërsa në   lidhje me luftën kundër terrorizmit, ata zotohen në emër të vendeve të tyre se, “Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do të bashkëpunojnë ngushtë me të gjithë ata që besojnë në paqe dhe në tolerancë. Terroristët”, nënvizuan ata në komentin e tyre, “dinë vetëm të shkatërrojnë, por së bashku, ne mund të bëjmë diçka që është shumë më e fuqishme: të ndërtojmë sigurinë, të forcojmë drejtësinë dhe të promovojmë paqen”, shkruajnë zotërinjtë Cameron dhe Obama. Para takimit të tyre prej dy ditësh në Shtëpinë e Bardhë, në këtë shkrim ata nënvizuan parimet e aleancës amerikano-britanike, duke shkruar se, “Sot, ne angazhohemi rishtas ndaj misionit tonë historik, në mbrojtje të popujve tonë, për ruajtjen e sistemit tonë ekonomik dhe në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta”. Ata theksojnë se në këtë moment të historisë, “përsëri, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe qëndrojnë së bashku. Edhe njëherë, ne kemi nevojë për udhëheqje të fortë dhe të vendosur, për tu përballur me sfidat e kohës sonë”, shkruajnë ata. Zotërinjtë Obama dhe Cameron theksuan gjithashtu edhe rëndësinë e promovimit të politikave ekonomike për të nxitur ekonomitë e vendeve të tyre, me qëllim për të mënjanuar një tatëpjetë tjetër të ekonomisë botërore. Në lidhje me këtë, ata shkruajnë se janë duke punuar, “drejtë përfundimit të një marrëveshjeje të përgjithshme tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian”, marrëveshje kjo që sipas tyre, “do të zgjerojë dukshëm tregtinë midis dy vendeve tona dhe do të hapë mundësi të reja vend pune për miliona punëtorë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara”. Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe, në artikullin e tyre, tregohen të vendosur edhe në qëndrimin e tyre kundër atij, që ata cilësuan si “agresion i Rusisë në Ukrainë”, duke u zotuar se do të vazhdojnë presionin diplomatik ndaj Moskës. Në lidhje me këtë, ata theksuan duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë se, “Nëqoftëse ne lejojmë që të ndodhin shkelje të tilla të ligjit ndërkombëtar pa u ndëshkuar, ne të gjithë do vuajmë pasojat që vinë më pas”, nga shkelje të tilla ndërkombëtare.  Ata theksuan njëkohësisht se, “Përgjigja jonë e fortë dhe e përbashkët i ka dërguar botës një mesazh të fortë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë duar-kryq, ndërsa Rusia vazhdon përpjekjet e saj për destabilizimin e Ukrainës”.  Ndërkohë, ata shprehën gjithnjë gatishmërinë e tyre “për të vazhduar të mbështesin Ukrainën ndërkohë që ajo përpiqet të plotësojë aspiratat ekonomike dhe demokratike të popullit ukrainas”. Presdienti Obama dhe Kryeministri Cameron përfundojnë  artikullin e botuar nga Times of London, në vigjiljen e takimit dy ditësh të nivelit të lartë amerikano-britanik në Washington, duke shprehur besimin e tyre se, “siguria dhe begatia janë të pandashme, nuk mund të ketë siguri pa begati. Dhe se ndërsa përballemi me terroristët që na kërcënojnë, ndërsa mbajmë të njëjtin qëndrim  kundër masave agresive të Rusisë dhe ndërsa vazhdojmë  përpjekjet tona drejtë rritjes së përgjithshme ekonomike, ne njëkohësisht do të vazhdojmë të çojmë përpara edhe sigurinë dhe begatinë, që meritojnë popujt tanë”. Duket se lufta kundër terrorizmit, përpjekjet e përbashkëta kundër masave agresive të Rusisë dhe rritja ekonomike botërore, do të jenë subjektet kryesore të bisedimeve të nivelit të lartë amerikano-britanik në Shtëpinë e Bardhë gjatë dy ditëve të ardhshme. Artikulli i shkruar nga zotërinjtë Obama dhe Cameron sugjeron se kur bota përballet me terrorizëm, me konfliktet dhe kërcënime ndaj stabilitetit ndërkombëtar dhe kur vlerat universale janë në rrezik, janë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ato që si gjithmonë më parë, mund të udhëheqin përsëri përpjekjet botërore drejt një sigurie më të qëndrueshme ndërkombëtare dhe sigurimit të paqes në botë.  Është ky një fakt që shqiptarët kudo duhet ta kujtojnë me rastin e përvjetorit të masakrës së civilëve shqiptarë në Raçak të Kosovës nga forcat terroriste serbe, masakër kjo që aso kohe tronditi botën e qytetëruar dhe çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe, në mbrojtje të vlerave universale të njeriut.