Amerika pezullon ndihmën ekonomike për Kosovën për shkak të mosheqjes së taksës ndaj Serbisë

562
Sigal

Nga Dr. Qemal Lamaj

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur presionin për marrëveshjen e Kosovës me Serbinë edhe me vendosjen e sanksioneve për shkak të taksës. Hapi i parë u realizuar më 14 mars 2020. Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), publikojë zyrtarisht një komunikate për median, se ka pezulluar programet e zhvillimit ekonomik për Kosovën.”Pozicioni i Shteteve të Bashkuara lidhur me tarifat e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia është i qartë. Heqja e këtyre tarifave do të përmirësojë ekonominë e Kosovës dhe do të ndihmojë në uljen e varfërisë përmes rritjes ekonomike. Derisa të zgjidhet çështja e tarifave të Kosovës, MCC do të pezullojë programet e saj në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Është hera e parë që Administrata Amerikane e udhëhequr nga presidenti Trump ndryshon qëndrimin zyrtar dhe reagon ndaj Kosovës me sanksione ekonomike. Konkretizohet politika e paralajmëruar me vlerësime të njejta, pa dallime, pa u penguar nga e kaluara dhe hapjen e një perspektive të re, për marrëveshje politike me ndërgjegje midis të dy palëve, bashkëpunim ekonomik në interes të dy popujve të Kosovës e Serbisë.

SHBA arriti sukses në kapërcimin e situatës së ngrirë të ndërprerjes së bisedimeve midis Kosovës e Serbisë me tre marrëveshje midis Gjermanissë Kosovës e Serbisë për linjën ajrore, autostradën dhe hekurudhën Beograd-Prishtinë. Por fillimi i realizimi të tyre u kushtëzua nga Serbia me heqien e taksës nga Kosova. Aktualisht kanë ngelur thjesht nisma propogandistike.

Ndërprerja e ndihmës ekonomike ndodhi pas takimit një javë më parë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e të ngarkuarit amerikan Richard Grenell. Nuk u sqarua nëse ishte zhvilluar një takim edhe me presidentin Trump!? Pas takimit nuk u publikuan përfundimet e bisedimeve. U njoftua vetëm kërkesa e njohur ultimative për heqien e taksës menjëherë dhe pa kushte. Mos plotësimi i saj i plotë, solli si pasojë sanksionin e parë ekonomik.

Dialogu midis Kosovës me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian e në bashkëpunim me SHBA, ka nisur në vitin 2011. Pas shtatë vjetësh, bisedimet maratonë dhe pa rezultate konkrete u ndërprenë, në nëntor të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës e kryesuar nga Ramush Haradinaj vendosi tarifën 100% ndaj produkteve të Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të fushatës së saj kundër njohjeve të Kosovës. Beogradi e kushtëzon kthimin në tavolinën e bisedimeve me Kosovën me heqjen e tarifës ndaj mallrave të saj që të hyjnë pa pengesa në Kosovë. SHBA e mbështet fuqishëm kërkesën e Qeverisë së Serbisë.

Tarifa është në fakt mjeti i vetëm i mundshëm i Qeverisë së Kosovës si reagim ndaj politikës sabotuese të Serbisë për pavarësinë e sovranitetin, ndarjen e Kosovës mbi bazën e demografisë së krijuar pas Luftës së Kosovës me serbë të ardhur e të vendosur në Veri, rikthimit me Asocialcionin e Komunave Serbe, paralizimin e kushtëzimin e pushtetit, si dhe fushatës së gjerë diplomatike për heqien e njohjeve e mos anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Në qëndrimet aktuale të institucioneve qëndrore vendimarrëse të realizimit të pushtetit shtetëror në Kosovë dëshmohen mbrojtja e interesave kombëtare dhe njëkohësisht përkushtimi në partneritetin parësor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kujdesi i posaçëm mbeten ruajtja e marrëdhënieve me SHBA që shqiptarët i vlerësojnë jetike për të sotmen e të ardhmen. Me këtë vullnet politik janë marrë edhe masat për të reflektuar ndaj kërkesave amerikane dhe respektimin e interesave kombëtare të Kosovës.

