Frank SHKRELI/Aleksandër Solzhenitsin: Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit

547
Sigal

Libri që pat tundur sistemin komunist sovjetik (Me rastin e 50-vjetorit të botimit)

Me librin e ish-disidentit të njohur rus, Aleksandër Solzhenitsin ”Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit” botuar më 1962 u përballova për herë të parë në njërin prej kurseve mbi komunizmin në kolegjin Lehman në Nju York, në fillim të 1970-ve. Profesori e kishte caktuar si njërin prej librave të domosdoshëm për tu lexuar nga studentët e regjistruar në atë klasë. Aleksandër Solzhenitsin, si emër ishte krejtësisht i panjohur për mua, por profesori duke e ditur se unë isha refugjat politik i arratisur nga Evropa Lindore, më thotë se ty do të pëlqejë ky libër. Natyrisht, libri i Solzhenitsinit, ”Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit”, ishte një vepër që përshkruante sistemin çnjerëzor komunist të Rusisë në atë kohë duke informuar botën mbi mizoritë që ndodhnin në burgjet dhe kampet e përqendrimit të Bashkimit Sovjetik stalinist, por tërthorazi ishte një testament edhe mbi krimet staliniste që po ndodhnin nën regjimet komuniste, anë e mbanë Evropës Lindore.  Ishte një libër që për herë të parë përshkruante tmerret në kampet staliniste të punës, por në të njëjtën kohë ishte dhe një testament i shpirtit dhe i fuqisë dhe vullnetit të njeriut për të mbijetuar edhe në rrethanat më çnjerëzore. Natyrisht, Solzhenitsin që kishte pësuar vetë vuajtjet në kampet e përqendrimit sovjetik, dhe fitues i Çmimit Nobel për letërsi më 1970, më vonë botoi librin e famshëm ”Gullag Arkipelago”, bazuar në përvojën e tij gjatë 11 vjetëve në burgjet dhe kampet e përqendrimit. Këto janë vepra me të cilat autori përshkruan vuajtjet e pabesueshme dhe krimet e errëta që njeriu është i aftë të bëjë kundër njeriut, të afërmit të vet, por janë gjithashtu dëshmi se njeriu dhe popujt e shtypur nga regjimet diktatoriale komuniste, naziste dhe ideologji të tjera shtypëse gjatë historisë, nuk pranojnë të dorëzohen as të kapitullojnë përballë të keqes. Vepra ”Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit” e botuar 60-vjet më parë, që në atë kohë tronditi sistemin komunist rus dhe botën për krimet dhe kushtet çnjerëzore që ekzistonin në kampet sovjetike të përqendrimit, megjithëse dëshpëruese për nga përshkrimi i ngjarjeve dhe vuajtjeve të të burgosurve, libri përfundon me vetëdijen se njerëzimi kurrë nuk do të ketë mundësinë të shkatërrojë vetveten përderisa në këtë botë ka njerëz që punojnë dhe flasin me drejtësi dhe përgjegjësi morale.

Në fillim të 1970-ve, edhe këtu në Amerikë ishte një periudhë tepër e tensionuar politike. Lufta në Vietnam ishte në kulmin e saj, demonstratat kundër luftës ishin mbarëkombëtare dhe në kolegjet amerikane ndihej një frymë pro komuniste, kryesisht si shprehje kundër luftës në Vietnam, jo vetëm në radhët e studentëve por edhe disa profesorë shpalleshin publikisht si marksistë dhe përkrahës të kësaj ideologjie. Për mua dhe shumë kolegë të tjerë, studentë të arratisur nga Evropa Lindore, kjo atmosferë ishte e tmerrshme. Më poshtë është një artikull – replikë e imja me një profesor amerikan të Shkencave Politike në Kolegjin Lehman që frekuentoja në atë kohë, botuar në gazetën MERIDIAN të këtij kolegji me datën 6 Mars, 1974, në lidhje me autorin me famë botërore Aleksandër Solzhenitsin, i cili ishte dëbuar nga Bashkimi Sovjetik si i padëshiruar.

 “Po i lë atyre zgjidhjen e thjeshtë, të çdo tirani: të më vrasin sa me shpejtë sepse unë shkruaj të vërtetën”. Solzhenitsin

 Por, ata nuk e vranë atë sepse ndryshe vdekja e tij do të zmadhonte çështjen e shtypjes staliniste, të shkuar dhe të tashme, dhe donin të siguroheshin që ndjeshmëria e madhe e perëndimorëve për fituesin e çmimit Nobel nuk do të lëndohej. Do të popullarizonte idetë e tij dhe kërkesa për librin e tij të ri, “Gullag Arkipelago”, do të fitonte rritje në Bashkimin Sovjetik. Shokët e Kremlinit nuk donin të merrnin përsipër një risk të tillë.

Një arsye tjetër ishte se Qeveria Sovjetike ishte e frikësuar nga Solzhenistin sepse siç thontë një nga kolegët e Solzhenistin në gazetën Nju Jork Taims, “Ai është zëri që vjen prej andej (kampet e punës së robërve). Kur ai flet, ata dëgjojnë zërin e milionave njerëzve që u zhdukën atje. Dhe ata kanë frikë”.

