“De jure” nuk ka më shumë se statusin e një pensionisti. Normalisht si i tillë cilido ka të drejtën të mendojë se për ta takuar duhet të shkojë diku në ndonjë nga qendrat lulishtare të dominove të bashkëmoshatarëve të tij. Jo…, nuk lidhet aspak me diçka të tillë. Ashtu sikur edhe ne, cilido do ta ketë të vështirë për ta takuar. “De facto” e vështirë është, edhe për ta prezantuar, sepse në jetën e tij edhe pse në moshë të tretë mban mbi “kurriz” shumë aktivitete që ja “ngatërrojnë” prezantimin. Ndoshta tashmë për “full- time” ka detyrën e Presidentit të Shoqatës Kulturore Atdhetare Afërdita (SHAKA), por pse jo, edhe atë të Presidentit të Ekipit të Futbollit të Kamzës (për femra), të futbollit të moshave, në Belsh,etj., etj.. Edhe në këtë mëngjes ai mbasi ka udhëhequr Ekipin e Futbollit të Femrave të Kinostudios në një turne 3 -ditor në Kosovë ndoshta sapo është kthyer, jo për të pushuar, por për t’u nisur sërishmi më datën 16 në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtarë të Rapshës në Mal të Zi , aty ku do të udhëheqë Ansamblin Folklorik “Afërdita” në një eveniment të këngëve dhe valleve mbarëkombëtare. E tillë është ngarkesa e axhendës e pensionistit Estref Gjoshi, që askund nuk mund të gjendet një i tillë jo vetëm në Shqipëri, por edhe më tutje. E jeton ditën sikur e ka të fundit. Tashmë z.Gjoshi nuk është një person i rëndësishëm publik vetëm për zonën e tij, Dumre, por është bërë i tillë edhe më gjerë dhe të tillë nuk e bëjnë rreshtat e një shkrimi telegrafik, por puna dhe kontributi donator në disa fusha të jetës së tij. I lindur dhe i pashkëputur për asnjë çast nga Dumreja edhe pse një pjesë jo të vogël të jetës së tij e ka dyzuar me kryeqytetin, aty ku ka transferuar edhe “selinë” e banesës së tij, këtu e 30 vjet para, përsëri ai e quan veten “seferanas”, vendlindja e tij. Jeta e z.Estref nuk do të ndryshonte shumë nga ajo e të gjithë shqiptarëve. Një jetë e thjeshtë dhe e lexueshme, ku vuajtjet dominojnë me shumicë, ndërsa këto do të kishin për “shtesë” në këtë bilanc edhe barrën e burgosjes, nga regjimi i të atit të tij Tafilit, atëherë kur kishte më shumë nevojë për mbështetjen atërore. Kjo nuk do ta demoralizonte, por do ta burrëronte më shpejt për t’ u bërë krah dhe mbështetje për familjen e tij. Kështu Estrefi do të shkollohej në vendlindje me arsimin e detyrueshëm, për të nisur punën menjëherë në bujqësi, ku njëherazi do të ndiqte edhe shkollën bujqësore në Dumre. Më tej edhe atë ekonomike, gjithnjë pa shkëputje nga puna. Mbarimi i ushtrisë do ta rikthente në vendlindje në Seferanë, ku do të shquhej për operativitet dhe shkathtësinë në drejtim, por veçmas do dallohej si një i ri plotë energji dhe talent në aktivitete artistiko-kulturore të zonës. Do të bëhej absolute, sepse do të ishte i kudondodhur në të gjitha pjesëmarrjet që përfaqësohej zona, si brenda, ashtu edhe jashtë rrethit. Natyrshëm këto ishin pasione të tij dhe nuk shpërbleheshin kund . Intuita dhe shkathtësia do ta veçonin nga shokët teksa do të shkonte deri brigadier në sektorë të kooperativës. Në vitin 1983 do të niste tentativat e para për t’u larguar nga vendlindja me qëllimin për t’u bërë banor i Tiranës. Një iniciativë që i kalonte kufijtë e të mundshmes. Kundërshtar kishte krahas “nevojës” për kuadro edhe xhelozinë e byrosë së partisë dhe pse jo edhe të bashkëfshatarëve. Odisea e shpërnguljes është një skenar më vete, që ai e klasifikon në kënaqësitë që vijnë pas një “misioni” të pamundur. Kjo ngaqë ka qenë një “provë” jo e vogël për të triumfuar mbi pengesa që kanë patur të sigurt