Frang Bardhi mbron shqiptarësinë e Skënderbeut

2804
Prof. Dr. Agron F. FICO

(Kukuvajkat e sotme mediatike kundër Skënderbeut)
Gati 400 vite më parë Frang Bardhi shkroi një biografi për Gjergj Kastriot Skënderbeun, e cila u botua më 1636 në Venedik. Vepra e Bardhit kishte karakter polemik dhe ishte kundër priftit katolik sllav Jan Tomku (Ivan Tomko Mrnaviç), që shpallte se Kastrioti ishte me prejardhje sllave. Frang Bardhi e sulmon me argumente Jan Tomkun dhe e mposht me fakte.

Gati 400 vite më pas, pikërisht në vitin 2017, një tufë kukuvajkash mediatike përpiqen ta shpërfytyrojnë heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun me sajesa fallxhorësh, dikush për prejardhjen e gruas, dikush për besimin fetar të heroit. Këta “gjak prishur” shqiptarë me shkrimet e tyre zhurmuese do të mbeten të turpëruar dhe do të damkosen si shpifës të rëndomtë dhe falsifikatorë të vërtetash historike. Populli shqiptar është një popull evropian nga pozicioni i vet gjeografik, por më shumë nga historia, kultura dhe gjuha. Populli shqiptar është një ndër popujt e parë që përqafuan krishterimin. Sipas shprehjes aq të goditur të nobelistes shqiptare Nënë Terezës, ata janë “Kombi i Biblës. Kjo e rendit popullin shqiptar ndër të parët në rrafshin e kulturës dhe qytetërimit evropian. Populli shqiptar nuk ka luftuar kundër armiqve të shumë të historisë së vet shekullore vetëm me shpatë, por edhe me kulturë, me penë. Ndërsa heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu luftoi me shpatën e vet legjendare armiqtë turq osmanë për 25 vjet dhe doli fitimtar. Frang Bardhi e mbrojti Skënderbeun me penë në librin e vet “Apologjia” (1636). Frang Bardhi kishte mbaruar studimet teologjike në Romë dhe ishte caktuar peshkop në Zadrimë. Ai rridhte nga një familje me njerëz të shquar në hierarkinë e kishës katolike. Frang Bardhi është leksikografi dhe folkloristi i parë në historinë e kulturës shqiptare. Ai botoi në Romë më 1635 fjalorin latin-shqip, që përmban 5640 fjalë dhe njësi gjuhësore, si dhe 113 fjalë të urta dhe shprehje popullore. Frang Bardhi në librin “Apologji” na del si një personalitet me përgatitje të thellë dhe kulturë të gjerë në polemikë me Jan Tomkun kundër tezës së Tomkut për prejardhjen sllave te Skënderbeut.

