Frank Shkreli/ Ja dhe xhevahiri i radhës kundër identitetit dhe historisë kombëtare të shqiptarëve

582
Nuk mund të ishte ndryshe! Ja i erdhi radha edhe ofendimit më të fundit kundër identitetit dhe historisë kombëtare të shqiptarëve. Kësaj radhe nga Mali i Zi, pikërisht nga e ashtuquajtura Akademi e Shkencave e Malit të Zi. Përveç pasqyrimeve të këtij lajmi në media, nuk pashë ndonjë reagim zyrtar as nga Tirana (përveç një shkrimi nga deputetja shqiptare Ledi Shamku Shkreli), as nga Prishtina, as nga Shkupi, as nga Podgorica dhe as nga shqiptarët nën Malin e Zi, me përjashtim të deputetit shqiptar nga Malësia, Nik Gjeloshaj, i cili kritikoi ashpër fjalorin e të ashtuquajturës akademi malazeze kundër shqiptarëve, që sipas tij i paraqet shqiptarët si, “agresorë, okupator dhe se përmes agresionit, kulturën dhe gjuhën ua imponojnë të tjerëve me qëllime për t’i shqiptarizuar”, me pretendimin se edhe malësorët e atyre trojeve autoktone shqiptare na qenkan të “shqiptarizuar”. Ky ofendim ndaj shqiptarëve nga ana e Malit të Zi, nuk është i rastësishëm as jashtë planeve, ndoshta edhe koordinuese anti-shqiptare midis kryeqyteteve të tjera të shteteve fqinje ballkanike dhe “akademive të tyre të shkencave”, që janë vënë re vitet e fundit. Ky lajm vjen pas disa ofendimeve të tjera nga burime të ndryshme të kohëve të fundit që i bëhen historisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve. Kohë më parë – në radhën e disa shkrimeve mbi situatën e vështirë të shqiptarëve në Mal të Zi – kisha botuar një shkrim modest me titull: “Grabitqarët antishqiptarë përsëri u turren trojeve arbërore”, mbi përpjekjet e fundit e të vazhdueshme të armiqve të kombit shqiptar për të mohuar ose për të tjetërsuar historinë e shqiptarëve. Më vjen keq për të përdorur fjalën “armiq”, sidomos në këtë periudhë të integrimit evropian dhe gjoja të bashkëjetesës paqësore në çerekun e parë të këtij shekulli, për fqinjët e shqiptarëve në Ballkan. 

Por çfarë dhe si ta karakterizosh dikë që jo vetëm historikisht, por edhe tani në ditët e sotme gjithnjë vazhdon të përpiqet, me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, përfshirë politikanët më të lartë dhe njerëzit më të “mësuar“ të këtyre shteteve – që jo vetëm të tjetërsojnë historinë dhe autoktoninë e kombit shqiptar në trojet e veta, por të mohojnë krejtësisht ekzistencën e shqiptarëve si autoktonë në trojet e tyre, përfshirë edhe pretendimet greke anti-shqiptare në jug të Shqipërisë dhe mohimin e historisë dhe të autoktonisë shqiptare të Çamërisë martire – përveç përpjekjeve dhe pretendimeve sllavo-turke. Duhet rikujtuar lexuesit se vetëm gjatë vitit të kaluar janë bërë përpjekje të hapta nga “akademi” të ndryshme dhe nga udhëheqësit më të lartë të disa vendeve fqinje dhe më larg të shqiptarëve, të cilët me deklaratat dhe me paraqitjet “akademike” të tyre i janë turrë përsëri tokave shqiptare me qëllim të tjetërsimit të historisë dhe të identitetit trako-ilirian të shqiptarëve. Kto hiena të egra shekullore edhe sot mësyjnë gjithnjë çkombtarizimin dhe zbrazjen e trojeve shqiptare nëpërmjet presioneve të ndryshme dhe tjetërsimit të historisë me qëllim të mohimit të identitetit arbëror të shqiptarëve. Jo shumë kohë më parë udhëheqës të lartë turq kishin bërë thirrje për ndryshimin e teksteve shkollore të historisë së Kosovës dhe të shqiptarëve, ndërkohë që Kryeministri turk Ahmet Davutogllu kishte deklaruar gjatë një vizite në Shkup se vendi i tij, “po punon për të rilindur kulturën turke në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni”. 

Ai u citua të ketë thënë gjithashtu se, “Ne do të dërgojmë nga një fjalor turqisht në çdo familje të Shkupit”. Në sytë e shumë vërejtësve ishte ky një vërtetim i ambicieve politike, diplomatike dhe ekonomike të Turqisë për të thelluar edhe më shumë influencën e saj në trojet autoktone shqiptare, anë e mbanë Ballkanit. Rasti tjetër i këtyre lojërave anti-shqiptare, ishin fyerjet kundër shqiptarëve, në të ashtuquajturën “enciklopedi” të botuar nga Akademia e Shkencave e Maqedonisë, në të cilën pretendohej se shqiptarët nuk kanë qenë të pranishëm në trojet e veta të sotme nën Maqedoninë, as në antikitet dhe madje as në Mesjetë. Një rast i tretë i kohëve të fundit – në përpjekje për të ndryshuar autoktonizmin e shqiptarëve në trojet e veta – ndodhi në rrethin e Ulqinit, ku popi i Kishës Ortodokse sllave në atë qytet, Radojica Bozhoviç paska shkuar në qytetin e vjetër shqiptar të Shasit për të bërë një shërbim liturgjik të fesë ortodokse brenda mureve, tanimë të rrënuara të kishave të dikurshme katolike shqiptare të atij qyteti ilir. Edhe kjo ishte një përpjekje serbo-malazeze për të “provuar” historikisht se dikur ato ishin kisha ortodokse sllave. Mirëpo, popi ka një problem se Shasi dhe as historia e tij nuk kanë të bëjnë aspak me fenë ortodokse serbe as me kulturën dhe historinë sllave. Shasi që gjendet midis Shkodrës dhe Ulqinit, sipas historianëve, ka qenë dikur një prej katër “qyteteve satelitë” të Shkodrës, me shekuj qendër me rëndësi e Kishës Katolike Shqiptare dhe e kulturës iliro-arbërore. Por, kjo nuk i ndalon serbo-malazezët që të përpiqen të përvetësojnë këtë histori antike të fisit të arbrit. Dhe më në fund ishte e famshmja e ashtuquajtur Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, e cila me urdhër të qeverisë serbe dhe të Kishës Ortodokse serbe, vuri në dispozicion të gjithë mekanizmat e vet që të bindë shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, të mos votonin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Mendohej dhe shpresohej se me shembjen e Murit të Berlinit, formulimet e vjetra nacionaliste dhe anti-shkencore të fqinjëve dhe ish-okupatorëve shekullorë të trojeve shqiptare nuk do t’i dëgjonim më në çerekun e parë të shekullit 21, sidomos në këtë periudhë të integrimeve evropiane e botërore. 

