Frank Shkreli/ Fjalimi i fundit i Presidentit Obama mbi gjendjen e vendit

541
Presidenti Obama në fjalimin e tij, që sipas tij ishte më i shkurtër, se fjalimet e tij të mëparshme vjetore mbi gjendjen e vendit, udhëheqësi amerikan theksoi se do fliste për katër çështje me rëndësi, mbi të cilat, sipas tij, duhet të përqendrohet vendi. Ai i tha Kongresit dhe kombit se ato janë: Gjendja ekonomike në vend, zhvillimi i teknologjisë, siguria e Amerikës dhe demokracia në vend. “A do t’u përgjigjemi ndryshimeve të kohës sonë, duke u treguar të frikësuar ndaj të ardhmes duke e kthyer vendin në izolim dhe duke kundërshtuar njëri-tjetrin, apo do të përballemi me të ardhmen, me besim në vetveten tonë, me konfidencë në vlerat në të cilat në besojmë dhe që na dallojnë se kush jemi ne si popull, dhe në gjërat që mund të realizohen duke punuar së bashku”, tha Z. Obama. Në fjalimin e tij, ai natyrisht mbrojti përparimet që, sipas tij, ka arritur Administrata e tij gjatë 7 viteve të kaluara dhe shpalosi një agjendë me disa pika për vitin e fundit të administratës së tij, të një agjende politike, e cila nuk ka gjasë të realizohet gjatë këtij viti, për arsye të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më vonë këtë vit. Ndërsa bëri thirrje për zhvillimin e një “politike më të mirë” në Washinton, Presidenti Obama i tha Kongresit që dominohet nga republikanët, se një atmosferë e re politike nuk do të thotë se ne duhet të biem dakord për çdo gjë, por shtoi ai, “Demokracia kërkon një lidhje besimi bazë midis qytetarëve të një vendi”. Në një referencë kritike të tërthortë ndaj deklaratave të kandidatit republikan për president, Donald Trump, sidomos në lidhje me imigracionin, Presidenti Obama tha se, gjatë historisë në Amerikë janë shfaqur pikëpamje të tilla, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara janë përballur në periudha të ndryshme me ndryshime politike, ekonomike shoqërore dhe me imigracionin. Gjithmonë, historikisht, nënvizoi ai, kur janë shfaqur frikësime dhe shqetësime për të ardhmen, çdo herë ky vend i ka tejkaluar ato me sukses. Ai u tha amerikanëve të mos kenë frikë nga e ardhmja. Duke folur mbi gjendjen ekonomike në vend ai mbrojti politikën e tij ekonomike nga kritikët e krahut të djathtë duke thënë se, “Kushdo që mendon se ekonomia amerikane është në rënie, vetëm përhapin trillime”. Në pjesën e fjalimit vjetor mbi politikën e jashtme të vendit, Presidenti Obama hodhi poshtë akuzat e kundërshtarëve të tij politikë se, “armiqtë e këtij vendi po fuqizohen dhe se Amerika po dobësohet”. Ai tha se cilësimi i grupit terrorist të ashtuquajtur shteti islamik, ISIL si një “kërcënim ekzistencial” ndaj botës dhe deklaratat e disave se kjo është “Lufta e Tretë Botërore”, është e tepruar dhe e pavend ndërkohë që vetëm u shërben interesave propagandistike të terroristëve, tha Presidenti Obama. ISIL duhet të eliminohet, ka thënë Presidenti Obama, ngase përbën një rrezik të madh ndaj civilëve, por sipas tij, ai grup nuk përbën një “kërcënim ndaj ekzistencës tonë kombëtare”. Presidenti Obama shtroi pyetjen para Kongresit dhe sfidoi se si duhet të “Mbrojmë sigurinë e Amerikës dhe njëkohësisht të udhëheqim botën, pa u bërë polici i saj”. Ai kërkoi miratimin e një rezolute nga Kongresi që do të autorizonte përdorimin e forcës ushtarake kundër shtetit islamik, por shtoi se Shtetet e Bashkuara kërcënohen “më pak nga perandoritë keqbërëse dhe më shumë nga rreziqet që vinë nga shtete të dështuara”. Në lidhje me këtë, Presidenti Obama parashikoi se nga këto shtete të dështuara do të dalin grupet e ardhshme terroriste anë e mbanë botës”. Në lidhje me këtë, Z. Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara “nuk mund të marrin përsipër rindërtimin e çdo shteti të zhytur në kriza”. Mbi një pikë të politikës së jashtme, ai i bëri thirrje Kongresit që tani pas lidhjes së marrëdhënieve të Amerikës me Kubën, të hiqet embargoja ekonomike kundër atij vendi, duke shtuar se, “Lufta e Ftoftë ka marrë fund”. Në fund të fjalimit vjetor, Presidenti Obama iu drejtua anëtarëve të Kongresit, duke bërë pyetjen se si ata së bashku mund të realizojnë që atmosfera politike të pasqyrojë ato që janë më të mirat dhe jo më të këqijat në radhët tona duke nënvizuar një pranim të jashtëzakonshëm nga ana e tij, ndërsa vetë mori përsipër një pjesë të përgjegjësisë për atë që është cilësuar si mosfunksionimi politik në Washington. Për situatën politike dhe për grindjet partiake në Washington, ai shprehu keqardhjen e tij sepse siç tha ai, mosmarrëveshjet midis partive jo vetëm që “nuk janë përmirësuar, por në të vërtetë janë keqësuar”, dhe për këtë ai tha se merr përsipër përgjegjësinë që i takon dhe premtoi se do të përpiqet që këto marrëdhënie midis partive të përmirësohen më shumë, për derisa ai të jetë në Shtëpinë e Bardhë. Në të vërtetë edhe Governatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, e cila mbajti fjalimin e palës Republikane, i mëshoi kësaj pike, duke folur mbi mosmarrëveshjet dhe grindjet politike në Washington, por duke ngarkuar me faj për situatën krijuar të dy partitë kryesore, përfshirë Partinë Republikane. Ajo tha se “duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin dhe me vetveten”, shtoi ajo, duke theksuar se, ndërsa“Demokratët mbartin përgjegjësinë më të madhe për problemet me të cilat përballet sot Amerika, kjo nuk është përgjegjësi vetëm e tyre. Ne Republikanët duhet të përballemi gjithashtu me të vërtetën”, theksoi ajo. “Ne duhet të pranojmë kontributin tonë ndaj erozionit të besimit të publikut ndaj institucioneve dhe udhëheqjes amerikane. Ne duhet të pranojmë se edhe ne kemi luajtur një rol në mosfunksionimin e qeverisë. Kjo situatë duhet të ndreqet”, përfundoi Governatorja e shtetit të Karolinës së Jugut, Nikki Haley në përgjigjen ndaj fjalimit të Presidentit Obama, në emër të Partisë Republikane. Si për çdo president tjetër para tij, fjalimi vjetor i Presidentit Obama mbi gjendjen e vendit të martën mbrëma, ishte një rast për të pasqyruar arritjet e tij, në fusha të ndryshme, të politikës së brendshme dhe të jashtme gjatë vitit të kaluar dhe të njoftonte programe të reja për vitin në vijim. Por, pa marrë parasysh se ç’mendon ai për sukseset e Administratës së tij gjatë vitit që kaloi, sondazhet më të fundit në vend tregojnë se 65% e amerikanëve besojnë se vendi është në rrugë të gabuar dhe se për këtë situatë janë përgjegjëse të dy partitë kryesore, Partia Demokrate, që kontrollon Shtëpinë e Bardhë dhe Partia Republikane që kontrollon Kongresin.
Sigal