Frank SHKRELI/Këlmendi, Nderi i Kombit

196

Nga portali i Presidencës së Republikës së Shqipërisë me kënaqësi mësova se të shtunën më 10 gusht, Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani mori pjesë në “Logun e Bjeshkëve”,  një aktivitet ky që mbahet për çdo vit në Kelmend të Malësisë së Madhe.  Përveçse njoftohet se Presidenti Nishani i dorëzoi Komunës së Kelmendit dekoratën e lartë,”Nderi i Kombit”, një vlerësim i lartë ky për Këlmendin dhe mbarë Malësinë e Madhe,  thuhet se ai ishte presidenti i parë shqiptar në histori që vizitoi  Kelmendin, ku u prit me entuziazëm të madh nga banorët e Malësisë së Madhe.

Presidenti Nishani ia dorëzoi Kelmendit – fisit të luftëtarit legjendar, Prek Calit – dekoratën, ”Nderi i Kombit” gjatë aktivitetit artistik dhe kulturor, “Logu i Bjeshkëve”, që mbahet çdo vit në atë trevë, me qëllim për të ruajtur dhe kultivuar tiparet kulturore ekskluzive të Kelmendit dhe Malësisë së Madhe, si pjesë e pa ndarë e kulturës dhe etnografisë së vjetër dhe moderne të Kombit shqiptar.  Kreu i shtetit shqiptar dekoroi fisin e Kelmendit, duke e dalluar,

“Për kontribut të shquar për identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u shndërrua në memorie dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”.

Është tepër me vend, vlerësimi dhe nderi që Presidenti Nishani i bëri luftës dhe qëndresës së Kelmendasve gjatë shekujve, të cilët gjithmonë i treguan kombit dhe botës, përballë luftërave e shtypjeve dhe pushtimeve të huaja që kishin për qëllim copëtimin e tokave shqiptare si plaçkë nga fqinjët shovinistë, se është: “Ma mirë dekun me nderë se gjallë e për mënderë!”.   Kelmendasit, gjatë gjithë historisë së qëndresës së tyre ndaj pushtuesve të huaj otomanë e sllavë, si dhe ndaj komunizmit, si radhë ndonjë krahinë tjetër, ata gjithmonë ishin një shembull bashkimi, të lidhur në besë, për t’i treguar mbarë kombit se ishte më mirë, “me vdekë se sa me jetue në robëni”, ashtu siç këndon edhe malësori lahutar, “

“O ti kangtari i kangve kreshnike,

Merre lahutën tashti një herë,

Na i thuej trimnitë e doket fisnike,

 Na i kujto të parët si e kishin për nder:

deken m’e ba sikur me le.”

Ndoc Vulaj, nga Libri, Lufta e Kelmendit

Sipas portalit të presidencës,  në fjalën e mbajtur në “Logun e Bjeshkëve”,  Kreu i Shtetit, përmendi një prej karakteristikave të kësaj treve, respektin që gëzon femra duke u shpreh gjithashtu se një vlerë e pashuar në shekuj e krahinës së Kelmendit, është edhe respekti gati proverbial ndaj grave dhe lirisë së shprehjes së tyre, si një shembull i përkryer i demokracisë së fiseve shqiptare, duke thënë se: “Trashëgimia e kësaj treve është një shembull i gjallë i vlerësimit dhe cilësimit të gruas si një zonjë e vërtetë, që merrte pjesë në kuvende, thoshte  lirshëm fjalën e saj, madje dhe  votonte.  Ky është një mesazh i madh qytetarie dhe përparimi që “Logu i Bjeshkëve” duhet t’ia shpërndajë gjithë Shqipërisë dhe gjithë përpjekjeve që ajo sot po bën në betejën e saj kundra padrejtësive dhe pabarazisë gjinore, si një normë bazë e së ardhmes sonë europiane”.  Në një gjest tepër fisnik, kryetari i shtetit paraqiti para kelmendasve të bijën e tij Fiona, e cila në shenjë respekti dhe admirimi për këtë zonë ishte veshur me kostumin popullor të kësaj krahine.

Presidenti Nishani me akordimin e dekoratës “Nderi i Kombit”, Komunës së Këlmendit, nderoi pasardhësit të gjithë atyre kreshnikëve, që gjatë shekujve ia kushtuan jetën, sakrificat, vuajtjet dhe mundimet, lirisë dhe përparimit të kombit shqiptar, duke venë në vend të drejtën dhe të vërtetën.

Sot, është detyrë e jona, që atyre kreshnikëve që luftuan për lirinë dhe që mbrojtën tërësinë territoriale  kundër armiqve shekullorë të kombit dhe atyre që gjatë gjithë historisë u përpoqën të ruajnë identitetin e fisit shqiptar, t’ua kthejmë lavdinë dhe nderin e kombit që e vërtetë u takojnë.  Unë si njëri me origjinë nga  ato treva, por për më tepër, si nip i Kelmendit, i jam mirënjohës Presidentit Nishani për njohjen e kontributit që ka dhënë treva e Kelmendit ndajë lirisë, përparimit dhe ruajtjes së bashkimit të kombit.