Por fatkeqësisht shihet se e kaluara nacionaliste e këtyre vendeve nuk ka ndryshuar fare për sa i përket pikëpamjeve të tyre mbi autoktoninë dhe mbi identitetin dhe kulturën shqiptare në trojet e veta në Ballkanin Perëndimor. Siç venë në dukje edhe pretendimet ofenduese të të ashtuquajturës akademi shkencash e Malit të Zi – e kaluara nacionaliste anti-shqiptare e këtyre popujve është “shëndosh e mirë” , në të vërtetë aktualja e sotme e politikave të tyre anti-shqiptare është më e gjallë se kurrë. Është fatkeq fakti se një lajm i tillë i fjalorit anti-shqiptar nga e ashtuquajtura Akademi Shkencore e Malit të Zi, përhapet pikërisht në parkun e festimeve të 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, ku njoftohet se edhe Ulqini do ta shënojë këtë datë më 20 maj, ashtu siç thuhet në një komunikatë të komunës së Ulqinit me shumicë shqiptare. Në të vërtetë ishin shqiptarët ata që votuan pothuaj unanimisht në favor të pavarësisë së Malit të Zi nga Serbia. Jam i sigurt se shqiptarët, duke votuar në favor të pavarësisë së Malit të Zi, 10-vjet më parë, prisnin nga një shtet “demokratik e i pavarur”, një trajtim pak më dinjitoz jo vetëm ndaj tyre si shtetas, por edhe ndaj historisë dhe identitetit të tyre si qytetar autokton të atyre viseve. Çfarë zhgënjimi, kur të merret parasysh gjithashtu edhe fakti se Mali i Zi posa nënshkroi të enjten në Bruksel edhe protokollin e anëtarësimit, në NATO, gjë që do mundësojë Podgoricën të marrë pjesë si vëzhguese në takimet e aleancës, ndërkohë që nevojitet miratimi i të gjithë 29-vendeve anëtare të aleancës për ta pranuar si anëtare të saj. 

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, duke shprehur indinjatën e tij ndaj fjalorit të përdorur kundër shqiptarëve nga e ashtuquajtura Akademi e Shkencave e Malit të Zi, u bën thirrje organeve përkatëse shtetërore dhe qeveritare që të dënojnë përdorimin e një gjuhe të tillë ofenduese kundër shqiptarëve dhe që të tërhiqet menjëherë gjuha e përdorur në atë botim. Reagime të tilla, si ajo e deputetit Gjeloshaj, duhet të ketë jo vetëm nga mbarë politika dhe komuniteti shqiptar nën Mal të Zi, por në raste të tilla, siç duhej reaguar edhe më herët, ofendime të këtij lloji kundër historisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve nga kushdo qoftë, nevojitin një përgjigje bashkërenduese dhe të pa dyshimtë nga Tirana dhe nga Prishtina zyrtare, pasi ofendimi ndaj një shqiptari ose një grupi shqiptarësh kudo në trojet e veta, është një ofendim ndaj mbarë kombit shqiptar dhe si e tillë nevojit një përgjigje në nivel kombëtar. Zgjohu o shqiptar, se nuk është nacionalizëm as fashizëm për të mbrojtur vetveten dhe interesat tua, për të mbrojtur identitetin, kulturën, historinë dhe gjuhën tënde, në trojet tua. Kjo është detyra e çdo shqiptari, por sidomos është detyrë e përgjegjësi e kësaj klase politike që sot – me fat ose pa fat për kombin – përfaqëson këtë komb të vogël e krenarë, por shpesh të nëpërkëmbur, të viktimizuar dhe të vuajtur nga politikat e brendshme dhe nga armiqtë e jashtëm. Është detyrë e përfaqësuesve politikë të kombit shqiptar për ta mbrojtur atë dhe jo vetëm interesat e tij politike, diplomatike dhe ekonomike, por edhe vërtetësinë dhe interesat historike të tij, nga sulmet dhe shtrembërimet e vazhdueshme historike, nga kushdo qoftë. Përveç mbrojtjes territoriale të shtetit, kjo është përgjegjësia kryesore për udhëheqësit politikë të cilitdo vend, përfshirë udhëheqësit shqiptarë kudo në trojet e veta. Mos u shqetësoni shumë për Trump-at e kësaj bote, por interesohuni për fatin e kombit tuaj në trojet e veta autoktone, sepse me hallet e botës ka kush të merret!
Sigal