Skandali në jetimoren e Shkodrës, Meta takim me Avokatin e Popullit

427
Gjatë bashkëbisedimit, Meta dhe Totozani diskutuan mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve 6-18 vjeç në Shkodër. Meta shprehu shqetësimin e thellë mbi ngjarjen e rëndë dhe u interesua për mënyrën e trajtimit të fëmijëve në këtë qendër rezidenciale të fëmijëve jetimë.
Meta nënvizoi ndjeshmërinë e thellë për ngjarjen dhe tha se nxiste një hetim të shpejtë dhe profesional për të që do të vinte përpara ligjit të gjithë shkelësit e tij. Kryetari i Kuvendit, Meta vlerësoi institucionin e Avokatit të Popullit për kurajon në denoncimin e një ngjarje të tillë ndaj fëmijëve të pambrojtur, si edhe kërkoi marrjen e masave dhe bashkëpunimin më të gjerë ndërinstitucional për zbardhjen sa më të shpejtë dhe të plotë të këtij akti jashtëzakonisht të rëndë.
Meta nënvizoi nevojën për gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme dhe marrjen e masave të duhura për përmirësimin e mekanizmave ligjorë, mbrojtës dhe parandalues në ndihmë të fëmijëve jetimë në këto qendra si dhe minimizimin e të gjitha hapësirave që mund të prodhojnë abuzime të të gjitha natyrave.
Meta kërkoi monitorimin e kujdesshëm për çdo qendër rezidenciale duke nënvizuar se në përpjekjen për të garantuar shërbimin e duhur në këto qendra, strukturat e shtetit kanë të gjithë përkrahjen dhe mbështetjen e publikut. 
Kryetari i Kuvendit shprehu gatishmërinë për të marrë çdo iniciativë ligjore për përmirësimin e kuadrit ligjor të nevojshëm që do të mbronte dhe garantonte një jetë sa më të mirë të këtyre shtresave të pambrojtura të shoqërisë. Avokati i Popullit, z. Totozani, informoi z. Meta për mënyrën e trajtimit të këtij rasti dhe se pas shqyrtimit të fakteve të gjetura, rruga e vetme mbetej rekomandimi për fillimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë dhe ndëshkimin e fajtorëve.
Po sot, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta priti në një takim Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë, z. Blendi Klosi.
Në bashkëbisedim, z. Meta theksoi shqetësimin e tij të thellë për ngjarjen e rëndë në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve në Shkodër dhe tha se do të duhej një analizë e thellë për të dhe qendra të ngjashme në të gjithë vendin. Si një mjet dhe mënyrë për të njohur situatën konkrete, për të riparuar defektet dhe për të krijuar të gjitha filtrat e nevojshëm institucionalë dhe ligjorë për të penguar ripërsëritjen e tyre në të ardhmen.
Z. Meta shprehu angazhimin e tij të thellë që Kuvendi i Shqipërisë të marrë edhe iniciativa ligjore në këtë drejtim që do të synonim përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues dhe do të ishin në ndihmë të kësaj shtrese të shoqërisë shqiptare.
Sigal