Luan Shmilli/Spastrimi etnik i grekëve ndaj shqiptarëve

    431
    Sigal

    Çërcill:”Me Stalinin nuk e përmendëm Shqipërinë…Greqinë e ndamë 90 për qind për Britaninë bashkë me SHBA dhe10 për qind për Rusinë

     Është shkruar shumë për “prerjen”, që Fuqitë e Mëdha të kohës ndërmorën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët me 1913, me Konferencën e tyre kriminale të Londrës, që në kundërshtim edhe me kufijtë e përcaktuar nga Italia, në Monza vendosën këtë kufi. Mur që aktualizohet sot përbindshëm duke ndarë popullin më të lashtë të Ballkanit tragjikisht në dy pjesë. Përpos kësaj ndarje me Mur, që duhet rrëzuar, sigurisht pa kërkuar mure të tjerë a kufij me fqinjët, (nëse i referohemi fjalës së znj.Klinton, në fjalën e mbajtur me rastin e 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit). Natyrisht edhe nga kjo thënie ne duhet të bëjmë të kuptohet se jo thjesht u gabua rëndë me kufijtë tanë, por më rëndë, shqiptarët e kanë pësuar nga fqinjët e tyre, në gjithë gjatësinë e Murit kriminal. Nuk ka aspak, “nonsens”, mos dakordësi fqinjësh a shtetesh në BE. Të gjitha janë antidemokratike, justifikime për të vazhduar poshtërimin. Kjo sepse, nuk janë vetëm krimet e përbindshme të cetnikëve serbë që u çanin fytin me thikë shqiptarëve dhe u jepnin konjak e pas tij i detyronin të putheshin nën pranga, si tregon gazetari i atëhershëm sllav, Trocki. Këto kanë ndodhur kudo mbas vendosjes së Murit kriminal dhe tashmë janë edhe historianë europianë që me sytë e tyre e dëshmi të të tjerëve, na sjellin ato kohë tmerri kur 28 Nëntori 1912 shpalli Shqipërinë reale, ndërsa viti 1913 e ngushtoi trupin shqiptar krejt dhunshëm.

    Dikur, në monizëm, poeti ynë i njohur Fatos Arapi, më ka mahnitur me vargjet sublime të një poezie për kombin tonë, trupi i të cilit i përngjet “Shtratit të Prokustit”, ashtu si më mahniste liriku ynë i madh Lasgush Poradeci, që Drinin e vendoste në poezi në mes të Shqipërisë…

    Sigurisht vet ne, shqiptarët, kemi bërë pak, për të zgjeruar a ridimensionuar “Shtratin e Prokustit”. Më keq kanë vepruar një pjesë e papërgjegjshme e shtetarëve tanë. Sikur të kishin veshur “Lëkurën e Shagrenit”, personazhit të famshëm që i shkurtohej e ngushtohej trupi tek Balzaku, dhanë Shën Naumin,Vermoshin dhe djallëzisht për pushtet edhe tani detin në jug. Këtu nuk është qëllimi të merremi me vetveten sepse edhe kjo duhet bërë dhe po bëhet, por qëllimi është të tregojmë dhe sidomos nëpërmjet të tjerëve, historinë e trishtë tonën. Natyrisht ka pasur kurdoherë dhe ka edhe sot reagim atdhetar shqiptar ku Kosova e lirë është një arritje stimuluese, që premton korrigjime të mëtejshme. Sigurisht pa dhunë e mundësisht sa më shpejt të rroposim murin duke bërë demokraci reale së pari në shtëpinë tonë me respektim të ligjit dhe demokracisë. Duke bërë këto në shtëpi s’kemi përse t’u kërkojmë konsensuse dhe “duartrokitje” fqinjëve apo këshilla ambasadorësh të nderuar, ndonjëri prej të cilëve “burrat e shtetit” i deklaron edhe për falje territoresh, vrasjesh, a kopjime nacionalizmi, duke kundërshtuar çuditërisht edhe zonjën e ndritur amerikane Hillary…

    Kritikat kur kanë vërtetësi historike dhe tragjizëm të një populli të tërë meritojnë të dëgjohen, aq më tepër kur një popull i tërë a grupime shoqërore të tij i drejtohen Europës, meritojnë reflektim edhe për popujt a shteteve që përbëjnë Europën, pavarësisht se shumë prej tyre janë ende në shina të vjetra demokratike dhe pështjellime krizash. Post 1912, solli edhe në jugun kombëtar shqiptar dëme të rënda, të tmerrshme. Popullit shqiptar jo vetëm ju morën me pabesi dhe ju ble me flori kryeqendra e tyre të jugut, Janina (herë tjetër do tregojmë imtësisht këtë krim nga autorë të njohur dhe dëshmitarë okularë), por atij iu përzunë popullsi të tëra shqiptare nga Preveza, Arta, Igumenica dhe krejt Çamëria.

