Frank SHKRELI/ Hilari Klinton përplaset me senatorët

613
Sigal

Pas një mungese prej dy javësh në Uashington për arsye shëndetësore, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, u paraqit dje para dy komisioneve të Kongresit Amerikan që merren me punët e jashtme, për të dhënë dëshmi dhe për t’ju përgjigjur pyetjeve në lidhje me mënyrën se si administrata e Presidentit  Barak Obama kishte trajtuar sulmin më 11 shtator të vitit të kaluar kundër Konsullatës Amerikane në Bengazi të Libisë, ku mbetën të vrarë katër shtetas amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin, Kristofer Stivens.  Ligjvënësit republikanë kishin kërkuar për disa muaj tani që Sekretarja e Shtetit të paraqitej para Kongresit për të shpjeguar mënyrën se si Departamenti i Shtetit që ajo drejton, u mor me sulmin në Bengazi.  Në paraqitjen e saj, Sekretarja Klinton mori përgjegjësinë dhe siguroi Kongresin dhe popullin amerikan  se administrata e Presidentit Obama ka filluar një rishqyrtim të gjithanshëm për të parandaluar sulme  të tilla ndaj ambasadave dhe konsullatave amerikane, sidomos në zona krize, duke deklaruar para kamerave të shumta “Live’’:

“Siç e kam thënë  edhe më përpara, unë marr përgjegjësinë. Jam e bindur se pas largimit tim po lë Departamentin e Shtetit dhe vendin tonë, më të sigurt e më të fortë”.  Ajo shtoi duke thënë se …“Kemi ndërmarrë një rishqyrtim të plotë e të gjithanshëm, mbi mënyrat se si i marrim vendimet se kur, ku dhe si, njerëzit tanë veprojnë në zonat me kërcënim të lartë në këtë rajon dhe anë e mbanë botës, dhe se si do t’u përgjigjemi krizave dhe kërcënimeve”, në të ardhmen.
Megjithëse zonja Klinton i tha komisionit të punëve të jashtme të Senatit Amerikan se ajo mbante përgjegjësi të plotë në lidhje me dështimet dhe mangësitë e masave të sigurimit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, ajo mohoi akuzat se administrata e Presidentit Obama ishte përpjekur, që për arsye politike, para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit që kaloi, të keq informonte popullin amerikan për tragjedinë në Bengazi, ku humbi jetën ambasadori Stivens, njëri prej specialistëve më të mirë të çështjeve arabe që kishte Departamenti i shtetit amerikan. Duke mbrojtur politikën e administratës të cilës ajo i shërben, zonja Klinton shpesh me një ton agresiv, u përplas me senatorët republikanë, të cilët akuzuan administratën Obama për mënyrën se si sulmi kundër Konsullatës Amerikane  iu shpjegua fillimisht popullit amerikan: nëse ishte sulm i planifikuar terrorist apo një demonstratë spontane,  që çoi në vrasjen e katër shtetasve amerikanë në Bengazi, siç pretenduan fillimisht zëdhënësit e administratës. Senatori nga shteti Arizona dhe ish-kandidati i Partisë Republikane për president Xhon Mëkejn së bashku me senatorin republikan nga shteti Uiskonsin, Ron Xhonson dhe Senatorin Rand Paul nga Kentaki ishin ndër kritikët më të ashpër të zonjës Klinton dhe ndaj mënyrës se si administrata është marrë me këtë sulm.  Senatori Mekejn, pasi i tha Sekretares Klinton se ishte ”krenar me të”, dhe se  ”anë e mbanë botës admirohesh dhe respektohesh”,  ajo duhej të ishte ”më e hapur dhe më e sinqertë për atë që në fakt ndodhi në Libi”.  Ai iu drejtua Sekretares së Shtetit duke i thënë se ”ka shumë pyetje, të cilat nevojiten përgjigje, dhe me të thënë sinqerisht  dhe drejtë, përgjigjet që ju keni dhënë sot në mëngjes për ne, nuk janë aspak të kënaqshme për mua”, duke shtuar se, ”populli amerikan dhe familjet e këtyre katër amerikanëve trima ende nuk kanë marrë përgjigjet që ata meritojnë”. Duke iu përgjigjur akuzave të Senatorit Ron Xhonson nga shteti Uiskonsin, Sekretarja e shtetit tha se nuk ishin të vërteta akuzat e tija dhe me zemërim iu drejtua Senatorit Xhonson duke i thënë se nuk ka rëndësi se cila ishte origjina ose cilat ishin motivet e atyre që ndërmorën sulmin, ajo që është e rëndësishme tani, tha zonja Klinton, ”është që të zbulojmë se çka ndodhi dhe njëkohësisht të bëjmë çdo gjë që është e mundur që të parandalojmë sulme të tilla në të ardhmen.” Kritika të ashpra zonjës Klinton i drejtoi edhe Senatori Rand Paul nga shteti  Kentaki, i cili i tha Sekretares së Shtetit se ”Jam i kënaqur që ju merrni përsipër përgjegjësinë….por të kisha qenë unë president në atë kohë….unë do t’u kisha shkarkuar nga detyra”. Senatori Paul shtoi duke thënë se kjo që ndodhi në Libi ishte një dështim në udhëheqje, e cila shkaktoi vdekjen e katër amerikanëve në Bengazi, dhe se më në fund, ”është një gjë e mirë që ju merrni përgjegjësinë për këtë, pasi askush tjetër nuk po bën një gjë të tillë.” Senatorët demokratë nga ana e tyre iu kundër përgjigjen kolegëve  republikanë duke u kujtuar këmbënguljen e administratës së Presidentit Bush në lidhje me praninë e armëve kimike në Irakun e Sadam Huseinit – armë që më në fund u provua se nuk ekzistonin, por që ky shpjegim në atë kohë u përdor nga administrata republikane si një arsye për të hyrë në luftë kundër regjimit të Sadam Huseinit. Sekretarja e Shtetit i tha Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan se anë e mbanë Afrikës veriore ekziston një lëvizje xhihadiste në rritje e sipër, duke i paralajmëruar senatorët se, ”Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo lëvizje është një lëvizje globale.  Ne mund të eliminojmë udhëheqësit e saj, por përderisa të mos ndihmojmë në themelimin e institucioneve demokratike, për derisa nuk komunikojmë më mirë vlerat tona dhe të vendosim lidhje dhe marrëdhënie me atë rajon, ne do të ndeshemi me një nivel të tillë mos-stabiliteti”.  Sulmi në Bengazi, tha ajo, ishte pjesë e një plani më të gjerë terrorist në pjesën veriore të kontinentit afrikan, siç po shihet  nga ngjarjet e fundit në Algjeri dhe Mali. Muajin që kaloi, një raport i komisionit të pavarur të hetimit për sulmin në Bengazi,  të emëruar nga vet Zonja Klinton, ngarkoi me faj zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, për ato që në raport u cilësuan si, ”dështime sistematike dhe  mangësi në udhëheqje dhe menaxhim, si dhe për masat që nuk ishin aspak të mjaftueshme për t’u përballuar me sulmin që ndodhi në Bengazi.”  Zonja Klinton i siguroi ligjvënësit se ajo ka pranuar të gjitha rekomandimet e komisionit të hetimeve dhe se së shpejti përfundon zbatimi i atyre rekomandimeve të komisionit të pavarur hetimor. Megjithë debatin e tensionuar dje para Kongresit, disa senatorë republikanë njohën meritat e Sekretares Klinton dhe shprehën falënderimet e tyre për shërbimin e saj – pasi kjo sipas gjasës ishte dëshmia e fundit para ligjvënësve si Sekretare e Shtetit.  Ajo do të zëvendësohet nga Senatori Xhon Kerri, pasi emërimi i tij të jetë miratuar nga Kongresi.  Ndërkohë,  media dhe analistët kanë filluar spekulimet e tyre në lidhje me të ardhmen e saj politike – dhe nëse dëshmia e djeshme para dy komisioneve të Kongresit Amerikan do ta ndihmojë  apo do ta dëmtojë atë, në qoftë se ajo vendosë të jetë kandidate për President në vitin 2016.