Frank SHKRELI/ Masakër dhe krim kundër njerëzimit

533
Sigal

Kështu e ka cilësuar ish-Ambasadori Amerikan në Kosovë, Uilliam Uoker ngjarjen tragjike të 15 Janarit, 1999 në Reçak të Komunës së Shtimës në Kosovë, ku 15 vjet më parë kur forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç masakruan në mënyrën më brutale 45 shqiptarë të pafajshëm të këtij fshati, përfshirë edhe 8 pjesëtarë të UÇK-së. Të mërkurën, Kosova shënoi 15-vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila konsiderohet si pikëkthesa kryesore e ngjarjeve të mëvonshme në Kosovë, përfshirë edhe sulmet ushtarake të NATO-s, kundër objektivave ushtarake dhe industriale serbe, përfshirë edhe kryeqytetin e Beogradit, ndërhyrje kjo, që më në fund detyroi largimin e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë kështu fund luftës në Kosovë.

Ishte ambasadori amerikan Uilliam Uoker, në atë kohë Shef i Misionit Verifikues i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, ai, i cili zgjoi nga gjumi letargjik ndërgjegjen e botës mbi barbarizmat që makineria ushtarako-policore dhe paramilitare e Serbisë po bënte në Kosovë, ashtu si të donte dhe kur të donte. Ambasadori Uoker ka thënë se, ato që ai ka parë me sytë e tij në Reçak janë ato që ai i konsideron si prova dërmuese të së vërtetës, që ai i deklaroi botës në atë kohë se, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë kanë kryer masakra dhe krime të rënda kundër njerëzimit, ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Pasi kishte parë kufomat e shqiptarëve të vrarë në Reçak, ai e dënoi masakrën si një “barbarizëm të pabesueshëm” dhe i quajti vrasjet në fshatin Reçak si, “një krim kundër njerëzimit”, duke i thënë në atë kohë gazetës amerikane “Nju Jork Tajms”, se, ”nuk dëshironte të hezitonte asnjë minutë që të akuzonte, drejtpërdrejtë, forcat qeveritare serbe si përgjegjëse të kësaj masakre”. Deklarata e ambasadorit Uolker bëri jehonë anë e mbanë botës, por shkaktoi reagime të ashpra sidomos në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Ish-Presidenti amerikan Bill Klinton reagoi atëherë ndaj deklaratës së ambasadorit Uolker duke thënë se: “Masakra e Reçakut, ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të frikësonte popullin e Kosovës”.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Gjermanisë gjatë krizës në Kosovë, Joschka Fischer duke folur në emër të Bashkimit Europian ka thënë pas zbulimit të masakrës në Reçak nga ambasadori Uoker se: “Ata që janë përgjegjës për këtë akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë masakrimin brutal dhe vrasjen e popullsisë civile”.

Masakra e shqiptarëve civilë nga forcat serbe në Reçak ishte vetëm një nga sulmet e forcave serbe kundër popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë atyre viteve, për të cilat bota nuk ishte e informuar. Por, më në fund qe deklarata e ambasadorit Uilliam Uoker, si dëshmitar i masakrës në Reçak, ajo që më në fund bëri jehonë në median botërore dhe si rrjedhim shkaktoi një ndryshim të dukshëm të politikës së vendeve perëndimore karshi gjendjes në Kosovë dhe  njëkohësisht shërbeu si një katalist për ndërhyrjen eventuale të NATO-s, për të dëbuar forcat serbe nga Kosova. Gazeta e kryeqytetit amerikan, Uashington Post, sugjeronte në prill të vitit 1999 se pas një shqyrtimi të vendimmarrjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe në  kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, masakra e Reçakut transformoi politikën e Perëndimit ndaj Ballkanit si asnjë ngjarje tjetër më parë. Masakra e Reçakut, sipas gazetës “Uashington Post”, bindi qeverinë amerikane dhe aleatët e saj në NATO se, politika e tyre e ndjekur deri atëherë duhej të ndryshohej fund e krye.

