Florian Raunig/ Faleminderit Shqipëri!

61
Kjo është hera e pestë që largohem nga Shqipëria dhe hera e dytë që largohem nga Prezenca e OSBE. Në 1997, pata privilegjin të isha pjesë e ekipit që e hapi këtë mision dhe në 2013 pata privilegjin edhe më të madh të bëhesha kryetari i këtij institucioni. E gjithë kjo periudhë ka qenë kohë ndryshimesh të jashtëzakonshme, herë-herë e trazuar, por gjithmonë mbresëlënëse. Është një histori zhvillimi që shkon dorë-për-dorë me atë të Prezencës së OSBE: Duke qenë një nga mbështetëset tradicionale të Shqipërisë, ajo e ka dhënë asistencën e saj në një mënyrë që e pasqyron qartë ecurinë e vendit. Filluam duke e shoqëruar vendin për të dalë nga trazirat e mesit të viteve nëntëdhjetë dhe duke ngritur së bashku institucionet demokratike themelore.
Tashmë, është qëllimi ynë i përbashkët që ta përmirësojmë funksionimin dhe ndërveprimin e këtyre institucioneve dita-ditës, në mënyrë që të rritet besimi i qytetarëve dhe që shqiptarët të bëhen plotësisht zotër të demokracisë së tyre. OSBE-ja nuk ofron as para dhe as zgjidhje të gatshme e të shpejta. OSBE-ja ka pasur gjithmonë për qëllim partneritetin e sinqertë dhe shoqërimin afatgjatë drejt një progresi të vazhdueshëm dhe një ndryshimi të qëndrueshëm. Unë do ta quaja këtë punë në themel, një punë e nevojshme për të ushqyer dhe forcuar kulturën e demokracisë dhe respektimin e shtetit të së drejtës. Të gjithë e dimë se ndonjëherë kjo është një punë rraskapitëse, pasi ndryshimi i qëndrueshëm kërkon kohë që të rritet e hapësirë që të marrë frymë. Në të njëjtën kohë, pritshmëritë dhe ambiciet e popullit shqiptar janë shumë të larta. Kjo është plotësisht e kuptueshme, por kjo do të thotë se sfida jonë më e madhe është prapë koha. Më lejoni t’ju siguroj se OSBE-ja do të vazhdojë të jetë një partnere e vërtetë dhe e sinqertë e Shqipërisë, duke e ndihmuar vendin në mënyrë të qëndrueshme dhe të besueshme, duke ndarë, me mendje e me zemër, të njëjtin vizion për të ardhmen e Shqipërisë.
Më lejoni ta mbyll me disa komente personale: Unë e kam jetuar gjysmën e këtyre 26 viteve të fundit në këtë vend. Për më shumë se 13 vjet duke shërbyer në poste, rrethana dhe vende të ndryshme, pata kënaqësinë të zbuloja shumë nga ky vend dhe, ajo çka është më e rëndësishmja, të shijoja mikpritjen dhe miqësinë e njerëzve të tij nga Vermoshi në Konispol. Për më tepër, kam qenë dëshmitar çastesh historike të gëzuara dhe sfiduese gjatë kësaj kohe. Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën time. Gjeta në këtë vend disa nga miqtë dhe kolegët e mi më të mirë. Këtu u njoha me bashkëshorten time, ndërsa vajzat e mia mësuan edhe të flasin shqip, madje me dialekt “tirons”. Ju jam mirënjohës të gjithëve që jeni mbledhur këtu sot. I jam veçanërisht mirënjohës familjes sime, e cila më shoqëroi gjatë gjithë kësaj kohe dhe më dha forcën dhe këmbënguljen që m’u desh për të përmbushur detyrimet e mia. Më lejoni të them vetëm: Ju falem nderit të gjithëve! Të faleminderit, Shqipëri! 
Fjala e Ambasadorit Florian Raunig në Pritjen e Lamtumirës si Kryetar i Prezencës së OSBE