Së pari, Qeveria e Kosovës ka mbështetur me besim të plotë kërkesat amerikane. Në fund të muajit shkurt, u vendos për heqien e taksës në dy faza e në mënyrë të graduale duke mos reaguar me heqien e menjëhershme e pa kushte. Më 15 mars do të hiqej tarifa për lëndën e parë për mallrat e Serbisë. Nëse Serbia do të ndalte fushatën për çnjohje dhe zotohet për heqjen e barrierave jotarifore, nga 1 prilli, taksa do të hiqej për një periudhë 90 ditëshe. Nëse Serbia nuk i përmbahet këtyre zotimeve, atëherë nga 15 qershori, do të rivendosej taksa 100 % dhe do të zbatohej parimi i reciprocitetit. Për këtë vendim nuk ka patur marrëveshje të gjerë politike. Lidhja Demokratike, pjestare e koalicionit qeverisës, si dhe presidenti Thaçi kërkuan me insistim heqien e plotë dhe menjëherë të taksës, si dhe pa reciprocitet, ashtu si e kërkon SHBA dhe Serbia.

Së dyti, Parlamenti i Kosovës të shtunën pas mesnatës miratoi një rezolutë me të cilën bëhet e qartë se “Qeveria e Kosovës është institucioni që ka mandatin që të udhëheqë bisedimet politike me Beogradin”. “Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacënueshme. Askush nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës prisnin reagimin pozitiv edhe nga ato të Serbisë, por nuk ndodhi.  Kryeministri Albin Kurti në një postim në profilin e tij në median sociale, u kërkoi falje qytetarëve të Kosovës që më 15 mars nuk po mund ta jetësojë planin e tij në raport me tarifën”. “Ende nuk kam arritur ta bindë partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”. Për heqien e tarifës do të kërkonte një referendum popullor. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i zëvendëskryeministrit të parë në qeverinë Kurti, Avdullah Hoti nga LDK-ja, i cili tha se tarifa duhet të hiqet menjëherë, e pa kushte, ashtu siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara. Ai porositi Kurtin që të “mos të bëhen taktizime politike me partneritetin tonë me SHBA-n”.

Presidenti Thaçi nuk ka mandat që të negociojë në emër të Kosovës. Kryeministri Kurti i ka kërkuar atij që ta kordinojnë politikën e jashtme. Pas zgjedhjeve të tetorit të kaluar, të cilat koalicioni i partisë së Thaçit i humbi, kryeministri Kurti ka theksuar se është kundër çfarëdo shkëmbimi territoresh dhe ka akuzuar Thaçin se kishte arritur një marrëveshje të fshehtë me Vuçiçin dhe do ta bëjë atë të njohur publikisht.

Thaçi ka marrë kritika në të shkuarën se vazhdon përpjekiet për një marrëveshje me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç, që përfshinte shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve. Ai është kritikuar ashpër për këtë qasje dhe është akuzuar se e ka takuar Vuçiçin në fshehtësi disa herë. Thaçi ka kundërshtuar këto akuza. Edhe pas kthimit nga Washingtoni ai përsëriti se nuk ka marrëveshje për ndarjen e ndarjen e Kosovës. Detajet e një marrëveshjeje të tillë, si dhe të  përmbajtjes së diskutimeve mes palëve janë analizuar gjerësisht në median, si dhe janë kërkuar shpjegime edhe në Kuvendin e Kosovës, për arësye se nuk janë bërë kurrë publike dhe ndjehet shqetësimi nga mungesa e transparencës. Dihet se Thaçi i ka zhvilluar negociatat në plan personal, duke përjashtuar parlamentin, qeverinë dhe institucionet e tjera nga thuajse çdo përfshirje apo informacion mbi këtë çështje. Megjithë ndryshimin e pushtetit dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese nga viti 2019 që përcaktonte se vetëm qeveria mund të kryejë negociata me Serbinë, Thaçi nuk u tërhoq nga roli i tij dhe vazhdoi të diskutojë dhe të arrijë marrëveshje me Vuçiçin, duke mënjanuar hapur Qeverinë dhe parlamentin e ri.

Problemi themelor është rreziku i rivënies në zbatim të planit të publikuar si i dështuar por realisht mbetet alternativë që vazhdon si temë kryesore në bisedimet për shkëmimin e teritoreve sipas vullnetit të Serbisë të ndërmjetësuar nga Sorros. Presionet bëhen për të imponuar marrëveshjen dhe bërë fakt të kryer pa u miratuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Nga të dhëna jo zyrtare, bëhet e ditur se Vuçiç ka thënë, se Serbia mori në Shtëpinë e Bardhë të gjitha ato që dëshëronte!?