Politika amerikane ndaj Kosovës, deri atëherë, bazohej në atë që njihet si  “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, një telegram prej një fjalie që administrata e Presidentit Bush të parë i kishte dërguar Millosheviçit më 24 Dhjetor 1992, vija e kuqe, e që ishte një telegram shumë i shkurtër  dhe pa stërhollime, por tekstualisht përmbajtja e tij u citua nga “Uashington Post” të ketë qenë fjalia që vijon: “Në rast të një konflikti në Kosovë, që shkaktohet nga ndërhyrja e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe brenda Serbisë”.  Ky kërcënim u përsërit disa herë edhe nga ish-Sekretari i Departamentit të Shtetit Uorren Kristofer, në mandatin e parë të Presidentit Klinton, por deri në masakrën e Reçakut mbeti vetëm një kërcënim në letër. Por ishte masakra e Reçakut dhe dëshmia e një ambasadori amerikan mbi këtë tragjedi, mbi tragjedinë që kishte parë në atë fshat ambasadori Uoker, që zgjoi ndërgjegjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në NATO, por edhe të botës mbarë,  e cila bëri që paralajmërimi kërcënues i administratës së Xhorxh Bushit të parë me rastin e  Krishtlindjeve të vitit 1992, më në fund të zbatohej. Si përfundim, më 13 tetor 1999, për herë të parë në historinë e saj, organizata e Atlantikut Verior, NATO autorizon komisionin ushtarak të saj që të fillonte planifikimin për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.  Shpesh mendoj me vete, po të kishte qenë në atë kohë në Kosovë ndonjë përfaqësues tjetër nga ndonjë vend europian e jo Uilliam Uoker, si Shef i Misionit Verifikues i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, çfarë do të kishte ndodhur me rrjedhat historike të Kosovës? A do kishte pasur një përfaqësues tjetër fuqinë dhe ndërgjegjen morale që të shkonte e të vërtetonte vet se çka kishte ndodhur në Reçak. Ose çfarë do të kishte ndodhur në qoftë se ambasadori Uoker nuk do të kishte shkuar për të parë vetë me sytë e tij tragjedinë në Reçak. Unë besoj se do të kishte pasur masakra si të Reçakut anë e mbanë Kosovës dhe askush nuk do të dinte gjë për to. Ambasadori Uoker kollaj mund të kishte shkruar raportin nga një zyrë e ngrohtë në Prishtinë e ta dërgonte në Vjenë, duke informuar OSBE-në se, ‘sipas raporteve thuhet se ka ndodhur një tragjedi në Reçak, por rrethanat dhe hollësitë nuk dihen’.  Dhe me aq ai e kishte kryer detyrën e vet. Por jo! Ai si diplomat i regjur e me përvojë, e ka ditur se një raport i tillë nuk do të kishte pasur kurrë efektin që do të kishte dëshmia e tij e gjallë, duke vajtur vet në vendin e ngjarjes tragjike në Reçak duke e bërë më të besueshme deklaratën mbi masakrën që kishte pare në atë fshat. Andaj në këtë 15-vjetor të këtij krimi të shëmtuar nga forcat  kriminele serbe, të kujtojmë, natyrisht me respekt dëshmorët dhe martirët e rënë të Reçakut dhe familjet e tyre, por njëkohësisht të mos harrojmë as diplomatin amerikan, ambasadorin Uilliam Uoker, i cili me guximin dhe kurajën e tij zgjoi ndërgjegjen morale të botës, e cila falë dëshmisë së tij, u njoh për së afërmi me mizoritë që po bënte Serbia me dekada në Kosovë kundër shqiptarëve dhe më në fund bëri që NATO të vendoste që të bënte diçka për t’i ndaluar masakrat serbe kundër shqiptarëve, duke ndërmarrë një sulm ajror kundër Serbisë dhe forcave të saja në Kosovë. Të rënëve, Zoti u faltë paqen dhe mikut tonë, ambasadorit Uilliam Uoker, Zoti i faltë jetë dhe shëndet!