Frank SHKRELI/ Fundi i një Europe të tërë, të lirë dhe në paqe?

506
Sigal

Njëzetepesë vjet pas fjalimit të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush në Mainz të Gjermanisë më 31 maj 1989 mbi vizionin e tij për krijimin e një “Europe të tërë, të lirë dhe në paqe”, Ukraina dhe bota e qytetëruar po akuzojnë Rusinë dhe Presidentin e saj Vladimir Putin se është në proces e sipër të një invadimi ushtarak brutal të territorit të një shteti të pavarur dhe sovran.  Kriza filloi si përfundim i refuzimit të ish-Presidentit ukrainas, Janukoviç që të  nënshkruante një marrëveshje politike dhe ekonomike me Bashkimin Europian, gjë që u pasua me protesta të përgjakshme në Kiev dhe në qytete të tjera të Ukrainës, ku gjetën vdekjen duzina protestuesish paqësorë. Është kjo, një atmosferë që i përngjanë periudhës së luftës së ftohtë, një situatë që ka shkaktuar reagime dënuese nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian.  Presidenti amerikan, Barak Obama tha se: “Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara nga lajmet mbi masat ushtarake që ka ndërmarrë Federata Ruse, brenda territorit të Ukrainës. “Presidenti Obama shtoi duke thënë se: “Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë krah për krah me komunitetin ndërkombëtar për të theksuar se, do të ketë pasoja serioze për çfarëdo ndërhyrje ushtarake në Ukrainë. Dhunimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial të Ukrainës do të ishte një akt tepër mos-stabilizues”, u shpreh Presidenti amerikan dhe shtoi se, çdo ndërhyrje ushtarake nga forcat ruse do të konsiderohej si një përzierje e thellë në të drejtën e popullit të Ukrainës për të vendosur vet të ardhmen e tij.

Gjatë intervistave në programet televizive të së dielës, përfaqësues të administratës Obama, përfshirë edhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, si dhe anëtarë të Kongresit, shfaqën shqetësimet e tyre mbi kërcënimin e fillimit të një lufte të re në Europë. Sekretari Kerri në intervistën e tij në rrjetin e televizionit amerikan, ABC i dënoi masat ruse në Krime si: ”Një akt i paturpshëm agresioni në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara”. Ky, -tha Xhon Kerri, është një akt i shekullit të 19-të, në shekullin 21-të. Në një deklaratë tjetër, kryediplomati amerikan e cilësoi agresionin rus, si një “Kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë së Ukrainës dhe rajonit më të gjerë”.  Ndërkaq zëdhënës të Partisë Republikane në opozitë dhe të të tjerë reaguan më ashpër se përfaqësuesit e administratës Obama ndaj agresionit ushtarak rus në Ukrainë. Senatori republikan nga shteti Florida, Mark Rubio, prindërit e të cilit janë arratisur nga Kuba komuniste si kundërshtarë të regjimit të Fidel Kastros, tha se,  “qeveria ruse është një qeveri gënjeshtarësh”.  Ndërsa në përgjigje të intervistuesit të rrjetit të televizionit amerikan NBC, nëse rusët janë një popull armik i Shteteve të Bashkuara, Senatori republikan u përgjigj pa hezitim, duke thënë se: “Besoj se ata po sillen gjithnjë e më tepër si armiq të paqes dhe të normave ndërkombëtare. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos që prej mbarimit të Luftës së Ftohtë, përhapja e demokracisë dhe e lirisë ka vendosur disa norma me qëllim që kombet të mënjanojnë mundësinë e shpërthimit të një lufte tjetër botërore. Duket se Rusia, nën udhëheqjen e Presidentit Putin nuk është e interesuar për këto norma ndërkombëtare.  Kështu që nga kjo pikëpamje, po, ata janë armiqtë tanë… armiq të Shteteve të Bashkuara.  Dhe po të shikosh qëndrimet që ata kanë marrë vazhdimisht mbi çështje të ndryshme, Rusia paraqet pengesë pas pengese ndaj interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara.  Ndërkohë, ish-senatori Xhim De Uit  i shtetit të Karolinës së Jugut dhe tani kryetar i Fondacionit  Konservativ, Heritage, kritikoi deklaratat e Presidentit Obama në lidhje me gjendjen në Ukrainë.  Ndërsa u shpreh se, Presidenti, si Kryekomandant i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, “meriton mbështetjen tonë në këtë krizë ndërkombëtare”, në deklaratën e tij ai tha se: “Do, s’do krahu i majtë i partisë së tij, ai është udhëheqësi i botës së lirë dhe prandaj është e natyrshme që në këtë periudhë historike, bota shikon kah Shtetet e Bashkuara për udhëzim.  Popujt liridashës e kanë ditur gjithmonë se, megjithë të metat tona, ata kanë gjetur kurdoherë  një mik tek Shtetet e Bashkuara”.  Nuk është mjaft,- shtoi ai,- të thuhet – siç tha Presidenti Obama se Shtetet e Bashkuara- “do të qëndrojnë krah për krah me komunitetin ndërkombëtar. Bota pret që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin në situate të tilla”. Kryetari i Fondacionit Heritage, tha se: “Ajo, që jo vetëm miqtë, por edhe armiqtë tanë duhet të dëgjojnë në këtë moment nga Shtëpia e Bardhë duhet të jetë një deklaratë e fortë bindëse në mbështetje të lirisë dhe të vetëvendosjes, por njëkohësisht të përfshijë edhe kërcënimin për vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që i shkelin këto parime ndërkombëtare.  Ukrainasit, të cilët u ngritën në këmbë për të kërkuar lirinë, kanë nevojë të ngushëllohen nga fjalët dhe qëllimet tona dhe njëkohësisht vrasësit dhe gangsterët e Kremlinit duhet tua kenë frikën”, përfundoi ish-Senatori Xhim DeUit, që tani drejton Fondacionin Heritage. Janë interesante  reagimet e Shqipërisë dhe të Kosovës mbi agresionin ushtarak rus, – e sidomos ai i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, deklarata e së cilës nuk përmend fare Rusinë si agresoren kundër integritetit territorial të Ukrainës.  Gjëja tjetër që bie në sy është se deklarata tepër e butë dhe e paparim, po të merret marrë parasysh serioziteti i situatës së krijuar, prononcohet në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, e jo në emër të Shqipërisë. A është kjo deklaratë në emër të Ministrit të Jashtëm po në emër të shtetit shqiptar? Për më tepër, kush e shkaktoi këtë situatë, a janë këta dhunues të sovranitetit ukrainas të ardhur nga Marsi, ende të paidentifikuar? Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë nuk dënohet agresioni, vetëm shprehet shqetësim, sikur nuk duan të zemërohet Putini. Putini thotë se, ndërmori agresionin në Krime për të mbrojtur rusët atje.  Edhe Millosheviçi dikur arsyetonte para botës gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë, me pretekstin se serbët në Kosovë ishin në rrezik. Shqiptarët, si askush tjetër duhet të mbrojnë të drejtën e popujve për vetëvendosje, për liri dhe demokraci, pa ndërhyrje nga jashtë. Ja deklarata në emër të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë mbi situatën në Ukrainë:  “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë për përshkallëzimin e situatës në Ukrainë. Ministria e Punëve të Jashtme çmon rëndësinë e patjetërsueshme të integritetit territorial dhe unitetit të Ukrainës. MPJ beson se, respektimi i së drejtës ndërkombëtare, marrëveshjeve të nënshkruara dhe evitimi i përdorimit të forcës, që sjell me vete efekte destabilizuese për Ukrainën dhe sigurinë ndërkombëtare, është kuadri i vetëm që ofron zgjidhje të situatës. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh besimin se, një veprim i sinkronizuar dhe vendimtar i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për stabilizimin e situatës dhe për krijimin e frymës së besimit”,- përfundon deklarata e MPJ-së e Shqipërisë.

 

BOX

Kosova nga ana tjetër, mori një qëndrim më të fortë, ashtu siç e kërkon edhe situata, duke e bërë deklaratën në emër të Republikës së Kosovës- e jo në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme – duke theksuar se: “Republika e Kosovës dënon agresionin mbi territorin e Ukrainës nga Federata Ruse dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, në kundërshtim të plotë të detyrimeve të Federatës Ruse sipas Kartës së OKB-së, Aktit Final të Helsinkit dhe Memorandumit të Budapestit të vitit 1994. Veprimet e ndërmarra nga Federata Ruse janë një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë së Ukrainës dhe të rajonit më gjerë”.