    Ato vite të rënda post 1912 janë fshehur edhe për mungesë të kurajës dhe ndershmërisë profesionale të shumë studiuesve grekë dhe ata të paktëve të huaj që u lejuan të vëzhgonin gjenocidin grek, nuk kanë arritur të shikojnë afër dramën e shqiptarëve të Çamërisë. Është më ndryshe koha e post fashizmit, sidomos viti 1944 dhe vitet e më pasme. “Pastrim Etnik” e konsideron (si shihet nga foto e shkrimit në italisht) tragjedinë e shqiptarëve të Çamërisë, historiani Guido Frasinetti. Dhe nëse historia ka të shënuar një humbje të lartë të Shqipërisë gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, gjë që flet edhe për luftë të vërtetë dhe terror nazifashist,(Shqipëria në krahasim me numrin e popullsisë i ka humbjet 2.5 përqind në njerëz, Bullgaria 0.3, Italia 0.9, Greqia 2.2, Jugosllavia 2, (sipas Ëoytinsky, 1953, fq. 47, 134) ajo nuk ka shtuar si bilanc vrasjet greke të asaj kohe ndaj shqiptarëve të Çamërisë, as dëmtimet e shtëpive dhe pronave të tyre nga grekët. Është interesante të kuptohet se si e djathta greke, si thotë autori i shquar në vitin 1944 me motivacion “ideologjik “(bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit, shqiptarët e Çamërisë) ka justifikuar vrasjet me qindra dhe 15 mijë të tjerë të përzënë drejt Shqipërisë. Natyrisht për fqinjët e sotëm dhe ambasadoret e nderuar në Shqipëri ky “Pastrim Etnik”, nëse nuk u jep përgjegjësi të drejtpërdrejtë, ju jep a duhet tu jap koshjencë se, shqiptarët e Çamërisë të organizuar sot në formacione të tyre politike dhe të përçarë jo paqëllim nga “të djathtë mashtrues” shqiptarë, jo vetëm nuk ndihmohen të realizojnë të drejtat e tyre njerëzore në shtetin grek, por edhe një Rezolutë (absurde) nuk arrijnë të diskutojnë a miratojnë në parlamentin ku dominojnë homologë të së djathtës greke që i vrau e përzuri, por që në ndryshim nga ata homologë, quhen shqiptarë…

    Sigurisht, shqiptarët e dinë mirë atë që tregon vet Uinston Çurcill, se vendimi për fatet e tyre dhe gjithë shqiptarëve, në ndryshim nga ç’propagandojnë politikanë të sotëm të djathtë shqiptarë e kasnecë të tyre në shtyp a libra, është marrë në Moskë më 9 tetor 1944, në takimin e tij me Stalinin dhe që i tregon në autobiografinë e tij (Churcill, 1971, fq. 257) si vijon nën fjalët e tij:

    “Sistemojmë punët tona në Ballkan. Ushtritë tuaja gjenden në Rumani dhe në Bullgari (Shqipëria u çlirua pa ndihmën ruse me 28 mijë dëshmorë), ku ne kemi interesa, misione dhe agjentë sekretë. Evitojmë të kemi mosmarrëveshje. Përsa i përket Britanisë dhe Rusisë, çfarë do të thoni nëse do të keni 90 për qind predominim në Rumani dhe të na lini ne 90 për qind predominim në Greqi dhe të ndajmë 50 për qind Jugosllavinë?” Ndërsa po procedohej me përkthim (Stalinit) shkrova në një gjysmëfletë që gjeta në xhep: Rumania: 90 për qind, Rusia, të tjerët 10 për qind, Greqia: Britania, (bashkë me SHBA) 90 për qind; Rusia 10 për qind. Jugosllavia 50-50 për qind; Hungaria 50-50 për qind; Bullgaria, Rusia 75 për qind, të tjerët 25 për qind. Autori ka treguar me tej se Bullgaria nuk ishte objekt diskutimi, ndërsa Shqipëria as u përmend. Sigurisht kjo ndarje e dytë të mëdhenjsh pa pyetur as shtetarët e vendeve, është sërish tragjike sidomos me Shqipërinë e harruar e mosvlerësuar, sepse në pozita më tragjike kjo ndarje vendosi shqiptarët tej Murit. Shqipëria në ndryshim nga Bullgaria, që iu kthye Dobrugia jugore, (nuk pati diskutime tregon Churcill) apo Jugosllavia që mori Istrian dhe Zarën nga Italia, mbeti në kufijtë e 1913 dhe partizanët e Enver Hoxhës (Ai nuk kishte asnjë njoftim) pasi shkuan e çliruan Kosovën e Metohinë nga nazifashistët e bandat kriminale të Xhaferr Devës, u detyruan të ktheheshin mbrapsht e kjo duket qartë tani nga ky akord kriminal dhe i pabesë supershtetesh. Është ky akord që i dha krahë të djathtës greke (90 për qind dominim britaniko-amerikan) që me spastrim etnik vranë e përzunë mijëra shqiptarë të Çamërisë. Natyrisht, historia është bërë. Ajo tragjikisht në 100 vjet kaloi me gjak e dhimbje te tmerrshme për shqiptarët. Fatmirësisht është e shkruar dhe prej asaj shkruajtje, qoftë dhe të zbehtë, kuptohen jo vetëm tragjeditë, gjenocidet, spastrimet etnike të serbëve, grekëve, por dhe talljet dhe mohimet e mëdha të Fuqive të Mëdha të kohës dhe drejtuesve të tyre për ne të papërgjegjshëm. Një arsye më shumë të rrëzojmë muret, pa kërkuar mure të tjerë a kufij përplasës me fqinjët. Shqiptarët e Çamërisë meritojnë energjikisht të drejtat e tyre të nëpërkëmbura nga ata që i shkaktuan, por edhe nga mazhoranca qeverisëse shqiptare dhe deputetet e tyre të blerë…