Serbia nuk jep asnjë garanci për ndryshimin e politikës ndaj Kosovës. Vuçiç pas kthimit nga Washingtoni theksoi se nuk mund të ketë reciprocitet pasi Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet.  Megjithatë shpresohet për një mundësi për politikë më të zbutur pas zgjedhjeve presidenciale, më 26 prill 2020, në Serbi. Kreu i partisë opozitare serbe NS, Vuk Jeremiq, disa ditë më parë, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka folur për bisedimet që ka zhvilluar me zytrarët e lartë amerikanë. Ai ka thënë se liderët e tashëm të Serbisë janë pajtuar që Kosova të pranohet në OKB dhe që kjo administratë e SHBA’së ka pritje të mëdha që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të përfundojë pas zgjedhjeve. “Nuk besoj që ata kanë shpresa të mëdha për marrëveshje para zgjedhjeve në Serbi, por defenitivisht shpresat janë që pas zgjedhjeve të bëhet dicka. Meqenëse një zyrtar senior i SHBA’së, Richard Grenell, ka vendosur që të mbetet i involvuar në dialog, pritjet e mija janë që një marrëveshje Prishtinë-Beograd të arrihet në nëntor. Kur fola me njerëzit në Uashington, askush nuk e mohoi këtë gjë.” “Është në dijen time që do të ketë një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, që do të përmbajë pranimin e Kosovës në OKB.” Ai po ashtu pranon se perëndimi është pajtuar me faktin se Serbia nuk do të jetë kurrë një shtet tërësisht demokratik.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë nuk u kurorëzua me nënshkrimin nga Thaçi dhe Vuçiç të marrëveshjes së negociar nga Sorrosi dhe pritshmërive të deklaruara për tu realizuar solemisht në praninë e presidentit Trump, në qershor ose në dhjetor 2019.

Ka mendime të ndryshme midis politikës amerikane dhe asaj evropiane. SHBA thekson do të pranojë marrëveshjan me ndërgjegjësimin e të dy palëve që ka në përmbajtje dyshimin për shkëmbin të teritoreve. Qëndrimi amerikan është i njetë me atë rus. Për të arritur këtë, mbështet presidentin Thaçi duke mënjanuar kryeministrin Kurti për bisedimet, megjithse zyrtarisht presidenti nuk ka kompetencat kushtetuese dhe është mënjanuar me vendimin e njohur të Kuvendit të Kosovës.

Gjermania dhe Britania e Madhe përjashtojnë marrëveshjen me ndryshimin e kufijve shtetërorë. BE do të vazhdojë ndërmjetësimin midis Kosovës e Serbisë, vlerëson heqien e pjesshme të tarifës, vendosjen e reciprocitetit dhe vendimin për mandatin e Qeverisë së Albin Kurtit për bisedimet.

Mbështetja e Serbisë nga gjeopolitika amerikane vë në dukje qëllimin strategjik për marrëdhënie më të avancuara e të qëndrueshme, si dhe një ndikim më të ndjeshëm në rajonin e Ballkanit, si dhe zgjidhjen e krizave të mbetura prej një kohe të gjatë. Aktualisht, i jepet ndihmë edhe fushatës elektorale të presidentit Aleksandër Vuçiç për tu rizgjedhur muajin e ardhshëm. Përkrahja ndaj tij, lë të kuptohet për mënjanuar ultranacionalistët serbë të njohur për qëndrimet e tyre shoviniste ndaj Kosovës e Malit të Zi, si dhe armiqësinë ndaj SHBA.

Është e domosdoshme të theksojmë se në politikën amerikane ndaj Kosovës dhe Serbisë, shqiptarët nuk e paragjykojnë. Është me vend të theksojmë se opinioni publik konstaton se Serbia mbështetet në kërkesat e saj që rrezikojnë dhe dëmtojnë efektivisht interesat e ligjshme të Kosovës. Shqiptarët kudo ku janë kanë qenë e mbeten në parteritet, besnikë dhe më dashamirësit ndaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbrojtjen e interesave kombëtare e bazojmë në mbështetjen amerikane për zgjidhjen përfundimtare të çështjes kombëtare shqiptare. Edhe SHBA nuk ka partnerë më të besueshëm se shqiptarët në Ballkan e kudo në botë. Mos plotësimi i kërkesës për heqien e menjëhershme të taksës nuk do të ndikojnë në marrëdhënet tona të shkëlqyera. Edhe deklarimet për mundësinë e tërheqies së trupave ushtarake amerikane nga Kosova, i vlerësojmë si presion kalimtar për taksën. Kjo është një situatë që do të kapërcehet nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duke respektuar vullnetin e popullit dhe me gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme bashkërisht me SHBA-në. Po të garantohet se nuk do të ndahet Kosova dhe të respektohet sovraniteti i saj, nuk do të ketë asnjë pengesë për heqien e menjëhershme të taksës.

Jemi të ndërgjegjshëm se me partneritetin me Shtetet e Bashuara të Amerikës do të mbrohen të drejtat e liritë e shqiptarëve dhe paqia e siguria në rajon do të shërbejnë për të ardhmen më të mirë të gjithë popujve të rajonit.