Megjithëse, okupimi rus i territorit dhe sovranitetit ukrainas është një shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara e Marrëveshjes Përfundimtare të Helsinkit dhe e Memorandumit të Budapestit, nuk besoj se, agresioni rus në Ukrainë do të shkaktojë shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore, por sipas ekspertëve do të prekë për një kohë të gjatë marrëdhëniet e Rusisë me shtetet europiane  dhe veçanërisht  marrëdhëniet e Moskës me Shtetet e Bashkuara, ndërsa sipas disa ekspertëve ndoshta mund të shkaktojë edhe rikthimin e Luftës së Ftohtë numër II.  Por, agresioni rus i udhëhequr nga ish- agjenti i Policisë Sekrete sovjetike, KGB, Vladimir Putin kundër sovranitetit të Ukrainës, mbi të gjitha, i dha një grusht të rëndë  ëndrrës dhe vizionit të Presidentit Xhorxh Bush të vjetër, i cili para 25 viteve, u deklarua për një  “Europë të tërë, në liri dhe në paqe” dhe përbën njëkohësisht një goditje serioze  ndaj përpjekjeve prej një çerek shekulli, për realizimin e këtij vizioni. Një vizion dhe nocion ky që sipas, ish-Presidentit Xhorxh Bush, bota perëndimore e kishte kuptuar me kohë se: “Baza e një sigurie të qëndrueshme nuk garantohet nga tanket, nga Forcat e Armatosura e Policore dhe as nga telat me gjemba -por ajo ndërtohet mbi vlera të përbashkëta humane dhe në bazë të marrëveshjeve që lidhin popujt e lirë me njëri-tjetrin”.

Ish-zëvendës Sekretari i Shtetit për Çështjet Politike, Nikolas Burns i tha gazetës “Miami Herald” se: “Në qoftë se Putini del me sukses në ofensivën e tij ushtarake kundër Ukrainës, atëherë Europa është në rrezik të ndarjes”. Ironia e kësaj situate është se mundësia e ndarjes së re të Europës, po ndodhë pikërisht për arsye të Krimesë, pikërisht aty ku më 1945-n u mbajt Konferenca historike e Jaltës, për të biseduar ndarjen e Europës të pas Luftës së Dytë Botërore. 25 vjet më parë, Presidenti Xhorxh Bush ka thënë se, Lufta e Ftohtë pati filluar me ndarjen e Europës.  Kjo luftë, e cila falë agresionit rus në Ukrainë duket se po rikthehet  në marrëdhëniet ndërkombëtare, mund të marrë fund vetëm kur Europa të jetë e tërë, në liri dhe në paqe me vetveten.

 Reagimet e zyrtarëve botërorë ndaj situatës në Krime

 Merkel: Ende nuk është vonë për zgjidhje politike

 Kancelarja gjermane, Angela Merkel vlerësoi se, ende nuk është shumë vonë për një zgjidhje politike për krizën e Ukrainës, për të mënjanuar kështu mundësitë e ndërhyrjes ushtarake, njoftoi zëdhënësi i saj, Steffen Seibert. “Ende nuk është shumë vonë që Rusia të dërgojë sinjale që vërtetojnë respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe të mundësojë qetësimin e situatës në Krime dhe në lindje të Ukrainës”,-shtoi ai.

  Kina  mbështet ekonomikisht Ukrainën

Edhe udhëheqësit e Kinës janë duke ndjekur zhvillimet politike në vendin lindor të Europës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying, tha se, “Kina kërkon të krijojë një partneritet strategjik me Ukrainën dhe të punojë me ‘të për ta ndihmuar ekonomikisht. Kina premtoi 8 miliardë dollarë ndihma gjatë një vizite të ish-presidentit Yanukovych në dhjetor në Pekin. Kjo ishte përveç 10 miliardë dollarëve që Kina kishte investuar më parë në Ukrainë.

 Hague paralajmëron Rusinë për çmimin e veprimeve të saj

Ministri britanik i Punëve të Jashtme, William Hague, paralajmëroi Rusinë për çmimin që duhet të paguajë për veprimet e saj në Ukrainë, gjatë një konference për shtyp në Kiev. “Kjo nuk duhet të jetë mënyra, me të cilën rregullohen marrëdhëniet ndërkombëtare në shekullin XXI. Kjo nuk është e pranueshme dhe do të ketë pasoja dhe një çmim për të paguar”,-deklaroi William. Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha dje se, Rusia ka shkelur kartën e OKB-së me veprimet e saj ushtarake në Ukrainë. Anders Fogh Rasmussen i bëri thirrje Moskës të ulë tensionet

 Schwarzenberg: Putini si Hitleri, përsërit historinë

 Ish-ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Schwarzenberg, ka thënë se Presidenti rus, Vladimir Putin, është duke përsëritur historinë, duke vepruar në Krime si Adolf Hitleri në Europën Qendrore dhe Lindore, në fund të viteve 1930. “Sikurse Putini dëshironte të pushtonte Krimenë, kishte nevojë për një pretekst dhe shpjegoi se, bashkëpatriotët e tij ishin të shtypur”,-shpjegoi Schwarzenberg, duke shtuar se rusët e Krimesë nuk janë viktima të asnjë lloj diskriminimi. Schwarzenberg, 76 vjeç, vlerësoi se: “Europa duhet të negociojë me Putinin dhe t’i shpjegojë se bëhet fjalë për një dhunim të ligjit të cilin ajo nuk do të lejojë që të ndodhë”.