Bardhi i rrëzon, i hedh poshtë pretendimet e kundërshtarit me argumente të shumta dhe të gjithanshme. Bardhi mbështetet dhe citon këtu një mori shkrimtarësh të ndryshëm, bizantinë, italianë, sllavë, gjermanë etj. Historianët më të mirë, kronikanë, gjeografë, madje edhe poetë, që kanë kënduar trimëritë e Skënderbeut. Ai përdor shpesh si burime të rëndësishme: Arkivat e Venedikut, të Raguzës dhe analet turke, të cilat i konsideron dhe, siç dihet, janë materiale me vlerë të madhe për shqyrtimin edhe kthjellimin e çështjeve të historisë sonë kombëtare në kohën e Mesjetës. Libri i Bardhit ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë autori shqyrton prejardhjen e Jan Tomkut dhe me dokumente të shumta e të ndryshme zbulon prejardhjen e familjes së tij sllave. Pjesën e dytë, atë kryesore dhe më të gjerë, Frang Bardhi ia kushton familjes së Kastriotëve dhe sjell dëshmi historike të autorëve të shumtë të Evropës për shqiptarësinë e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Jan Tomku, sllav nga kombësia, pretendon se rrjedh nga një familje princore dhe mbretërore, ajo e Margnavëve. Jan Tomku, në një libër të vetin, ka marrë përsipër të provojë, dhe kujton se e ka provuar, Skënderbeu nuk është bir i Gjon Kastriotit, por i një të quajturi Juanis Margnaviç, bir i mbretit të Serbisë Vukashin (1366-1371). Synimi i “kobshëm” i Jan Tomkut, na thotë Bardhi, është që t’i rrëmbejë kombit tonë yllin e ndritur të historisë së tij, simbolin më ideal të vlerave mendore, shpirtërore dhe fizike. Tomku te Bardhi gjeti ustain, që ia zbulon qëllimet antishqiptare dhe djallëzore të Tomkut, të cilit ia rrëzon tezat shpifëse me argument të fuqishme. Për Frang Bardhin kryesore në këtë ballafaqim historik është e vërteta. Siç shkruan ai “Çështjen ta shqyrtojmë me kujdes dhe vëmendje të madhe, duke pasur më tepër parasysh të vërtetën, se sa atdheun.” (Frang Bardhi: Skënderbeu – Apologji, 1967, përkthyer nga Stefan I. Prifti, f. 68). Ajo që e shquan Frang Bardhin në këtë “Apologji” është ndjenja e krenarisë kombëtare, kjo e mbush atë me një zemërim të thellë kundër synimit të Tomkut për t’i marrë shqiptarësinë heroit tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Bardhi nuk lë pa përmendur e pa theksuar edhe “dashurinë e ushtarëve dhe fshatarëve për Skënderbeun”. Madje emrin dhe veprën e heroit kombëtar populli e ka skalitur në toponimitë e panumërta në të gjitha vendet edhe fushë-betejat që zhvilloi kundër turqve, e ka përjetësuar në këngët popullore. Bardhi shkruan: “Vazhdimisht gjer në ditët e sotme bashkëkombësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimëritë e tij nëpër gosti; dhe e quajnë Skënderbeun tonë, për antonomazi, me emrin e shquar ‘Kulçedra e Arbënit’, d.m.th. dragoi i Epirit. Dhe sa herë shqiptohen këto fjalë, kuptohet vetëm Skënderbeu.” (Vepra e cit. f. 122-123) Frang Bardhi, Barleti dhe Fan Noli, në disa raste, priren drejt paraqitjes emocionale të Skënderbeut, jashtë “gjakftohtësisë së rreptë historike, shkencore”. Por siç thotë vetë Fan Noli, fajin e ka vetë Skënderbeu, “i cili ua rrëmbeu mendjen edhe atyre historianëve më gjakftohtë”. (Vepra e cit. f. 10) Bardhi duke ndjekur logjikën historike flet edhe për familjen, atdheun dhe prejardhjen e Skënderbeut ose Gjergj Kastriotit. “Duke u mbështetur në shumë autorë, historianë fort të dëgjuar, del qartë se familja e Kastriotëve ka ekzistuar në Epir apo Arbëri dhe se Kastriotët nuk e kanë, me asnjë mënyrë, fillin e tyre nga i biri i Vukashin Margnaviçit”, shkruan Bardhi, (Vepra e cit. f. 91) Dashuria për atdheun, për të vërtetën, për popullin, për historinë dhe heroin e tij, për gjuhën dhe traditat e tij të bukura, janë nga idetë më kryesore, që ndrisin në këtë vepër dhe e bëjnë Bardhin një personalitet të shquar të kulturës shqiptare. Kur lexon ose më saktë kur studion librin e Frang Bardhit kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut dy mendime të lindin. Mendimi i parë është krenaria dhe e vërteta historike se kombi shqiptar ka nxjerrë gjatë shekujve njerëz të ditur, atdhetarë të përkushtuar. Mendimi i dytë është se në ditët tona mediokriteti po bëhet zotërues dhe fatkeqësisht është media ajo që i ka hapur dyer dhe dritare kësaj padije. Kjo e dyta është me pasoja në formimin atdhetar të brezave të rinj, që historinë e mësojnë nëpër shkrime, biseda, debate nga njerëz gjysmakë në kulturë e pa ndonjë vlerë intelektuale. Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka përgjegjësi që bën sehir, rri indiferente, në këtë mjedis diskutimesh nga bosët e masmedias. Fjala e saj do të kishte pa dyshim peshë të veçantë. Frang Bardhi pasi ka hedhur në “fushën e betejës” (kupto: në polemikë) gjithë artilerinë diturore (argumente, historianë të shquar etj.) ngre lart dashurinë e pamasë të popullit për Heroin. Midis shumë e shumë pjesëve të qëndisura me fjalët e tij të zemrës, Bardhi shkruan: “…Një numër i madh vajzash, në mes të rrezikut të luftës, atëherë kur çdo gjë të shtinte frikën e ushtrisë turke, mblidheshin çdo tetë ditë në mes të rrugëve, në qytetet ku ai kishte qenë zot, dhe këndonin lavdinë e kryetrimit të tyre të vdekur…” (Vepra e cit. f. 102) Në vitin 2018, në 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, kombi shqiptar, me veprimtari të shumta dhe të larmishme publike, kulturore dhe shkencore do të shprehë nderimin dhe krenarinë për Heroin e vet, si simboli më i madh dhe më i fuqishëm i Ilirisë dhe bashkimit tonë kombëtar.
Sigal