dështimin, se sa triumfin. – “Largimi nga Seferani ka qenë një shkollë më vete për mua”,- kujton z Gjoshi- “Kam përdorur të gjitha llojet e mundësive ndershmërinë, intrigën, mashtrimin, ryshfetin, shpërblimin dhe lloje- lloje forma vetëm për mos u kthyer më në Seferanë. Kthimin ma bënte të pamundur edhe sedra, por jo më pak hapja e opinionit se Estrefi iku në Tiranë, kështu që për mua kishte vetëm, para. I mposhta të gjithë si ata që kundërshtonin me të drejtë, për largimin tim, por edhe “ushtrinë” smirë. Tani i kam takuar dhe i kam miq, shumë nga ata që nuk lanë gjë për të më penguar. Kështu është jeta, janë vëllezërit dhe miqtë e mijë”, – përfundon z. Estref… Shkathtësia do të bënte që në Tiranë të ndryshonte zanat, teksa do të bëhej një ndërtues ekstra dhe do të merrte pjesë si usta në ndërtimin e disa veprave të rëndësishme të asaj kohe, ku Pallati i Kongreseve ka qenë më i spikaturi. Nuk kishte si ndodhte ndryshe ndryshimi i sistemit do ta gjente në radhë të parë të atyre që do të “arratiseshin”, teksa tashmë ishte edhe “mastro” në ndërtim Emigron në Greqi me djemtë për të punuar dhe mbas disa vitesh kthehet në shtëpinë e vetë për të nisur aktivitetin e tij, atë të grumbullimit dhe përpunimit të skrapit. Një aktivitet modest me shumë punë dhe sakrificë, që e ka mbështetur suksesin vetëm tek korrektesa dhe menaxhimi. Nuk janë fitimet e tepërta që e bëjnë z. Gjoshi të veçantë, por është zemra dhe dashamirësia për të bërë mirë.
Për vendlindjen
Dhurata që i bëri z.Estref Gjoshi bashkëfshatarëve të vetë në këtë “krizë të nxehtë financiare” ishte aktiviteti i radhës i z.Estref Gjoshi. Jo shumë ditë më parë fshati Seferan i z.Gjoshi pati rastin të përjetonte një festë, që për kulm kishte inaugurimin e “Qendrës Shëndetësore” Investimit kap vlerën e 1,8 milionëve të rinj, ndoshta nuk është e madhe, por festa dhe kënaqësia ishin të jashtëzakonshme. Një festë që sfidoi politikën. Dhjetëra e dhjetëra bashkëfshatarë nga Seferani dhe rrethinat e tij morën pjesë në këtë ceremoni duke kënduar dhe hedhur valle tradicionale të zonës, por jo vetëm. Një dhuratë që do të merrte edhe përshëndetjen e Kryetarit të Bashkisë Belsh, z. Asqeri Kuqja, që në fjalën inauguruese për kontributet e z.Gjoshi do t’i “premtonte” atij të meritueshmen, propozimin ne Këshillin Bashkiak të Belshit për medaljen e “Qytetarit të Nderit”. Ndihma dhe kontributi financiar i z.Estref Gjoshi ka vite që është prezentë në Belsh, por jo vetëm. Belshi falë donacionit të z. Gjoshi sot ka edhe gazetën e saj me emrin sinjifikativ të mbretëreshës së dashurisë “Afërdita” .Gazeta “Afërdita” është një periodike njëmujore, e cila promovon vlerat e zonës së Dumresë. Krahas ngritjes së Ansamblit Folklorik “Afërdita”, që tashmë është prezent në të gjitha eventet kombëtare dhe ndërkombëtare , ashtu sikur është edhe ky i pas disa ditëve të datës 16 gusht në Mal të Zi. Belshi tashmë ka edhe ekipet e grupmoshave të futbollit, të cilat do të bëhen pjesë e garave kombëtare . E gjithë infrastruktura për këtë po investohet nga z.Gjoshi. Ndërkohë në planet afatshkurtra të z.Estref Gjoshi është donacioni për ekipin e rritur të futbollit të Belshit, i cili militon në Kampionatin Kombëtar të kategorisë së III. Z Gjoshi është edhe subjekti i tre monografive të botuara, ku në to janë shkruar me detaje aspekte të trungut familjar dhe të jetës së fisit Gjoshi. Ky është shembulli i një patriotizmi që i duhet më shumë se kurrë atdheut tonë të shtrenjtë. – “Sa të kem jetë nuk do pushoj së investuari për vendlindjen time”, – do të shprehej në mbyllje z. Estref Gjoshi