Dëbimi i Aleksandër Solzhenitsin është pohim i dështimit të sistemit sovjetik për shpresën që kishin për të krijuar “njeriun e ri sovjetik”. Sistemi sovjetik ka humbur besimin në transformimin psikologjik të individit; ai është i frikësuar nga individualiteti dhe shpirti individual. Veprimi arbitrar dhe ilegal i Kremlinit duke dëbuar Solzhenistin, na tregon për paaftësinë e regjimit sovjetik dhe regjimeve komuniste në përgjithësi, që t’i përgjigjen një argumenti me argument; paaftësinë ose mungesën e vullnetit për të toleruar një debat politik.  Ky veprim i papritur i tregoi edhe njëherë popullit rus dhe Botës së Lirë, lirinë e kufizuar të regjimeve post-staliniste.

Fakti është se, në Bashkimin Sovjetik shtypja ndaj disidentëve vazhdon ende. Persekutimi i kristianëve dhe hebrenjve vazhdon, për krimin që ata bëjnë duke praktikuar fenë e tyre. Fakti i dytë është se, regjimi sovjetik është ende i dominuar nga njerëz të cilët janë bashkëpunëtorë dhe përgjegjës për vdekjen e 20 milion të burgosurve politikë. Nuk ishin nazistët ata që shpikën kampet e përqendrimit dhe gjenocidin, ishin Bolshevikët ata që përgatitën rrugën drejt Nazizmit.

Arsyeja që i nisa për të shkruar rreth fatit të Aleksandër Solzhenitsin, ishte një artikull i datës 20 Shkurt nga profesori John Crawford i titulluar, “Delet mes ujqërve kapitalistë”. Ai përpiqet që më aftësitë e tij akademike të bëjë një ndarje konceptuale mes “demokracisë socialiste” në Rusi, që dëboi Solzhenitsin, dhe “lirisë kapitaliste” me “çmimet e ushqimeve në stratosferë”, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Ai thotë se, Amerika nuk është e lirë sepse çmimet atje rriten dhe t’i nuk mund të blesh as gaz. Por ai mund ta kritikojë qeverinë, të shprehë pikëpamjet e tij ose t’i bërtasë kujtdo. Jo, kjo për atë nuk është liri. Ai e përcakton lirinë e të shprehurit, duke cituar Fidel Katron, i cili vite me parë ka thënë: “Nëse je në anën tonë, nuk mund të thuash asgjë. Nëse je kundër nesh, nuk mund të thuash asgjë.” Madhështore apo jo?! Kjo është “konstruktive për njerëzit”, thotë Prof. Crawford. Seriozisht e ka ai? Shpresoj shumë që mos ta besojë atë që thotë. Dakord, ka një dallim të madh mes lirisë së shprehjes dhe të flasësh lirshëm. Pse nuk duhet të ekzistojë liria e shprehjes? Pse nuk duhet prof. Crawford të thotë atë që ka për të thënë? Sepse tek e fundit nuk ka vlerë, apo jo. Pra, pse jo?

Kështu profesori ynë shkon më tej duke shpalosur njohuritë që ka rreth shkrimtarit rus, duke thënë se Solzhenitsin ishte “pjesë e rojës së vjetër….i cili kurrë nuk mundi ta pranonte revolucionin”. Absolutisht që nuk është e vërtetë kjo. Solzhenitsin, ashtu siç ai e përshkruan veten, ishte një i ri sovjetik, patriot, i mbushur me zell komunist. Ai besonte në idealizmin e Leninit. Ai ishte një anëtar besnik dhe i devotshëm i Komosol, Organizatës së të Rinjve Komunistë. Në librin e tij më të ri, “Gullag Arkipelago”, Solzhenitsin përshkruan se si ai argumentonte dhe mbronte komunizmin dhe parimet e tij  me të burgosurit e rinj. Vetëm ne vitet e mëvonshme ai fillon të dyshojë dhe kritikojë sistemin.

Shteti sovjetik ka shkaktuar një vuajtje të frikshme mes njerëzve. Vrasjet në masë të opozitës politike, terrori i përhapur kundrejt qytetarëve të pambrojtur tregon orientimin kriminal që kishin kuadrot komunistë.

Si mundet një sistem i tillë të meritojë njohje ndërkombëtarë (duke lënë mënjanë statusin e kombeve më të favorizuara, që SHBA po i konsideron)? Vetëm për të fshirë krimet e tij nga njeriu i lirë. Në të vërtetë politika komuniste vjen në SHBA vetëm për t’i mohuar njerëzve tonë të njohin të vërtetën. Ne e dimë se çfarë i ka ndodhur Solzhenitsin dhe Saharov, dhe të tjerëve të rangut të tyre, për shkak të famës që kishin, por çfarë ndodh me atë tjetrin, “të voglin”, i cili nuk pajtohet me regjimin. Kush e di se çfarë ndodh në Siberi? Po për spastrimet e bëra nga uria, dëbimet e gjenocidet dhe ekzekutimet e bëra në dhomat e torturës dhe kampet e përqendrimit? Media e kontrolluar sovjetike nuk thotë asgjë për këto. Shtypi dhe media jonë vazhdon t’i paguajë shantazhet e bëra nga vendet komuniste për privilegjin e mbajtjes së korrespondentëve tanë aty.

Njerëzit si Solzhenitsin janë kontribuuesit e vërtetë të fitimit të lirisë. Ai është monumenti i vdekjes martire dhe të pazë. Ai është zëri që vjen prej “andej”. Lëreni që ai të dëgjohet!

 6 mars 1974

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë